Kosova
Përplasja Osmani-Kurti: Përpjekje për të fajësuar njëri-tjetrin për dëmin që kanë shkaktuar
Përplasja e presidentes Vjosa Osmani, me krerët e tjerë institucionalë, posaçërisht me kryeministrin Albin Kurti, sipas njohësve të zhvillimeve politike po bëhet për të fajësuar njëri-tjetrin për dëmin që i kanë shkaktuar Kosovës – sidomos në rrafshin ndërkombëtar.
Të mërkurën – për herë të parë që nga koha kur kanë marrë në dorë udhëheqjen e shtetit – presidentja Osmani, kritikoi ashpër krerët e tre institucioneve më të rëndësishme, veçanërisht kryeministrin, kryediplomaten dhe kryekuvendarin, për letërzotimin të cilin e nisën në adresën e Këshillit të Evropës në përpjekje për të marrë mbështetjen e nevojshme për anëtarësim.
Për ish-Ministrin e Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, kjo përplasje e Osmanit me Kurtin, Konjufcën e Gërvallën është e vonuar, prandaj, në vlerësimin e tij, po bëhet për një qëllim të caktuar.
“Janë të kota përpjekjet për shfajësim apo mohim të përgjegjësisë institucionale për dështimet dhe dëmin e madh që i është bërë Kosovës gjatë kësaj periudhe aspak prosperuese” – deklaroi Collaku duke potencuar se deklaratat kontradiktore dhe përplasja publike e presidentes me qeverinë, “padyshim që shënon një pikë thyerje në trinomin Vjosa-Glauk-Albin”.
“Tani mbetet të presim që të vërtetohet nëse kjo përplasje do të kulmoj më ‘divorc’ politik ndërmjet Osmanit dhe Kurtit apo do të mbetet vetëm një sekuencë e improvizuese politike”, theksoi ish ministri. Pavarësisht këtyre polemikave publike të vonuara ndërmjet këtyre udhëheqësve institucional dhe politik, në prizmin e tij, “‘divorci’ eventual nuk do t’i sjellë asgjë të mirë Kosovës dhe institucioneve shtetërore”.
Ndërsa, sipas analistit politik, Fidan Ukaj, rruga e ndarjes në mes të Kurtit dhe Osmanit tanimë mund të quhet edhe ndarje zyrtare, “pasi që ky është një proces që vetëm sa do të thellohet dhe do çojë në ndarje përfundimtare” Ukaj mendon se “xhelozia” e Kurtit ndaj Osmanit kur ShBA e quajti këtë të fundit garantuese të raporteve me ta, “‘siç duket ka qënë shkaku i kësaj cfarë është shfaqur në opinionin publik, dhe ky është vetëm fillimi”.
Reagim për “përplasjen” publike në mes të Presidentes dhe Qeverisë ka pasur edhe nga deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi.
Presidentja, si përfaqësuese e unitetit të popullit, sipas deputetes Musliu-Shoshi, është dashur të shpërfaq të vërtetën e keq-qeverisjes shumë më herët pasi tashmë dëmi është bërë, por edhe e vërteta e dështimit po dihet qartë!
Por, zërat nga pushteti janë përpjekur që të mohojnë çfarëdo përçarje mes Kurtit e Osmanit. Njëri prej tyre ka qenë deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, i cili nuk beson të ketë përkeqësim të raporteve.
Ai theksoi se kryeministri ka respekt “maksimal” për institucionin e presidentit, duke shtuar se ka gjithmonë hapësirë për të diskutuar për “koordinim apo moskoordinim”.