Connect with us

Kosova

Ambicia e Spanjës do ta dobësojë pozicionin kundër Kosovës

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez – një nga kritikët më të zëshëm të ofensivës së Izraelit në Gaza – paralajmëroi javën e kaluar se do të lëvizë drejt njohjes së shtetësisë palestineze para korrikut, por qëndrimi i eksekutivit spanjoll rreth Palestinës pritet të dobësojë argumentin tradicional refuzues të politikës së jashtme të Spanjës rreth pavarësisë së Kosovës.

Alejandro Esteso Perez, njohës i zhvillimeve politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, konsideron se ambicia proaktive e qeverisë spanjolle për të njohur Palestinën bien ndesh me qëndrimin e ashpër të Spanjës ndaj Kosovës, duke qenë se Spanja vazhdon të jetë e mbyllur gati hermetikisht për çfarëdo bashkëpunimi.

Politologu dhe studiuesi spanjoll, Guillem Purlas, në një artikull të fundit të publikuar në gazetën spanjolle “El Independiente” mbi paralajmërimin e Spanjës për njohjen e shtetit të Palestinës, vlerëson se nëse Spanja avancon drejt njohjes së shtetit të Palestinës, duhet të avancojë edhe drejt njohjes së Kosovës – nuk ekziston asnjë logjikë tjetër pas pozicionit spanjoll.

Perez konsideron se Spanja mund të përdorë përkushtimin e vazhdueshëm ndaj Palestinës për të përshtatur pozicionin ndaj Kosovës, duke qenë se populli spanjoll përgjatë historisë ka mbështetur parimin e vetëvendosjes së popujve, por kjo nuk nënkupton që Kosova të medoemos shfrytëzojë realitetet e reja gjeopolitike në botë për të marrë njohjen nga Spanja.

Spanja nuk e njeh pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës për shkak të lëvizjeve secesioniste brenda territorit të vet. Logjika është shumë e thjeshtë – nëse Madridi pranon se Prishtina ka të drejtën e pavarësisë kombëtare, atëherë standardi i njejtë duhet të aplikohet edhe në rastin e Katalonjës dhe Baskisë – rajone që prej kohësh synojnë shkëputjen nga Spanja.

Por Franca e njeh Kosovën duke pasur Korsikën; Italia përballet gjithashtu me secesionizmin e Tirolit të Jugut, madje edhe Turqia e njohu Kosovën duke pasur secesionizmin kurd, ndërsa Mbretëria e Bashkuar duke pasur secesionizmin skocez”.

E pavarësisht këtyre modeleve në territorin evropian, shteti spanjoll vazhdimisht etiketon hapin unilateral të Kosovës si shkelje të së drejtës ndërkombëtare, ndonëse perëndimi kolektiv përsërit se njohja e Kosovës përbën një rast sui generis lidhur me normën e tërësisë territoriale dhe nuk mund të shihet si një precedent për ndonjë situatë tjetër në botën e sotme.

 

 

Advertisement