Kosova
Serbia kundërshton Barut Pahor si zëvendësues i Lajçakut
Sipas profesor, doktor Enver Bytyçit, zgjedhjet e reja në fillim të qershorit në Parlamentin Evropian, janë arsyeja e ndryshimeve edhe në ndërmjetësimin e bisedimeve Kosovë-Serbi.
“Duket se është konfirmuar tashmë se Miroslav Lajçak do të tërhiqet ose nuk do të jetë më interlokutor i këtyre bisedimeve. Ish-presidenti slloven, Barot Pahor, ka shfaqur tashmë hapur pretendimin e sipërmarrjes së këtij funksioni. Nëse ai do të jetë apo jo ndërmjetës në dialog, kjo është ende e panjohur. Do duhet një vendim i autoriteteve të Brukselit për këtë. Por dhe ky vendim nuk merret aq lehtësisht. Ne nuk e dimë nëse do arrihet ndonjë konsensus për këtë” – kështu është shprehur profesor Bytyçi, sipas të cilit, Serbia nuk do ta pranojë emërimin e Pahor si ndërmjetësues.
“Besoj se Beogradi nuk do ta pranojë dhe pranimi nga palët në bisedime është kushti themelor në mos për emërimin e Pahor në këtë post, së paku për suksesin e dialogut. Duke qenë se është koha e fundit që mund të bëhet dialog, BE do të synojë një personalitet politik dhe diplomatik me ndikim e shumë të aftë për ta emëruar në postin e ndërmjetësit në dialogun Kosovë-Serbi. Padyshim se një ish-president slloven, si Borut Pahor, është personalitet I rëndësishëm në këtë funksion, nëse emërohet. Ai është slloven dhe vjen nga një vend demokratik, ish-republikë e Federatës Jugosllave. Pahor e njeh konfliktin më mirë se shumica dërmuese e kandidaturave. Por më e rëndësishme se kjo është legjitimiteti. Legjitim është e do të jetë vetëm ai ndërmjetës që pranohet nga të dy palët në bisedime. Nuk jam i sigurt se Serbia do ta pranojë zotin Pahor. Serbia nuk e konsideron Slloveninë vend mik, madje as vend asnjanës. Pretendimi i Serbisë do të jetë se “Sllovenia e ka njohur shtetin e Kosovës dhe mban anën e saj”! Pra do ta konsiderojë të papërshtatshëm. Jo se zoti Pahor ka ndonjë histori ose eksperiencë anti-serbe, por se në Serbi nuk i besohet asnjë slloveni, dhe jo më një ish-presidenti slloven”, deklaroi Bytyçi.
Ai tha edhe se Lajçak erdhi në këtë post, sepse vinte nga një vend jo-njohës i shtetit të Kosovës dhe këtë kusht e kishte vënë Beogradi.
“Presidenti I Kosovës e pranoi këtë ndërmjetësim, pavarësisht ndonjë deklarate publike kundër, për të krijuar përshtypjen e njeriut që brengoset për fatin e Kosovës. Po të mos e kishte pranuar Hashim Thaçi, Miroslav Lajçak nuk do të caktohej emisar. Kështu do funksionojë sërishmi. Por ajo që dua të them me këtë rast ka të bëjë me pyetjen: – Ka më dialog midis Kosovës e Serbisë? Për çfarë dialogu bëhet fjalë, kur presidenti i Serbisë refuzon publikisht e njëkohësisht me shkrim marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit? Kur ai e ka bërë null atë marrëveshje? Ndërkohë që kryeministri i Kosovës ka bërë thirrje në mënyrë të vazhdueshme që të nënshkruajnë?”. “Nga ana tjetër Borrell dhe Lajçak na kanë gënjyer e vazhdojnë të na gënjejnë, duke thënë se “ekziston marrëveshja e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Madje ia kanë mbushur mendjen edhe disa shefave të shteteve dhe kryeministrave të Bashkimit Evropian. Iluzioni i të qenit të kësaj marrëveshjeje është I qëllimshëm dhe dashakeqës. Ndihmon jo dialogun, por përkundrazi rifillimin e një konflikti e madje lufte tjetër midis Kosovës dhe Serbisë”, shtoi Enver Bytyçi……….