Connect with us

Kosova

Bazat serbe në kufi me Kosovën në formë patkoi – “The Telegraph”: A do të jetë Kosova, Ukraina e radhës

Përpara se policia kosovare të fillojë patrullimin e saj në kufirin me Serbinë, ata e ngarkojnë makinën me armatim: AK-47 janë të lidhur në pjesën e pasme të sediljeve të veturës, pistoletat poshtw këmbëve dhe dronët dhe jelekët antiplumb të mbushur në bagazhin e Land Rover.

Ky është tani protokoll standard në një nga kufijtë më të paqëndrueshëm në kontinentin evropian.

Kur njerëzit e pyesin Venton Elshanin, zëvendëskomandantin e policisë në veri të Kosovës se si është situata, ai thjesht u tregon përgatitjet që bën para patrullimit. “I shihni armët?” tha ai, para se ta nxirrte grupin e xhirimit tw Telegrafit në kufi, “këto janë për t’i mbajtur policët. Situata nuk është e mirë.”

Që kur Kosova fitoi pavarësinë nga Jugosllavia në një luftë që përfundoi në vitin 1999, ajo ka pritur një komunitet të vogël serbësh etnikë në rajonin kufitar verior. Tensionet me shumicën etnike shqiptare janë rritur së fundmi. Aleksandër Vuçiq, presidenti i Serbisë, ka lënë të kuptohet për një pushtim. Nacionalistët i kërkojnë atij që të veprojë për të “mbrojtur” serbët e detyruar të jetojnë nën “sundimin” kosovar.

Frika e një lufte të re u rrit në vitin 2023 kur një grup i armatosur serbësh sulmuan përtej kufirit në fshatin verior të Banjskës dhe u barrikaduan në manastirin e tij. Tre nga 30 militantë të dyshuar u vranë në një shkëmbim zjarri. Një nga njerëzit e komandant Elshanit humbi jetën në shkëmbim zjarri.

Që nga ajo ditë, oficeri dhe ekipi i tij kanë kryer patrulla ditore në rajonin kufitar të dominuar nga serbët, duke kërkuar rrugë të paligjshme në Serbi të llojit të përdorur nga personat e armatosur në sulmin e tyre.

“Ne i njohim këto rrugë më mirë se kushdo,” tha komandanti Elshani për The Telegraph ndërsa patrulla përshkoi rrugën e saj nëpër male. “Serbët nuk mund të shkojnë asnjë rrugë që ne nuk do ta gjejmë.”

Në numërimin e fundit, policia identifikoi 65 rrugë të paligjshme, të gjitha të bllokuara me kanale të mëdha të prera në beton. Edhe 10 rrugë të tjera mbahen nën vëzhgim të vazhdueshëm, kryesisht nëpërmjet dronëve.

Prezenca e vazhdueshme në rajonin me shumicë serbe i dërgoi mesazh Beogradit se Kosova po i mbronte kufijtë e saj, tha komandanti Elshani.

“Banjska ndryshoi lojën, e vendosi lojën në një nivel tjetër për shkak të vdekjeve,” tha ai. “Kur gjaku derdhet, atëherë është problem.”

Analistët paralajmërojnë se propaganda e Kremlinit po nxit trazira në veri në një komb ku 93 për qind janë shqiptarë dhe 4 për qind serbë. Shumica e serbëve në Kosovë ende e konsiderojnë Beogradin, i cili kurrë nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, si qeverinë e tyre.

Pas rrethimit, autoritetet zbuluan një depo të madhe armësh që sulmuesit kishin fshehur në ndërtesat e papërdorura përreth fshatrave veriore. Vetëm pak javë më parë ata zbuluan pesë raketahedhës të tjerë, një shenjë e shkallës së sulmit të planifikuar.

Në një intervistë për The Telegraph, Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, paralajmëroi se zoti Vuçiq, presidenti i Serbisë, kishte në plan të pushtonte. Ai tha se Serbia kishte ndërtuar baza operative përpara rreth kufirit në një “formë patkoi” për të “mbrojtur Beogradin dhe sulmuar Kosovën”.

Shpërqëndrimi nga lufta në Ukrainë

Bazuar në fjalët e vetë presidentit Vuçiq, Kurti beson se presidenti serb po kërkon kohën e tij për një mundësi për të pushtuar.

Miqësia e Vuçiqit me Vladimir Putinin është e njohur dhe Kurti beson se është në interesin e liderit rus që Serbia të pushtojë Kosovën, pasi kjo do të largonte vëmendjen nga lufta e tij në Ukrainë.

Pas Urës së Mitrovicës që ngrihet mbi lumin Ibër, flamuri i Serbisë i kuq, i bardhë dhe blu valëvitet gjithandej. Dikur kjo urë ishte një “pikë e nxehtë” – një ndarje joformale midis rajonit kufitar verior të Kosovës dhe jugut etnik shqiptar. Gjërat duken paqësore, ndërsa këmbësorët ecin lirshëm midis dy anëve.

Por ka tension nwn kwtw panoramw. Disa banorë etnikë serbë nga veriu e shohin këdo që kalon në jug si tradhtar, një njeri që tradhton plagët e pashëruara nga gjakderdhja e viteve 1990.

Makinat ende nuk lejohen të kalojnë mbi urën, e penguar nga bllokada dhe prania 24/7 e dy policëve me Land Rover, njëri i parkuar me pamje nga jugu dhe tjetri nga veriu.

Policia tha se këto masa paraprake ishin thelbësore për të ruajtur stabilitetin në zonë.

Thashethemet flasin se Putini ka rekrutuar serbë për të luftuar në ushtrinë e tij kundër Ukrainës dhe ndërsa The Telegraph udhëtonte në veri, solidariteti me Rusinë ishte i gjithëpranishëm. Shkronja “Z” ishte grafituar në anët e dyqaneve, kafeneve dhe shtëpive lokale.

Albin Kurti thotë: “Kjo është pishina nga ku ata [Rusia] do të rekrutojnë paraushtarakë të ardhshëm të Wagner-it për Ukrainën dhe Ballkanin”.

Në një tabelë rrugore, dikush kishte shkruar fjalët “F— k Nato”, një paralajmërim për praninë paqeruajtëse të bllokut të KFOR-it, i cili është stacionuar në Kosovë që nga viti 1999.

Ashtu si policia, ata kryejnë patrullime, duke vigjiluar në atë që e quajnë si vijë kufitare administrative, një shtrirje tokësore prej 237 miljesh që ndan Kosovën dhe Serbinë.

Togeri i parë Caldwell i Gardës Kombëtare të Gjeorgjisë, i cili përbën kontributin e Amerikës në KFOR, tha se detyra e tyre ishte të zbulonin këdo që synonte të ndiqte veprimtari armiqësore.

Ai theksoi rëndësinë e “ndërprerjes” së rrugëve ilegale për të ndaluar kalimin e kontrabandistëve në Kosovë. Sipas tij më shumë ndërprerje rrugësh po kryheshin sa herë që ishte e mundur. Për komandant Elshanin njerëzit e tij janë në stërvitje për sulm.

“Nuk është surprizë që Vuçiq dëshiron të pushtojë,” tha ai. “Ata mund të na qëllojnë, por nuk mund të na trembin.”

The Telegraph

Kosova

‘Po përpiqen të na ndajnë tërësisht nga Kosova’, Vuçiç takon Patriarkun serb e Dodik-un

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se nuk do pajtohen “kurrë për një Kosovë të pavarur”, teksa dhe ka propaganduar gjoja për “persekutim” të serbëve të Kosovës.

Këto komente, Vuçiç i ka bërë pas një takimi me Patrikun serb Porfirije dhe Presidentin ultra-nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik.

“Çdo ditë në mënyra të ndryshme ata po përpiqen, jo vetëm nga zemra e nga shpirti, por edhe fizikisht, ta ndajnë tërësisht Kosovën nga ne. Populli ynë në Kosovë është i ekspozuar ndaj persekutimit brutal që nuk do të ndalet lehtë” – propagandoi Vucic

Ai theksoi gjithashtu se “do të kundërshtojmë me të gjitha mjetet politike dhe do të bëjmë gjithçka për popullin tonë në Kosovë dhe natyrisht nuk do të pajtohemi kurrë për një Kosovë të pavarur”.

Përveç kësaj, kreu i Serbisë ka njoftuar se me Porfirje-n dhe Dodik-un kanë folur edhe për rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë që pritet të miratohet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), e cila kundërshtohet nga Vuçiç dhe vartësit e tij.

“Shpreha mirënjohjen time për faktin që po merren me çështjen e rezoluta e imponuar për Srebrenicën, si çështje kyçe për mbijetesën e popullit serb. Edhe pse ne kemi luftuar dhe kemi investuar energji të jashtëzakonshme për t’i kundërshtuar sa më fort dhe fuqishëm, pa forcën dhe mbështetjen tuaj nuk do ta kishim bërë”, propagandoi presidenti serb.

Continue Reading

Kosova

Britanikët po përdorin një truk të ri, Vuçiç zbulon se ia ka frikën Greqisë se mund të njohë Kosovën

Aleksandër Vuçiç e thotë hapur: “kundërshtarët e Serbisë janë Berlini, Londra dhe Uashingtoni”.

Duke folur për rezolutën që dënon gjenocidin në Srebrenicë, presidenti serb pretendoi se do të luftojë kundër fuqive të mëdha në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por pranoi se në fund, vendi i tij do të humbë.

Vuçiç tha për televizionin publik serb, se për herë të parë Kina do të jetë kundër rezolutës, e cila sipas tij do ti vendosë njollën e gjenocidit popullit serb. Ai pretendon se qëllimi i dokumentit është shfuqizimi i Republika Srpska në Bosnje.

Zemërimin më të madh në rajon e shprehu kundër Malit të Zi për votën pro ndaj rezolutës, ndërsa paralajmëroi ndryshime të mëdha në botë pas 23 majit.

“Çfarë mund të them për Malin e Zi. Meksika do të abstenojë, Nikaragua do të jetë kundër dhe Mali i Zi do të jetë pro. Çfarë mund të them për faktin që Kina do të jetë kundër dhe Mali i Zi pro. Kjo tregon se sa shumë po ndryshon rendi në botë. Pas seancës së OKB-së, do të jemi dëshmitarë të ndryshimeve në botë, lindjes së një rendi të ri.”

Vuçiç foli për Kosovën duke akuzuar perëndimorët që po lejojnë atë që e konsideroi “vjedhje të territorit”.

Ai pretendoi se Britania po përdor një truk të ri për të mundësuar anëtarësimin në Këshillin e Evropës, që ka të bëjë me kthimin e planit të Ahtisarit për respektimin e të drejtave të minoriteteve. Presidenti serb u pyet lidhur me mundësinë që ndonjë nga pesë shtetet mos njohëse të Kosovës në Bashkimin Europian të ndryshojnë qëndrim.

“Spanja nuk do të ndryshojë qëndrim për çështjen e Kosovës. Kam frikë nga qëndrimi spanjoll për çështjen e Srebrenicës. Qipro nuk do të ndryshojë qëndrim. Shpresoj që Greqia të mos ndryshojë qëndrim.”

Gjithashtu nënvizoi se u beson verbërisht liderëve të Hungarisë dhe të Sllovakisë, që po merr veten nga atentati ku mbeti I plagosur rëndë, lidhur me çështjen e Kosovës dhe mbështetjen për Serbinë në arenën ndërkombëtare.

Continue Reading

Kosova

Kosova jashtë agjendës së KiE/ Gërvalla: Nuk do shkruhet draft-statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe

Pas takimit të së enjtes të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës ku aplikimi i Kosovës për anëtarësim në këtë institucion nuk ishte në agjendë, nuk u vendos po ashtu as për një seancë të jashtëzakonshme ku mund të votohej për anëtarësimin e vendit.

Kjo ka qenë arsyeja pse ministrja e punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz thotë se nuk do shkruhet draft-statuti.

“Duke qenë se vendit i ishte vendosur një parakusht i vonshëm, joformal e arbitrar, Qeveria e Republikës së Kosovës bëri një propozim dje (përmes një oferte të shënuar në një komunikim përmes letrës drejtuar KiE-së) të arsyeshëm për tejkalimin e bllokadës që kishte krijuar ky parakusht i fundit. Edhe pse oferta jonë, e konsultuar me partnerë të shteteve anëtare, në këmbim të një vendimi pozitiv sot në Komitet të Ministrave ofroi një platformë të gjerë të punës së përbashkët, ajo ofertë nuk u mor parasysh. Rrjedhimisht ajo letër me ofertë e humbi vetvetiu aktualitetin dhe relevancën pas mbledhjes së sotshme të Komitetit të Ministrave”, shkroi Gërvalla.

Continue Reading

Kosova

Kosova nuk u përfshi në mbledhjen e KiE/ Osmani optimiste: Çështje kohe

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të premten se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE) është “çështje kohe”, pasi kërkesa e saj për t’iu bashkuar kësaj organizate të rëndësishme për të drejtat e njeriut nuk u mor parasysh nga Komiteti i Ministrave i KiE-së.

“Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës. Është vetëm çështje kohe. Në këtë rrugë, ne nuk bëjmë kompromis me vlerat të cilat formojnë themelet e vendit tonë”, shkroi Osmani në rrjetin social X.

Osmani i bëri këto komente pak orë pasi Komiteti i Ministrave i KiE-së nuk e hodhi në votim kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë gjatë një takimi të premten në mëngjes.

Kosova i kishte kaluar tashmë dy faza në procesin e pranimit në këtë KiE, dhe shpresonte që Komiteti i Ministrave – i cili vendos për ta pranuar ose jo një vend – do të votonte të premten për kërkesën e Kosovës.

Por, edhe pse Asambleja Parlamentare të KiE-së dha dritën jeshile që Kosova të pranohej, disa shtete vendosën kusht që Kosova të bëjë hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nëse dëshiron të bëhet anëtare e organizatës me seli në Strasburg.

Osmani tha se Kosova është “mirënjohëse ndaj të gjitha vendeve që na kanë mbështetur deri tani. Së bashku, ne do të punojmë për ta bërë realitet këtë triumf të të drejtave të njeriut pa humbur kohë”.

“Kur të mbërrijmë atje, ne do të vazhdojmë të ngremë zërin për shtylla të cilat e definojnë KiE-në: të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit. Ne nuk do të shërbejmë si dora e shtrirë e Rusisë, e as si shembull i sjelljes autokratike”, shtoi ajo.

Pak ditë para takimit të Komitetit të Ministrave, Qeveria e Kosovës kishte bërë përpjekje për t’i kënaqur vendet skeptike, duke iu drejtuar me një letër Këshillit të Evropës, ku thoshte se zotohej për ta hartuar dhe dërguar në Kushtetuese një draft-statut për themelimin e Asociacionit.

Osmani tha se nuk ishte konsultuar nga Qeveria për këtë letër dhe se nuk e mbështeste atë.

Ndërkohë, Gjermania, një prej shteteve që ka vendosur kushtin për Kosovën në KiE, tha se ajo konsideron si “hap konkret” vetëm kur Kosova të dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin për Asociacionin.

Deri më tani, janë prezantuar disa draft-statute për Asociacionin, përfshirë një nga BE-ja në tetorin e vitit të kaluar.

Kryesuesja e deritanishme e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Dominique Hasler, tha se ky komitet po shqyrton se si të procedojë për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.

Hasler, që është ministre e Jashtme e Lihtenshtajnit, shteti i cili ka pasur udhëheqjen e presidencës së KiE-së, tha pas mbledhjes së Komitetit të Ministrave më 17 maj se Kosova është përmendur në mbledhje nga shtetet anëtare.

“Pranimi i Kosovës u përmend disa herë sot në kuadër të deklaratave kombëtare të ministrave. Ne kemi pranuar letër nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me rekomandimin për pranimin e Kosovës dhe ne bëmë gjithçka brenda presidencës sonë për të avancuar procesin, së bashku me shtetet anëtare. Dhe Komiteti i Ministrave veçse ka nisur diskutimet për çështjen dhe aktualisht po shqyrton se si të procedojë”, tha ajo./rel

Continue Reading

Kosova

Dronë amerikan në qiellin e Kosovës, Serwer: Asociacioni pas njohjes së shtetësisë

Profesori në universitetin amerikan Johns Hopkins dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, e sheh si të padrejtë kushtëzimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës me krijimin e Asociacionit.

Duke kritikuar atë që e sheh si diplomaci të keqe, nga SHBA dhe BE, ai mbështet qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti dhe thotë se Asociacioni duhet të krijohet vetëm pasi Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.

Serwer u shpreh se “Kosova duhet të jetë gati për një përshkallëzim të ri të situatës me Serbinë, dhe i bëri thirrje SHBA që përveç raketave të dërgojë në veri edhe dronë”.

Duke folur për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Serwer ka përmendur edhe Asociacionin si kusht që i është vënë Kosovës nga Franca dhe Gjermania për futjen në agjendën e Këshillit të Ministrave, duke thënë se kjo është e padrejtë.

“Nuk është e drejtë. Mendoj se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është diçka për të cilën është rënë dakord në vitin 2013 në këmbim të gjërave që Serbia duhej të bënte, duke përfshirë pjesëmarrjen e plotë të serbëve në institucionet qeverisëse, shtrirja e autoriteti ligjor kushtetues të Prishtinës në veri të Kosovës dhe një sërë gjërash që Serbia nuk i ka bërë. Pra, të kërkohet nga Kosova që të përmbushë detyrimet e Marrëveshjes së vitit 2013 pa marrë asgjë nga në këmbim, është një gabim i rëndë dhe diplomaci e keqe”- ka thënë analisti amerikan duke potencuar gjithashtu se po minohet definitivisht edhe besueshmëria tek bashkësia ndërkombëtare.

“Njerëzit në Kosovë dhe në vende të tjera po kuptojnë se bashkësia

ndërkombëtare nuk i përbush angazhimet e veta, diçka që kufizon levën e saj të ndikimit. Mendoj se është koha të kuptohet se Këshilli i Evropës është një hap i nevojshëm për Kosovën që do të përmirësonte kushtet për serbët në veri.

Prishtina ka bërë gjithçka që i është kërkuar, përfshirë zbatimin e marrëveshjes për pronën e Manastirit të Deçanit”- theksoi Serwer duke shtuar se i jep të drejtë kryeministrit Albin Kurti që nuk pranon krijimin e Asociacionit si kusht për anëtarësim në KiE, me argumentin se nuk ka asnjë lidhje mes dy gjërave.

“Kurti ka absolutisht të drejtë se ky nuk është një kusht i duhur për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Por unë do të shkoja edhe më tej. Unë do të thosha se Asociacioni është diçka që duhet të arrihet vetëm kur Serbia të jetë e përgatitur të njohë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. E dini, evropianët tregojnë për shoqatat e shumta që tashmë ekzistojnë brenda BE-së, të cilat janë të krahasueshme me asociacionin e komunave me shumice serbe. Por, të gjitha ato shoqata ekzistojnë në vendet që e njohin njëri-tjetrin. Është shumë e qartë se çfarë po përpiqet të arrijë Beogradi me Asociacionin. Ata e thanë qartë, publikisht, se po përpiqen të mundësojnë një qeverisje të veçantë të popullatës serbe, të paktën në veri. Dhe ky është një objektiv që duhet të refuzohet nga komuniteti ndërkombëtar” – theksoi Serwer dhe sipas tij, Perëndimi po përpiqet të zbusë Serbinë dhe të vendosë kushte strikte ndaj Kosovës

 

Continue Reading
Advertisement

TRENDING