Connect with us

Aktualitet

‘Kumbari’ i dialogut Kosovë-Serbi ka dështuar

Eksperti i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit, Toby Vogel, në njëvjetorin e Aneksit të zbatimit të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars), ka thënë se është befasuese që pas vitesh ngecje të plotë në dialog, BE-ja nuk po mendon që ta ndryshojë formatin, teksa dhe ka theksuar se është momenti i fundit që BE-ja te ndryshojë qasjen në raport me Ballkanin Perëndimor, e posaçërisht ndaj Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës.

“Është befasuese që pas vitesh ngecje të plotë, BE-ja mbetet e pavullnetshme për të rivlerësuar parimet dhe formatin e dialogut. Ndërsa përgjegjësia kryesore për dështimin, qëndron tek të dy palët, por shumë më tepër tek Beogradi sesa tek Prishtina. Por gjithashtu qasja e paaftë dhe e anshme e Bashkimit Europian, ka qenë një faktor kyç qe ka kontribuar në dështim” – ka theksuar Vogel.

Sipas tij, tani është koha që shtetet anëtare të kërkojnë rishikim të politikave me spektër të plotë të strategjisë së BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, dhe Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës në veçanti.

Duke folur për Marrëveshjen e Ohrit, ai ka vlerësuar se “kumbari” i këtij dakordimi, pra Unioni, nuk ka ushtruar presion ndaj Serbisë për respektimin e marrëveshjes, por edhe nënvizoi se BE-ja nuk ka reaguar në momente të rëndësishme që cenuan stabilitetin rajonal, e për të cilat përgjegjëse ishte Serbia.

“Pavarësisht fjalës vetë-uruese të BE-së për një ‘arritje historike’, Marrëveshja e Ohrit lindi e vdekur. Stimujt për të dyja palët për ta pranuar atë, nuk ishin. Serbia, jo vetëm që refuzoi ta nënshkruante atë, por shkeli disa nga dispozitat e saj thelbësore, duke bllokuar rrugën e Kosovës drejt Këshillit të Evropës” –  tha Toby Vogel.
“BE-ja nuk ushtroi kurrë presion kuptimplotë kundër Beogradit lidhur me refuzimin për të nënshkruar dhe respektuar marrëveshjen, dhe në vend të kësaj gjeti arsye për të vendosur sanksione kundër Kosovës. Viti 2023 më pas pa dhunë vdekjeprurëse në veri të Kosovës, të orkestruar qartë nga Beogradi, përsëri pa asnjë pasojë për regjimin e Vuçiç-it” – potencoi eksperti i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.

Ai theksoi se viti 2023 përfundoi me zgjedhje “të manipuluara në Serbi (përsëri pa pasoja) dhe një deklaratë, me shkrim, nga qeveria serbe se ajo kurrë nuk do të pranonte asgjë që do të nënkuptonte njohjen de facto të Kosovës, duke mohuar vetë parimin mbi të cilin dialogu është ndërtuar”……………………….

Duke folur për (mos) zbatimin e marrëveshjes, Vogel ka theksuar se bazat e qëndrimit të palëve nuk kanë ndryshuar që nga viti i kaluar.

Akorduar me 18 mars në Ohër, pajtimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, ishte në fakt aneks sqarues për atë që ishte arritur në Bruksel me 27 shkurt ku përmes 11 neneve Bashkimi Evropian e SHBA-të besonin se kishin gjetur zgjidhjen.

Aty Kosova – vec te tjerash tjerash – pranonte që t’i zbatonte të gjitha marrëveshjet e arritura me herët, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe pajtimin për një status special për Kishën Ortodokse Serbe.

“Kosova nuk dëshiron të zbatojë Asociacionin pa një angazhim të Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa Serbia nuk është e interesuar për asgjë që do të sinjalizonte njohjen de facto”, vëren Vogel

“Serbia shumë qartë po shpreson gjithashtu për një fitore të [Donald] Trump në nëntor. Në këto rrethana është e vështirë të shihet se si ata mund të bëjnë përparim në dialog këtë vit, përveç në menaxhimin e krizave të ndryshme që pa dyshim do të shfaqen” – theksoi eksperti i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian

 

Advertisement