Connect with us

Shkrime

Belbëzimi jargavitës i Mesias Aleksandër Vuçiç

Nga Boshko Jakshiç

I pushtuar nga zemërimi se nuk është në gjendje të pengojë hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës, presidenti Aleksander Vuçiç njoftoi “ndryshime të thella dhe thelbësore” në politikën e jashtme të Serbisë dhe drejtimi i kthesës lë të kuptohet për një largim të ri nga bota demokratike.
Pse presidenti hyn me kaq zemër në beteja diplomatike që dihet paraprakisht se janë të humbura, siç është edhe rasti me rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme për gjenocidin në Srebrenicë? Që ai të shpenzojë energji, është puna e tij, por përballja me botën që Serbia nominalisht aspiron është një zgjedhje e rrezikshme që kërcënon zhytjen edhe më thellë të Serbisë në izolim dhe kërcim drejt përqafimit me Nënën Rusi.
Unë mendoj se presidenti e di që zemërimi i shprehur publikisht është aleati më i keq në diplomaci, por ai nuk rri dot pa u marrë me armiqtë e këqij që ai si rregull i sheh në Perëndim. Egoja e tij e shfrenuar e shtyu atë të nxitonte drejt kryesueses të seancës së Këshillit të Sigurimit kushtuar diskutimit të punës gjashtëmujore të UNMIK-ut në Kosovë.
Vuçiç tha atje se nuk ka pasur asnjë marrëveshje paraprake sipas së cilës ai dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani kanë pasur nga tre minuta kohë për përgjigje. Maltezja Vanessa Fraser nuk e mbylli gojën me përulësi, gjë që pritej nga presidenti serb, i cili është mësuar që askush të mos guxojë të ndërpresë monologjet e tij të gjata në televizionin kombëtar në Serbi. Ajo ngriti zërin, përdori disa herë grushtin mbi tavolinë dhe e bëri të qartë se nuk do lejonte që zëvendësi i saj të paraqitej si gënjeshtar.

“Unë vetëm…” belbëzoi Vuçiç. “Faleminderit, zoti President, keni tre minuta kohë”, përfundoi Fraser episodin nga seanca ku Vuçiç “ka dhënë një mësim mbi dinjitetin njerëzor”, siç interpretohet nga besnikët e tij dhe ish “ish” Aleksandër Vulin gjithnjë e më i zëshëm, në pritje të riaktivizimit në qeveri me ndihmën e Moskës.
Vuçiçi, i cili thotë se nuk është profet, por vetëm dëgjon faktet, ka marrë një mësim të mirë.

Ne kemi qenë dëshmitarë të dy fiaskove diplomatike në një periudhë shumë të shkurtër kohe. Votimi i parë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, kur Kosova hapi derën e anëtarësimit të plotë në organizatën më të rëndësishme evropiane për promovimin e të drejtave të njeriut dhe zhvillimin e demokracisë. Vuçiç pret që të gjithë të tjerët të udhëhiqen nga emocionet që ai ka ndaj Rusisë. Nëse e duan Serbinë, do jenë me ne, edhe nëse kjo është kundër interesave të grekëve, maqedonasve të veriut apo malazezëve. Një verbëri e tillë kthehet shpejt në hakmarrje.

Debakli i dytë do të pasojë në maj në Kombet e Bashkuara, kur shumica e 193 anëtarëve pritet të mbështesin një rezolutë që shpall 11 korrikun si ditën ndërkombëtare të përkujtimit të gjenocidit të kryer nga forcat serbe të Bosnjës në vitin 1995 në Srebrenicë, kur 8000 të paarmatosur, burra dhe djem boshnjakë u vranë dhe 30,000 gra, fëmijë dhe të moshuar u dëbuan nga zona e atëhershme e mbrojtur e OKB-së.

Bota nuk e ka harruar Srebrenicën, por shumë në Serbi do ta fshinin gjenocidin nën qilim dhe do t’i thërrisnin liderit i cili, si pjesë e ekipit të Vojislav Sheshel, tërhoqi kufijtë rreth Kroacisë, kërcënoi se do të vriste njëqind boshnjakë për një serb të vrarë, pastaj u end mbi Sarajevë me një pistoletë 12.7 mm, teksa ishte ministër i Informacionit në kohën e Slobodan Milloshevicit dhe më vonë Bulevardin e Beogradit e emëroi me emrin e Ratko Mlladić.

Përsa i përket Vuçicit, rasti I Srebrenicës mund të jetë një “krim i tmerrshëm”, por jo gjenocid. Prandaj po shpalli luftë edhe në këtë front. Kundër çfarë? Kundër vendimit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, organ i sistemit të OKB-së, i cili pa mëdyshje konfirmoi se në Srebrenicë ndodhi gjenocidi?

Në Nju Jork, në një pritje për përfaqësuesit e misioneve të huaja në OKB, Vuçic u bëri thirrje anëtarëve që të mos votojnë për rezolutën për Srebrenicën.

Në Misionin e Serbisë në OKB është formuar një staf special që merret me rezolutën 24 orë në ditë. Ivica Daçic shpalli gjendjen e jashtëzakonshme diplomatike dhe ndaloi pushimet për punonjësit e ambasadave dhe konsullatave.

Kështu ishte edhe në fillim të prillit, kur u krijua një grup punues për të penguar hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës. Rezultati në Strasburg – zero. Kështu do të jetë edhe me rezolutën në Nju Jork. E pritshme, pasi gjithçka bazohet në premisa false.

Rezoluta nuk përmend askund Serbinë, Republikën Srpska apo popullin serb, por presidenti përsërit me këmbëngulje se qëllimi është të etiketojë serbët si komb gjenocidal, Republika Srpska si një krijim gjenocidal që duhet shfuqizuar dhe se Serbia duhet të paguajë reparacionet  e luftës. Ai gjithashtu thotë se rezoluta do të sjellë tensione të reja në rajon. Përhapje manipuluese e frikës. Teori konspirative që nuk ka bazë në të drejtën ndërkombëtare e cila shprehimisht thotë se nuk ka gjë të tillë si faji kolektiv.

“Askush nuk po e demonizon Republikën Srpska dhe nuk po flet për përgjegjësinë kolektive të Republikës Srpska apo popullit serb” – thuhet qartë në deklaratën e përbashkët të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë, Ambasadës së SHBA-së dhe Zyrës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunimi në Evropë në Bosnje Hercegovinë nga viti 2018.

Vuçic nuk është i gatshëm të pranojë që mohimi i gjenocidit i regjistruar në aktgjykimin e Gjykatës së Hagës dhe refuzimi i rezolutës së OKB-së e largojnë atë nga pajtimi dhe jo anasjelltas. Ai vazhdon të luftojë betejat që I promovoi vetë, por ka llogaritë e veta të hapura.

Ai do të paraqitet si një luftëtar i palëkundur dhe i patrembur për mbrojtjen e vendit por dhe duket si një gjemb nëpër këmbë për gjysmën e mirë të botës. Ai do të forcojë vlerësimin e tij midis atyre që i dëgjojnë fjalët e tij sikur të ishin thënë nga Papa i pagabueshëm i Romës. Ai do të bëjë gjithçka për të zgjeruar sundimin e tij.
Kushdo që mendon se Srebrenica, Kosova në Këshillin e Evropës apo marrëdhëniet e mira në rajon i interesojnë shumë, gabohet.

Emocionaliteti i tij i përzemërt është një funksion i pragmatizmit të ashpër. Vuçic e di se zemërimi hakmarrës nuk është kurrë një aleat i mirë në politikën e jashtme, por ai është gjithashtu i vetëdijshëm se sa fitimprurës mund të jetë ky zemërim për marketingun e tij personal. Ai do të vazhdojë ta shtyjë Serbinë në izolim sepse do ta ketë më të lehtë të arrijë misionin e tij mesian në tokë.

 

 

 

Advertisement