Connect with us

Aktualitet

66% e të pyeturve kanë dhënë ryshfet/ Sondazhi: Korrupsioni, alarmues dhe në rritje

Një sondazh i zhvilluar nga “Monitor”, me 503 të anketuar, tregoi se korrupsioni ngelet një shqetësim madhor për publikun shqiptar dhe tendenca e këtij fenomeni vlerësohet në rritje të mëtejshme.

Më shumë se 90% e të anketuarve mendojnë se korrupsioni është një çështje shumë alarmuese në Shqipëri. 8.7% e të anketuarve mendojnë se korrupsioni është një çështje e rëndësishme, por jo alarmuese.

Vetëm një pjesë e papërfillshme e të anketuarve, rreth 0.4%, mendojnë se korrupsioni nuk është një çështje shumë e rëndësishme, ose është pothuajse inekzistent.

76.7% e të anketuarve mendojnë se korrupsioni është rritur shumë në pesë vitet e fundit, 15.9% e tyre mendojnë se niveli i korrupsionit ka ngelur i njëjtë, ndërsa vetëm 5.2% e tyre mendojnë se korrupsioni është reduktuar.

Në perceptimin e qytetarëve të anketuar, institucioni më i korruptuar në vend është qeverisja/administrata qendrore. 52.9% e perceptojnë qeverisjen qendrore si pjesën më të korruptuar të sistemit.

18.3% e të anketuarve mendojnë se institucionet më të korruptuara janë ato të pushtetit lokal, të ndjekura nga institucionet e pushtetit gjyqësor, me 7.2% dhe ato të shëndetësisë, me 6.8%. 2.2% e të anketuarve perceptojnë mediat si sektorin më të korruptuar në vend.

Mes përgjigjeve të tjera, dominon alternativa se të gjitha institucionet e pushtetit qendror dhe vendor janë të korruptuara, ndërsa me përqindje më të ulëta janë përmendur edhe Policia, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, etj.

Forma më e përhapur e paraqitjes së korrupsionit në Shqipëri, sipas të anketuarve, është “vjedhja, përvetësimi dhe keqpërdorimi i parave publike”, me 42.5% të përgjigjeve, e ndjekur nga “ryshfeti, pranimi i parave kundrejt një favori”, me 29.4% të tyre.

Forma të tjera të manifestimit të korrupsionit të përzgjedhura nga anketuesit janë klientelizmi, dhënia e favoreve ndaj pronës publike në këmbim të favoreve personale; vonesa e përgjigjeve në kërkesat zyrtare me qëllim marrjen e një “shpërblimi”; pastrimi i parave, duke lehtësuar legalizimin e fondeve të paligjshme; keqpërdorimi i burimeve natyrore/pronës publike; nepotizmi, punësimet farefisnore ose me orientim politik, etj.

“Për shkak të ambientit të përgjithshëm të korruptuar në administratë dhe sidomos formës klienteliste të ofrimit të shërbimeve, mbështetjes, pjesëmarrjes në projekte etj., sistemi nuk të lejon të zgjerohesh dhe dekurajohesh të jesh pjesë e gjithçkaje që lidhet me fondet publike dhe institucionet shtetërore, sepse je i destinuar të mos fitosh asnjë projekt, je vetëm numër për fasadë.

Një tjetër formë e korrupsionit, edhe po fitove, është moskryerja e pagesave në kohë, pasi ke bërë shërbimin; duhet t’i biesh mbrapa nëpër zyra që të harxhon kohë dhe energji (pra, kosto) pa garanci që i merr; shto këtu pamundësinë që ta kërkosh të drejtën në gjykatë për shkak të kostove shtesë që ka ky proces dhe që po ashtu nuk garanton drejtësi gjykimi.

Aq shumë është përhapur ndikimi dhe klientelizmi, ku me klientelizëm përfshihen edhe militantët e partisë, sa që tregu dhe hapësirat janë mbyllur edhe nga institucionet ndërkombëtare në thirrjen e projekteve që bëjnë”, – shprehet një e vetëpunësuar në Tiranë.

66% e të anketuarve kanë dhënë ryshfet

Pothuajse 66% e të anketuarve në sondazhin e “Monitor” shprehen se kanë dhënë të paktën një herë ryshfet.

Në 95.5% të rasteve, ryshfeti është dhënë në formën e parasë së gatshme, ndërsa në pjesën e mbetur, ryshfeti është dhënë në formën e favoreve/shërbimeve të tjera apo në formën e të mirave materiale.

“Perceptimi im për korrupsionin në Shqipëri është i tillë: duket sikur korrupsioni është në çdo individ, në shërbime publike, por edhe në private (p.sh. spitale, laboratorë, banka, shkolla). Më vjen keq të pohoj që jemi përgjithësisht shoqëri e korruptuar. Kërkojmë përfitime, të panevojshme, thjesht se është bërë “zakon”, shprehet drejtuesja e një biznesi të vogël të shërbimeve në Tiranë.

Sektori më i korruptuar, sipas përgjigjeve të të anketuarve, është shërbimi shëndetësor. 62% e personave që kanë paguar ryshfet, e kanë dhënë atë për shërbime mjekësore.

Shërbimi me nivelin e dytë më të lartë të korrupsionit, sipas sondazhit, është Kadastra. 14.6% të anketuarve janë përgjigjur se kanë dhënë ryshfet për marrjen e një dokumenti pronësie në hipotekë.

“Korrupsioni më i madh, më i prekshëm, ulëritës është në Drejtorinë e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Vlorë. Nuk njohin as ligje, as gjykata, as prokurori, asgjë. Provoni të rifreskoni kartelën e një toke dhe keni për ta parë”, – shprehet një subjekt i anketuar në sektorin e shërbimeve.

Vijon marrja e dokumenteve në administratën publike, ku shprehen se kanë dhënë ryshfet 8.2% e të anketuarve.

Vijojnë proceset gjyqësore, me 5% dhe procedimi policor apo hetimor, me 2.7% të përgjigjeve dhe marrje leje ndërtimi, me 1.8% të përgjigjeve.

Ndër rastet e tjera me më pak raste të dhënies së ryshfetit përfshihen shërbimet e tatimeve, doganave, Qendrës Kombëtare të Biznesit, marrja në punë, tenderët, etj.

“Jam profesionist i lirë, kontabilist i miratuar. Puna që kryej më detyron që të jem në kontakt dhe marrëdhënie të vazhdueshme me administratën tatimore shtetërore e lokale dhe QKB, në të cilat korrupsioni është aktualisht endemik dhe nuk mund të kryesh punë apo të marrësh shërbime, nëse nuk u nënshtrohesh akteve korruptive që praktikohen nga punonjësit e këtyre institucioneve.

Kjo mënyrë të punuari na penalizon shpesh në marrëdhënie me klientët tanë, pasi shumë prej tyre nuk e kuptojnë këtë lloj sjellje të administratës dhe ngrenë dyshime ndaj punës sonë të përditshme.

Kjo dëmton konkurrencën e lirë dhe favorizon informalitetin, që vetë administrata shtetërore e ushqen dhe mban gjallë”, – shprehet një kontabilist nga Tirana.

Reforma në Drejtësi ka filluar të japë rezultate

69% e të anketuarve mendojnë se në vitet e fundit nuk ka pasur ndonjë përparim në luftën ndaj korrupsionit, ndërsa 19.9% mendojnë se ka pasur disi përparim. Vetëm 3.8% e të anketuarve mendojnë se ka pasur përparim të dukshëm në luftën ndaj korrupsionit.

Megjithatë, në mënyrë specifike, për reformën në drejtësi, shumica e të anketuarve mendojnë se ajo ka filluar të japë efektet e saj në luftën ndaj korrupsionit, të paktën pjesërisht.

Pyetjes “A mendoni se Reforma në Drejtësi po lufton korrupsionin (ose ka filluar të japë rezultate kundër korrupsionit)?” 11.1% e të anketuarve i janë përgjigjur “Po”, ndërsa 44.3% e tyre e tyre kanë zgjedhur alternativën “Po, por jo shumë”.

Ndërkohë, 38.4% e të anketuarve mendojnë se Reforma në Drejtësi nuk po e lufton ose nuk ka filluar të japë rezultate kundër korrupsionit.

“Unë jam avokat dhe korrupsionin e ndiej në sistemin gjyqësor. Në vlerësimin tim, është shumë e rrallë të realizosh të drejtat e klientëve, edhe pse ata kanë të drejtë, pa ndikim të paligjshëm dhe pa korrupsion.

Duke qenë se ende nuk jam bërë pjesë e këtij llumi e kam të vështirë t’i mbijetoj tregut, sepse nuk vlerësohet shërbimi apo profesionalizmi apo edhe e drejta, por në 90% të rasteve, sa paguan dhe kush paguan”, – thotë një avokat nga Durrësi.

72% të bizneseve u është kërkuar ryshfet në 12 muajt e fundit

33.6% e pjesëmarrësve në sondazh (169 subjekte) ishin biznese ose të vetëpunësuar.

Pjesa më e madhe e bizneseve të anketuara kishin aktivitet në sektorin e shërbimeve, me 60.9% të totalit, e ndjekur nga tregtia, me 14.2%, sektori i hotelerisë dhe bar-restoranteve, me 7.7%, transporti, informacioni dhe komunikimi me 6.5%, industria përpunuese, me 5.3%, ndërtimi, me 3.6%, etj.

71.6% e bizneseve janë përgjigjur se u është kërkuar të paktën një herë të japin ryshfet në 12 muajt e fundit, ndërsa vetëm 28.4% e bizneseve shprehen se nuk u është kërkuar një gjë e tillë.

“Korrupsioni shkatërron industri të tëra. Në industrinë ushqimore, sektorë të tërë funksionojnë në ilegalitet dhe mungesë fiskale për shkak të korruptimit të drejtorëve dhe specialistëve të institucioneve shtetërore”, – shprehet drejtuesi i një kompanie të industrisë përpunuese.

Në 43% të rasteve, ryshfeti ka pasur një vlerë në intervalin 10-20% të shërbimit apo të kontratës së marrë, në 19.8% të rasteve në intervalin 20-30%, në 18.2% të rasteve, mbi 30% të vlerës së shërbimit apo kontratës dhe në 17.4% të rasteve, më pak se 10%.

“Në një pjesë të angazhimeve për shërbimet e dhëna në entitete shtetërore më është kërkuar 40 – 60% e vlerës së shërbimit si ryshfet për të më përfshirë në shërbim (firmosur kontratën e shërbimit).

Kjo është bërë nga një zyrtare e lartë drejtuese në shoqëri aksionere sh.a. të mëdha. Strategjia e marrjes së punëve nga shteti, për sa u përket shërbimeve ka kosto të konsiderueshme ryshfeti”, – shprehet një sipërmarrës në anketim.

“Për t’u regjistruar si biznes jo vetëm kam duruar një sorollatje prej tre muajsh nga sistemet online të QKB-së, por më është dashur që të paguaj para për të mos humbur afatet ligjore të dokumentacionit, ku do detyrohesha t’i noterizoja dhe një herë dhe të merrja vulat apostile përsëri dhe të gjithë dokumentacionin nga Dhoma e Tregtisë.

Tani kam 3 muaj që pres të marr licencën, edhe pse dokumentacioni është i saktë. Deri tani, kam 6 muaj që paguaj qira jo të vogël dhe sigurime dhe taksa pa mundur të ushtroj as edhe një ditë aktivitet.

Është përfundimisht një situatë e tmerrshme!” – shprehet një profesioniste e shërbimeve nga Durrësi.

Në 38.7% të rasteve kur është dhënë ryshfet, është dhënë për shërbime tatimore, e ndjekur nga entet prokuruese publike (shërbime tenderësh) me 22.2%, për leje ndërtimi, me 18% të rasteve dhe për shërbime doganore, në 14.7%.

“Punonjësit në administratë i referojnë qytetarët për shërbimet e nevojshme në zyrat e tyre private, ose aty ku marrin shpërblim”, shprehet drejtuesi i një biznesi të vogël në Durrës.

Shërbimet apo institucionet e tjera ku bizneset deklarojnë se kanë dhënë ryshfet përfshijnë inspektoratet, ente licencuese, zyrat e regjistrimit të pasurive, bashkitë, etj.

“Rasti më flagrant është në shpërndarjen e granteve për startup-et, të cilat i fitojnë 100 persona, të cilët fusin të njëjtat projekte”, – shprehet një sipërmarrës i ri në sektorin e transportit, informacionit dhe komunikimit nga Tirana.

“Korrupsioni po vret nismën e lirë”

Sipas bizneseve, arsyeja kryesore që i shtyn drejt korrupsionit është nevoja për të përshpejtuar procedurat burokratike, në 39.1% të rasteve, shmangia e ndëshkimeve, gjobave, taksave, me 35.5% të përgjigjeve, aksesi në shërbime të veçanta në 8.3% të rasteve, aksesi në pronë publike me çmime më të ulëta se ato të tregut, në 5.3% të rasteve, etj.

Përgjigjet e tjera përfshijnë nevojën për të marrë shërbimin që subjektit i takon me ligj, sigurimi i mbijetesës apo vazhdimësisë në biznes, etj.

“Inspektorët ose bëjnë sikur nuk i dinë ligjet, ose i interpretojnë edhe kur nuk janë juristë. Ligjet gjithashtu janë të vjetër, me shumë VKM që bien ndesh me njëri-tjetrin. Hapësirat që lënë janë të mëdha.

Këta inspektorë, kur shkojnë te bizneset e mëdha, mbyllin sytë dhe te të vegjlit kontrollet bëhen aq të shpeshta, sa detyrohesh të japësh ryshfet për të mos humbur ditën e punës dhe për të larguar kërcënimin e gjobës dhe interpretimin e ligjit.

Gjobat e rritura dhe me fushata këtë bëjnë”, shprehet një sipërmarrës në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor në Tiranë.

“Korrupsioni prish rregullat e lojës e për rrjedhojë, klimën e biznesit. Shanset e barabarta janë vetëm propagandë, ndërkohë në praktikë, pabarazia në mundësitë për të bërë biznes është e dukshme”, shprehet një i vetëpunësuar në sektorin e shërbimeve në Elbasan.

Pothuajse 80% e bizneseve janë përgjigjur se korrupsioni është pengesë për investimet e tyre, ndërsa më pak se 12% e tyre mendojnë se korrupsioni nuk është pengesë për të investuar.

“Si pasojë e korrupsionit në Fondin Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH) janë mbyllur gjithë iniciativat private, ashtu si dhe e imja. Unë jam projektues në ndërtim dhe mbikëqyrës punimesh.

Sistemi i mbyllur që ka bërë FSHZH, ku vetë siguron fonde, vetë projekton, vetë tenderon, vetë zbaton dhe vetë mbyll gjithë punët me supervizorë, është kthyer në një mekanizëm ku askush nga tregu privat nuk mund të hyjë.

Këtë ka bërë korrupsioni: ka krijuar kudo monopole dhe ka vrarë iniciativën e lirë në çdo sektor”, – shprehet një profesionist në sektorin e shërbimeve profesionale nga Tirana.

“Të korruptuarit të paguajnë për dëmin e bërë”

Një nga pyetjet e shtruara në sondazh ishte se cila është masa më efektive për të bërë të përgjegjshme administratën publike ndaj fenomenit të korrupsionit.

39.3% e të anketuarve mendojnë se skenari që do të mundësonte një ulje më të shpejtë të korrupsionit në Shqipëri do të ishte rotacioni politik, i ndjekur nga përmirësimi i administratës në aspektin e performancës ndaj korrupsionit pa një ndryshim në kreun e Qeverisë dhe të mazhorances qeverisëse, me 22% të përgjigjeve dhe “një ndryshim të personave në nivelin më të lartë të Qeverisë, pa një ndryshim në mazhorancën qeverisëse”, me 11.9% të përgjigjeve.

Shumica e të anketuarve, 56.9% e tyre, mendojnë se masa më efektive për të bërë të përgjegjshme administratën publike ndaj korrupsionit do të ishte vendosja në vendim e detyrimit për të dëmshpërblyer publikun për dëmin e bërë. 25.4% e të anketuarve mendojnë se masa më efektive do të ishte ashpërsimi i dënimeve për këto vepra penale.

Një pjesë e votuesve mendojnë se aplikimi i të dyja masave të mësipërme do të ishte efikase, ndërsa masa të tjera të sugjeruara janë privatizimi sa më i gjerë i shërbimeve, rritja e cilësisë së arsimimit, meritokracia, transparenca më e madhe, vullneti më i fortë politik i qeverisë, etj.

Metodologjia

Sondazhi u zhvillua në faqen e internetit të “Monitor” dhe kanalet e saj të medias sociale gjatë muajit maj. Anketa e sondazhit u plotësua gjithsej nga 503 subjekte të anketuar.

66.4% e të anketuarve ishin individë, pa angazhim në biznes, ndërsa 33.6% ishin subjekte biznesi ose të vetëpunësuar.

66.6% e të anketuarve ishin meshkuj, ndërsa 33.4% ishin femra. 77.5% të anketuarve deklaruan se banojnë në Tiranë, 6.4% në Durrës, 3.2% në Shkodër, 3% në Korçë dhe Elbasan, etj.

Grupmosha kryesore e pjesëmarrësve në sondazh ishte 40-49 vjeç, me 34.1% të pjesëmarrësve, e ndjekur nga 30-39 vjeç, me 32.3%, 50-59 vjeç, me 15.6% dhe 20-29 vjeç, me 13.4%./ Monitor.al

Advertisement