Connect with us

Kosova

S’ka antarësim të Kosovës në KiE/ Media gjermane për Kurtin dhe Qeverinë

“Vështirë se Kosova mund të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, për të cilën edhe ka aplikuar, teksa nuk i respekton as vendimet e gjykatave të veta” – kështu ka shkruar në llogarinë e tij në platformën “X“, gazetari gjerman, Michael Martens, që për shumë kohë ka shërbyer për media të ndryshme si korrespondent nga Ballkani.

Aktualisht gazetar i Frankfurter Allgemeine Zeitung, Martens e ka shtruar këtë çështje si dilemë, duke u vetë-përgjigjur.

“Kosova: A duhet, a mundet një vend që për vite me radhë refuzon t’i zbatojë vendimet e qarta të Gjykatës së vet Supreme dhe Gjykatës së vet Kushtetuese, t’i bashkohet Këshillit të Evropës? Vështirë” – ka theksuar Martens.

Shkrimi i Martens vjen në një kohë kur kanë plasur kërkesat ndaj Kosovës për zbatimin e vendimit të gjykatave të Kosovës për tokat rreth Manastirit të Deçanit.

Javën e kaluar ishte fillimisht Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), Giovanni Barbano, që kërkoi zbatimin e vendimit të Kushtetueses.

“Vënia në pikëpyetje e Gjykatës Kushtetuese dhe vendimeve gjyqësore minon pavarësinë e gjyqësorit, duke gërryer shtetin e së drejtës. Vendimi i vitit 2016 për Manastirin e Deçanit është i detyrueshëm për të gjithë personat dhe institucionet, pa përjashtim” – ka shkruar ai në platformën sociale, X.

Pas tij ishte edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde që shpalosi kërkesën e njëjtë.

Përmes një postimi në platformën sociale, X, Rohde ka potencuar se të gjithë miqtë dhe partnerët e Kosovës aktualisht kanë të njëjtën kërkesë.

Kjo kërkesë kishte dalë edhe në raportin që përpiluan disa nga juristët më eminentë, të cilët, në kuadër të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, bënë një vizitë në Kosovë.

Misioni faktmbledhës disa ditor i tyre, kulmoi me një raport, në të cilin ndër të tjera kërkohet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, reforma për të përmirësuar efikasitetin e sistemit gjyqësor dhe përmbajtja nga përdorimi i forcave speciale të Policisë së Kosovës në Veri të Kosovës.

Raporti 28 faqesh i publikuar nga Këshilli i Evropës është ndarë në gjashtë pjesë ku analizohet korniza kushtetuese e Kosovës, Demokracia, Zbatimi i Ligjit e Drejtat e Njeriut.

Raporti i Këshillit të Evropës ndër të tjera vlerëson se Qeveria e Kosovës duhet të respektojë pa vonesa të mëtejshme aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin e Manastirit të Deçanit.

Advertisement