Kosova
Bislimi del nga takimi me Lajçak-un me hundë të zgjatur, sërish
Nga gënjeshtra se do jap dorëheqje nëse Kosova e pranon Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Besnik Bislimi, ka gënjyer prapë opinionin.
Kësaj here, zëvendëskryeministri kosovar, shtatë ditë pasi kishte “refuzuar” të shkojë në Bruksel për të diskutuar për çështjen e dinarit, është takuar në Prishtinë me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak – pikërisht për të folur për dinarin.
Pas takimit, diplomati sllovak njoftoi se do t’i ftojë Kosovën dhe Serbinë për një raund të ri të dialogut në nivel të kryenegociatorëve mbi rregulloren e ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit në komunat veriore të vendit.
Pra, për monedhën serbe Bislimi do flas në kryeqendrën evropiane me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviç edhe pse vazhdimisht insistonte se “dinari s’është çështje për dialog”.
Por, kjo nuk është gënjeshtra e parë e Bislimit. Ju kujtohet marsi i vitit 2022 kur ai takoi zëvendëssekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Bjorn Borge.
Takimi në fjalë ishte në suazat e një takimi të rëndomtë në qendrën e KiE-së në Strasburg të Francës, deri kur u kuptua se Bislimi njëherit kryenegociatori i palës kosovare në dialog me Serbinë, kishte lëshuar një rrenë.
Ai kishte shkruar në rrjetin social se “gjatë qëndrimit në Strasburg, Berger mirëpriti iniciativën e Kosovës për aplikimin për pranim në Këshill të Evropës”.
Kështu do të mbetej sikur Berge të mos ri-shpërndante twitt-in e Bislimit, me një përshkrim mbi të.
“Fatkeqësisht ky nuk është përshkrim korrekt i asaj çfarë kam deklaruar në takim në lidhje me aplikimin e mundshëm për në Këshill të Evropës”, pati shkruar Berge. Bislimi – veç shtetar është edhe profesor – kishte kërkuar falje, pas përgënjeshtrimit, duke u sqaruar se ka përdorur një term gabim.
Një rast tjetër është kur ndryshe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që thoshte se ka “Asociacion” në marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Bislimi nuk e pranonte se Kosova do e pranojë themelimin e këtij mekanizimi.
“Në momentin që Qeveria e Kosovës e ndryshon qëndrimin për Asociacion [Zajednicë] dhe thotë që do të krijohet një Asociacion [Zajednicë], qoftë edhe me kompetenca jo-ekzekutive, atëherë unë nuk do të jem më në dialog”, kishte theksuar ai.
Përkundër të gjitha këtyre gënjeshtrave, dribleri Bislimi nuk u tërhoq nga dialogu.
Ai madje në të shumtën e rasteve injoroi pyetjet e parashtruara nga deputetët opozitarë se kur do të tërhiqet nga dialogu meqë tashmë Kosova pranoi implementimin e Asociacionit me Marrëveshjen Bazë.
Albanian Post