Connect with us

Kosova

Me GENJESHTRA, shteti serb nxiti urrejtje dhe histeri anti-shqiptare

Ish-ministri i punëve të jashtme i unionit Serbi-Mali i Zi, tashmë shkrimtar, Vuk Drashkoviç, ka thënë se bllokimi i Kosovës për t’u bërë pjesë e UNESCO-s nga ana e Serbisë është bërë duke u bazuar në urrejtje dhe në të pavërteta.

Në një shkrim autorial të botuar në të përditshmen e pavarur serbe “Danas”, ai ka thënë se Serbia ka arritur “dy fitore virtuale” në politikën e jashtme, siç është ndalimi i Kosovës në UNESCO-s dhe vetoja e Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për gjenocidin në Srebrenicë.

Megjithatë, sipas Drashkoviç, njëkohësisht të dyja këto janë humbje të mëdha për Serbinë.

“Sot Serbia nuk mund ta mbrojë trashëgiminë e saj në Kosovë, por kishat dhe manastiret serbe nuk mund të mbrohen as nga shqiptarët. Ky është thelbi i fushatës ‘fituese’ kundër pranimit të Kosovës në UNESCO? Pra, kush do të kujdeset për trashëgiminë serbe? Askush! Fushata e shtetit të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, e cila do ta kishte detyruar Kosovën të merrte mbi vete detyrime ndërkombëtare për të mbrojtur trashëgiminë fetare, historike dhe kulturore në territorin e saj, ishte luftënxitëse, e bazuar në urrejtje, të pavërteta dhe gjysmë të vërteta” –  ka thënë Drashkoviq në këtë shkrim autorial.

Ai ka përmendur edhe etiketimet që presidenti Vuçiç u bën shqiptarëve të Kosovës, të cilët, sipas tij, janë “të mallkuar”, por edhe ato të ministrit të jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, i cili thotë se “Kosova është si ISIS”.

Sipas Drashkoviç, këto deklarime, por edhe të tjera, se “shqiptarët duan të përvetësojnë, ti shpallin ‘vendet e shenjta serbe si shqiptare”, janë gënjeshtra të cilat “shërbejnë për të nxitur urrejtje dhe histeri antishqiptare”.

Sipas tij,  me trazirat e marsit të vitit 2004 në Kosovë, Serbia deshi të çonte mesazhin se “shqiptarët e Kosovës janë, si të thuash, gjenetikisht, ‘shkatërrues të shenjtëroreve serbe’ dhe të cilat ata nuk mund t’i mbrojnë”.

Megjithatë, ai tha se shumë shqiptarë janë pasardhës të këtyre manastireve që Serbia i konsideron të vetat.

“Kështu thuhet dhe shkruhet, pavarësisht se dhjetëra mijëra shqiptarë janë pasardhës të ‘vojvodëve të manastirit’, familjet dhe fiset fisnore të të cilëve, për më shumë se katër shekuj, mbrojtën kishat dhe manastiret serbe, madje humbën jetën në mbrojtje të tyre” – ka treguar Drashkoviç

Ndërkaq, duke folur në lidhje me rezolutën britanike në KS të OKB-së për gjenocidin serb në Srebrenicë, ai tha se vetoja e Rusisë ndaj saj “është një humbje, jo një fitore e madhe për Serbinë”.

“Duke kërkuar nga Rusia që me veton e saj ‘të mbrojë popullin serb nga vula e gjenocidit’, presidenti i Serbisë, deshi apo jo, e identifikoi gjithë popullin serb me autorët e krimit të madh në Srebrenicë”.

Si vetoja ruse e Srebrenicës, ashtu edhe votimi për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, Drashkoviç tha se e sollën Serbinë në konflikt me shumicën dërrmuese të anëtarëve të BE-së, me të gjitha vendet e fuqishme të Perëndimit dhe me të gjitha vendet në rrethinën e saj……..

Advertisement