Bota
“As mos pëshpërit në gjuhën tënde”, rregulla të rrepta në Rusi për emigrantët
Një agjenci ruse po shtyn përpara rregulla të reja të sjelljes për migrantët e Azisë Qendrore. Rregullat kufizojnë ashpër përdorimin e gjuhës së tyre amtare dhe i paralajmërojnë ata kundër faljes në publik dhe sakrifikimit të kafshëve për qëllime fetare. Ato u prezantohen migrantëve përmes një kursi 70-minutësh, të krijuar nga Agjencia Federale e Çështjeve Etnike e Rusisë (FAEA), në seminare që organizohen në pjesë të caktuara të këtij vendi.
Mes tjerash, kursi u bën me dije se duhet të kenë njohuri të detyrueshme të gjuhës ruse dhe ligjeve të migracionit, dhe të mos përdorin gjuhën e tyre amtare kur flasin për rusët. Nga kursi, ata gjithashtu marrin vesh se nuk duhet “as të pëshpëritin” në publik në gjuhën e tyre amtare, raportoi gazeta Kommersant.
Për më tepër, praktika e zakonshme e Azisë Qendrore për t’iu drejtuar njerëzve si “vëlla” ose “motër”, thuhet se është e papranueshme kur ata u referohen rusëve. Përveç kufizimeve në gjuhë dhe në sjellje, ka edhe kufizime fetare, përfshirë ndalimin e therjes së kafshëve në publik. Kursi, i cili përfshin 11 video të animuara me një personazh të quajtur Timur, ka edhe një mësim historie, sipas të cilit “zhvillimi i Azisë Qendrore është financuar në mënyrë të konsiderueshme nga buxheti i Bashkimit Sovjetik”.
Kursi, gjithashtu, supozohet se u tregon migrantëve për mundësinë e “marrjes së shtetësisë ruse në mënyrë të thjeshtuar”: duke shërbyer në ushtrinë ruse. Ai përfshin edhe paralajmërime kundër bashkimit me ekstremistë ose persona të përfshirë në aktivitete terroriste. Rregullat e tilla të sjelljes nuk janë bërë ende ligj, por disa analistë i thanë gazetës Kommersant se ky “kurs i përshtatjes” mund të bëhet i detyrueshëm për të gjithë migrantët që kërkojnë qëndrim afatgjatë, punësim dhe shtetësi në Rusi. Stanislav Bedkin, nënkryetar i Agjencisë Federale të Çështjeve Etnike të Rusisë, tha se kursi është testuar me sukses në katër rajone ruse, përfshirë Moskën. Pas disa përmirësimeve, ai tha se kursi i përditësuar është dërguar në të gjitha rajonet e vendit.
Shumë migrantë kirgizë në Rusi mësuan për këto rregulla vetëm nga raportet e lajmeve në internet. Asan, një punëtor kirgiz që jeton tash e shtatë vjet në Rusi, thotë se po mendon për t’u kthyer në Kirgizi ose për të bërë përpjekje për të shkuar në Shtetet e Bashkuara, për shkak të shqetësimit të tij për rregullat e reja të raportuara. “Ligjet këtu po ndryshojnë çdo ditë. Le të shohim se çfarë do të ndodhë… Ende nuk mund të na gjobisin nëse flasim në gjuhën kirgize”, i tha ai Shërbimit kirgiz të Radios Evropa e Lirë.
Migranti tjetër kirgiz, Maksat, mendon se rregullat e reja do ta rrisin korrupsionin në mesin e policëve rusë. “Ata do të fitojnë para nga migrantët për diçka që nuk ekziston”, thotë ai. “Do të rritet korrupsioni [në mesin e zyrtarëve të zbatimit të ligjit]. Migrantët do të vuajnë si zakonisht. Ne do të heshtim sikur të jemi në një regjim totalitar”, shton Maksati. Kommersant raportoi se kursi aplikohet tashmë në së paku pesë rajone: Kaliningrad, Moskë, Perm, Jakutia dhe Krasnodar.
Një përfaqësues nga Ministria kirgize e Migrantëve në Rusi i tha Radios Evropa e Lirë se “rregullat e reja për sjelljen e migrantëve janë vetëm një propozim” dhe se i gjithë kursi, aktualisht, është duke u studiuar nga zyrtarët në Kirgizi. Avokati kirgiz, Erlanbek Toktosunov, i cili punon në Rusi, thotë se pajtohet me kërkesën që migrantët t’i njohin ligjet ruse. Por, sipas tij, shumica e migrantëve nga Azia Qendrore, që kërkojnë punë në Rusi, vijnë nga rajonet rurale dhe nuk flasin rusisht.
“Njerëzit e zakonshëm nga rajonet rurale të Azisë Qendrore shkojnë [në Rusi] për të siguruar jetesën, por shumica e tyre nuk flasin mirë rusisht dhe ata, thjesht, punojnë si pastrues të rrugëve ose në ndërtim”, thotë Toktosunov për Radion Evropa e Lirë. Sipas Ministrisë së Brendshme ruse, rreth 10.5 milionë migrantë – kryesisht nga Uzbekistani, Taxhikistani dhe Kirgizia – punojnë në Rusi.
Azia Qendrore, prej vitesh, është burim kryesor i fuqisë së lirë punëtore për Rusinë. Ajo i plotëson shumë boshllëqe të saj, që janë krijuar për shkak të nevojave të ushtrisë ruse, pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022. Ndërsa zyrtarët e lartë rusë janë të vetëdijshëm për deficitin e fuqisë punëtore në vend dhe ndikimin e tij negativ në ekonomi, disa rajone janë duke vënë kufizime në punësimin e migrantëve.
Rreth 18 rajone kanë miratuar ose janë në proces të miratimit të ligjeve që ndalojnë punësimin e migrantëve si shoferë taksie, si shitës të alkoolit dhe duhanit, si punonjës në shërbimet financiare e të tjera. Shumë prej këtyre kufizimeve janë ndërmarrë pas sulmit terrorist në një sallë koncertesh pranë Moskës, në muajin mars. Në atë sulm kanë mbetur të vrarë 145 njerëz. Ndjenjat antimigrante në Rusi janë rritur pas këtij sulmi, duke bërë që vende si Taxhikistani dhe Kirgizia t’i paralajmërojnë qytetarët e tyre kundër udhëtimit në Rusi.
Po ashtu, shumë migrantë janë mbajtur në paraburgim pas mbërritjes në Rusi dhe shumë prej tyre u është refuzuar hyrja – pavarësisht se kanë pasur dokumente të vlefshme – dhe janë kthyer në vendet e tyre të origjinës. Por, edhe para sulmit terrorist, migrantët kanë qenë shpesh cak i diskriminimit në Rusi. Çdo vit, autoritetet ruse kryejnë fushata të mëdha kundër migrantëve, të cilat përfshijnë bastisje gjithëpërfshirëse në xhami, në biznese që punësojnë qytetarë nga Azia Qendrore dhe në vende ku mblidhen migrantët.
Pavarësisht vështirësive të tilla, shumë qytetarë nga Azia Qendrore nuk kanë zgjidhje tjetër, veçse të vazhdojnë të punojnë në Rusi. Taxhikistani dhe Kirgizia janë ndër vendet më të varfra në Azinë Qendrore dhe remitancat nga qytetarët e tyre, që punojnë në Rusi, përbëjnë gati gjysmën e prodhimit të brendshëm bruto të këtyre vendeve.