Kosova
Dilema e Hamletit rri varur mbi urën e Ibrit, flet eksperti amerikan
Të hapet apo mos të hapet Ura e Ibrit. Kjo është çështja e radhës që po shkakton kundërshtime mes Kosovës dhe ndërkombëtarëve, teksa vetem pak ditë më pare, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka thënë se arsyeja pse ata kundërshtojnë është se besojnë se ka rrezik të madh si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë, të cilët po punojnë për të ofruar paqe dhe siguri në Kosovë.
Eksperti amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alon Ben Meir, duke folur rreth hapjes së urës dhe kundërshtimeve për apo kundër, tha se problemi në lidhje me hapjen e urës tejkalon logjikën dhe arsyen.
“Më lejoni fillimisht të theksoj hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duke cituar kryeministrin Kurti, deklarata e të cilit në Facebook ka kuptim real në kontekstin e asaj që është logjike dhe e arsyeshme. Ai tha, “Ftoj bashkëqytetarët tanë të komunitetit serb të marrin pjesë në këtë diskutim të përbashkët në të cilin do të mund të informohen për përfitimet e hapjes së urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre, të cilat do të adresohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit. Ura e Mitrovicës mbi Ibër na ka mbajtur në distancë për një kohë të gjatë. Asaj i është vënë padrejtësisht epiteti i ndarjes, por urat jane bere per te bashkuar. Tani së bashku, le ta bëjmë atë një simbol të normalizimit” – “Problemi, megjithatë, në lidhje me hapjen e urës tejkalon logjikën dhe arsyen, sepse hapja e urës duhet të konsiderohet në kontekstin e asaj që është rënë dakord në të kaluarën dhe ku janë gjërat sot. BE-ja ka qenë shumë e qartë për këtë çështje të veçantë, e cila është bërë edhe më e mprehtë duke pasur parasysh mungesën e progresit në negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Vendet e QUINT – të cilat përfshijnë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën dhe Italinë – deklaruan më 2 gusht se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment sepse çdo vendim, sipas misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, duhet të bëhet në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” – deklaroi Ben Meir, duke theksuar se rihapja e urës pa marrëveshje krijon çarje dhe përçarje më të mëdha.