Politike
“Ne kena kenë popull çoban, jo popull fabrikash”/ Meta shpalos programin për bujqësinë
Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta, në një tryezë të organizuar për bujqësinë, u shpreh se me programin e PL për këtë sektor, synohet të goditet shpopullimi, të cilin e quajti një axhendë e qëllimshme e qeverisë. Ai tha se shtyllë e shpopullimit është braktisja e fshatit dhe bujqësisë e blegtorisë.
Meta tha se synimi i tij është që Shqipëria të mos jetë nën qeverisjen globale, por shqiptarët të qeverisen nga vullneti i tyre.
“Do ta vazhdoj me një figurë, një ikonë të klerit tonë, që nuk jeton më, padre Zef Pllumin, – tha Meta dhe shton: “Më thoshte gjithmonë: “Ne kena kenë popull çoban, nuk kena kenë popull fabrikash!” Dhe ne, në qoftë se nuk merremi me begtori dhe nuk merremi me bujqësi, po s’u morëm me këto, ne nuk jemi ata që jemi. Kështu që ne i japim, përmes programit tonë, një goditje dërrmuese në radhë të parë shpopullimit, i cili shtyllën kryesore të realizimit të tij e ka te braktisja e fshatit, te braktisja e bujqësisë, te braktisja e blegtorisë edhe te largimi i njerëzve, i detyruar. Sepse, jo vetëm është braktisur bujqësia, është braktisur blegtoria, është braktisur gjithçka, por janë hequr edhe të gjitha shërbimet e tjera nga Kolonja, nga Përmeti, nga Tropoja, nga Kukësi, që nga gjykatat, institucionet, etj etj. Pse?! Për ta bërë të bërë të papërballueshme koston e jetesës në ato zona, të paleverdishme në mënyrë që shqiptarët o të ikin jashtë, ose të vijnë këtu në Tiranë e të bëhen konsumatorë të ekonomisë së kullave.
Ndaj, ne do ta fillojmë që me ristrukturimin e buxhetit,” nënvizoi Ilir Meta.
Ai shton më tej se: “Rama ka bërë një zgjedhje, ideologjike e politike, ka zgjedhur që Shqipërinë e shqiptarët t’i vendosë nën qeverisjen globale. Ne mendojmë se duhet të qeverisen nga vullneti i tyre për të qenë krenar për atë që jemi e për të ruajtur Shqipërinë edhe për shekujt që vijnë sepse globalizmi është vdekjeprurës për popujt që nuk mbrojnë rrënjët e tyre.
Përmes programit tonë i japim një goditje shpopullimit, axhendës së qëllimshme të Rilindjes që ka falimentuar këtë sektor jetik për vendin.
Shtyllë e shpopullimit është braktisja e fshatit dhe bujqësisë e blegtorisë.
Që në vitin e parë buxheti do të jetë 30 mln, do të heqim zgjedhën tatimore.
Fondet e IPARD përfunduan tek inceneratori që tregon armiqësinë e theksuar të Rilindjes me bujqësinë.
Nuk mund të krenohet Qeveria me ca bujtina në Kolonjë, kur në Kolonjë “Rilindja” i ka dëbuar kolonjarët. Fermerët në Kolonjë, në Korçë dhe në mbarë vendin po hedhin produktet në kanal, po sharrojnë drurët frutore, po mbyllin fermat e po largohen nga Shqipëria për shkak të mos mbështetjes nga Qeveria që i ka braktisur bujqit dhe fermerët.
Të shkojmë tek çdo shqiptar që nuk do ta lërë vendin e tij apo të do të kthehet, u shpjegojmë në terren programin tonë për bujqësinë. Jemi një vend me potencial të jashtëzakonshëm në këtë drejtim”.