Connect with us

Bota

Rusia e pranon zyrtarisht: Jemi në luftë, fajin e ka Perëndimi

Rusia pranon zyrtarisht dhe për herë të parë se është në luftë. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, pretendoi se fajin për këtë e ka Perëndimi për ndërhyrjen në Ukrainë.

“Në thelb, pasi Perëndimi u përfshi, operacioni jonë special u shndërrua në një luftë për ne. Kjo nuk ka të bëjë me ndryshime ligjore, pasi de jure vazhdon të jetë operacion special, por defakto është kthyer në një luftë. Kjo erdhi pas rritjes së nivelit të përfshirjes së Perëndimit në konflikt.”

Deklarata vjen pas sulmit më masiv të Rusisë kundër Ukrainës që nga nisja e luftës në shkurt të 2 viteve më parë. Ushtria e Putinit ka lëshuar mbi 60 dronë kamikazë Shahet dhe thuajse 90 raketa të llojeve të ndryshme duke goditur të paktën 7 rajone të ndryshme.

Kharkivi dhe Zaporizhia raportohet të jenë zonat më të prekura rëndë. Autoritetet ukrainase flasin për viktima dhe të plagosur ndër civilë, por edhe për dëme të mëdha materiale.

Mbi 1 milionë persona kanë mbetur pa energji elektrike, pasi shumë prej sulmeve ajrore shënjestruan centralet e Ukrainës.

Një alarm u lëshua menjëherë në impiantin bërthamor të Zaporizhias, për shkak të ndërprerjes së linjës ajrore që lidh centralin me sistemin energjitik të Kievit. Forcat ruse bombarduan dhe digën më të madhe në Ukrainë në këtë rajon.

“Ushtria ruse zhvilloi një sulm masiv të preçizionit të lartë me armë nga ajri, deti dhe toka, por edhe me dronë, drejt infrastrukturës energjitike, industrisë ushtarake, linjave hekurudhore, magazinave të armëve, ushtrisë së Ukrainës dhe mercenarëve të huaj. Si rezultat, funksionimi i industrive prodhuese dhe riparuese të armëve, pajisjeve dhe municioneve është dëmtuar,” deklaroi Igor Konashenkov, zëdhënës i ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë.

Situata e krijuar, ka detyruar avionët ushtarakë të Polonisë që të ngrihen në ajër. Frika ka qenë e madhe për ndonjë tejkalim të hapësirës ajrore së shtetit të NATO-s nga bombarduesit rusë.

Në këtë drejtim, kërcënimet serioze ndaj vendeve të aleancës nga Moska nuk kanë ndalur.

Nënkryetari i parlamentit rus, Piotr Tolstoi, konfirmoi se Kremlini po shqyrton mundësinë e një sulmi bërthamor ndaj Francës, nëse ushtarët e Macron hyjnë në Ukrainë. Ai i tha mediave franceze se një raketë e lëshuar nga Rusia mund të arrijë në Paris për pak më shumë se 2 minuta.

Advertisement