Connect with us

Aktualitet

Fundjava rikthen magjinë. “ll Calcio” zbret në Tring Sport.

Nga e shtuna e 17 gushtit, në orën 18:30, me Interin kampion në fuqi që sfidon Xhenoan, Serie A ngre siparin e një sezoni që premton të jetë spektakolar.

Pas një merkatoje të çmendur, blerjeve multimilionere, transferimeve të shumpërfolura, kryefjalë e botës sportive gjatë gjithë sezonit veror, tani gjithçka duket se është gati. Në arenat legjendare do të zbresin ekipet e zemrës dhe do të sjellin sërish fundjavat elektrizuese për tifozerinë e zjarrtë të klubeve ikonike italiane.

Inter, Milan, Juventus, mitikët e futbollit tringjyrësh, por edhe Roma, Lazio, Napoli, Atalanta, Fiorentina, e shumë skuadra të tjera luftarake, janë gati të nisin përballjet mes tyre, për yllin e dytë në fanellë, për rikthimin te lavdia e kahershme, për konfirmimin si skuadra më elitare e momentit, për një vend në zonën evropiane, apo për një ëndërr të bërë realitet që duhet mbrojtur me çdo kusht. E gjithë kjo betejë që nuk njeh armëpushim nis këtë fundjavë dhe do të thotë emocione, shumë emocione, nga ato që i njohin mirë tifozët e vërtetë, tifozët që i ka vetëm Serie A.

Por, bashkë do të thotë më shumë, ndaj, nga ky sezon, kampionatit italian i janë bashkuar edhe emocionet e Coppa Italia, turneut prestigjioz të klubeve më të mira italiane, dhe në vijim edhe ato të Supercoppa, për më shumë ndeshje, më shumë derbi, më shumë kampionë, më shumë pasion dhe për një kapitull krejtësisht të ri dhe ekskskluziv.

Sezoni 2024-2025, i 123-ti në historinë e Serie A, duket se do të jetë një prej më emocionuesve të viteve të fundit, me skuadra të gatshme të sfidohen në luftën për titull e lojtarë të talentuar, mes të cilëve edhe yjet e kombëtares shqiptare, të gatshëm të dhurojnë spektakël në fushën e blertë.

Për tifozët që nuk duan të humbasin as edhe një gol, i gjithë futbolli italian, në formën e tij më të përsosur, për të paktën pesë sezone radhazi deri në 2029, do të jetë ekskluzivitet absolut i Tring për territorin shqiptar dhe nuk do të mund të ndiqet askund tjetër veçse në kanalet e Tring Sport, platformës më të madhe sportive në vend.

 

Advertisement