Politike
Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, Rama: Të jetë kusht për integrimin evropian, vonesat prekin sigurinë
Teksa 18 marsi shënon një vit nga firmosja e Marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se ajo ka një rëndësi të madhe për sigurinë, stabilitetin dhe paqen në rajonin tonë.
Rama zgjodhi platformën X për të sjellë këtë mesazh, ku thekson se po i afrohemi edhe takimit të Këshillit Evropian të 21 marsit.
Sipas numrit një të Qeverisë, nuk mjafton vetëm njohja e marrëveshjes, e cila tashmë është ligjërisht e detyrueshme.
“Për të siguruar progres, Marrëveshja dhe Aneksi i Zbatimit duhet të përfshihen zyrtarisht si pjesë përbërëse të proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE”, thotë kryeministri.
Rama shprehet se çdo vonesë për ta bërë këtë vetëm e forcon status quo-në.
“Dhe status quo-ja në lidhje me këtë çelës strategjik për një fqinjësi paqësore, të begatë dhe evropiane në mes të Evropës nuk i shërben sigurisë së vetë Evropës”.
Muaj më parë edhe Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian kanë paraqitur një kërkesë për përfshirjen e Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit në kapitullin 35 të negociatave me Serbinë.
Kjo do të thotë se obligimet nga Marrëveshja e Ohrit do të bëhen pjesë integrale e procesit të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE.
Sipas këtij propozimi, detyrimet nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe Aneksi i Zbatimit i rënë dakord marsin e kaluar në Ohër, zyrtarisht do të bëhen pjesë përbërëse e procesit të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE.
“Këshilli kërkon nga Komisioni dhe Përfaqësuesja e Lartë që urgjentisht t’i propozojnë Këshillit, para fundit të janarit 2024, ndryshime dhe shtesa në kriteret për kapitullin 35 të negociatave të pranimit të Serbisë”, thuhet në deklaratë.
Kujtojmë se Këshilli i Ministrave të BE-së i kërkoi Komisionit Evropian që në dhjetor t’i përfshijë këto detyrime në kuadrin e negociatave të Beogradit dhe Brukselit.
Kjo kërkesë u miratua fillimisht nga ministrat e punëve të përgjithshme të Bashkimit Evropian si pjesë e konkluzioneve, ndërsa disa ditë më vonë nga liderët e vendeve anëtare të BE-së.
Pas dorëzimit të kërkesës, pritet që Këshilli i BE-së t’i miratojë këto ndryshime, të cilat zyrtarisht do të përfshijnë obligimet e Beogradit nga dialogu në procesin e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE.
Në fillim të vitit të kaluar pranë Liqenit të Ohrit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, dhe kryeministri kosovar Albin Kurti ranë dakord verbalisht për disa angazhime, të ndjekura nga një plan për zbatim.
Por më së shumti ka ngecur dhe incidentet e dhunshme vitin e kaluar në veri të Kosovës minuan besimin dhe nxitën frikën e një përshkallëzimi të rrezikshëm të konfliktit në një rajon historikisht të cenueshëm.
Bashkimi Evropian hapi zyrtarisht negociatat e pranimit me Serbinë në vitin 2014, menjëherë pas të ashtuquajturës marrëveshje të Brukselit me udhërrëfyesin e tij drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Ndërkaq edhe kryediplomatë të Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara (SHBA) u kërkuan liderëve në Prishtinë e Beograd t’i dyfishonin përpjekjet drejt zbatimit të obligimeve.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç e pranuan marrëveshjen më 27 shkurt në Bruksel të Belgjikës.
Pastaj u arrit një dakordim që do ta përcaktonte trajektoren e procesit të normalizimit në qytetin piktoresk të Ohrit. Megjithatë, një vit pas, tensionet politike dhe pengesat praktike ende mbeten emërues të përbashkët të zhvillimeve.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në një-vjetorin e “marrëveshjes historike” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kërkoi nga palët që t’i ulin tensionet dhe të nisin zbatimin e së njëjtës pa vonesa të mëtejme, duke shtuar se ky është “momenti i fundit” që palët të thyejnë “rrethin vicioz” të krizave dhe të kalojnë në “epokën e re” evropiane.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kërkoi nga Kosova dhe Serbia që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, derisa përsëriti thirrjen që palët e përfshira në këtë proces të kontribuojnë në krijimin dhe ruajtjen e atmosferës së pajtimit.
Dialogu pritej të hynte në fazën përmbyllëse dhe marreveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi planifikohej të arrihej në kryeqytetet evropiane në fund të ’23-ës, por ngjarjet e fundit, përveç se dëshmuan për brishtësinë e paqes, treguan gjithashtu se nuk është arritur asnjë progres drejt normalizimit të marrëdhënieve nën kujdesin e BE-së.
E në vorbullën e zhvillimeve aktuale, në raportin e përvjetshëm të vlerësimit të kërcënimeve globale, intelegjenca amerikane paralajmëroi ngritje të nivelit të rrezikut nga përshkallëzimi i dhunës në Ballkanin Perëndimor edhe përgjatë vitit 2024, derisa u përmenden tensionet midis Kosovës dhe Serbisë në pjesën veriore të vendit që karakterizuan rajonin gjatë vitit 2023.