Connect with us

Shkrime

Kurti, Vuçiç dhe Dodik në kërkim të Pushtetit të Fshehtë

Nga Baton Haxhiu

Nuk është as lajm i mirë, as lavdërim, nëse kryeministrin e takon shefi i CIA-s, kur institucionet demokratike kanë të deleguar ambasadorin amerikan në Prishtinë.

Ndaj, më erdhi keq se sa pavetëdijshëm u trajtua publikisht kjo vizitë e William J. Burns.

Pyetja është: pse shefi i CIA-s vendos të takojë liderët e Bosnjës, Serbisë dhe të Kosovës.

Është qesharake se si nuk kuptohet që vizita e Burns nuk përbën shenjë të mirë për Demokracinë institucionale.

Ai është vetëm një njeri që udhëheq një institucion të dal nga e njëjta Demokraci.

Po pse e shohin zotin ne trupin e tij?

Sepse disa liderë në Ballkan ende preferojnë biseda të fshehta dhe manovra të errëta për të forcuar pushtetin e tyre.

Aleksandar Vuçiç, Milorad Dodik dhe Albin Kurti, këta vëllezër politik, përpiqen të navigojnë mes dyerve të mbyllura të shërbimeve të inteligjencës, duke kërkuar marrëveshje të fshehta në vend të negociatave të hapura dhe institucionale.

Të rrethuar nga ambicie dhe paranojë, duket se ata besojnë që fuqia reale nuk qëndron tek institucionet tjera demokratike.

Këta liderë, përshkruhen nga skeptikët si njerëz me ambicie të padeklaruara për pushtet absolut dhe kontrolle në hije. Ata janë produkt dhe aktorë të një mjedisi ku politika e jashtme nuk bëhet vetëm përmes institucioneve, por edhe përmes lojërave të inteligjencës dhe marrëveshjeve sekrete.

Pikërisht në këtë sfond të mbushur me paranojë dhe teori-ra, vjen vizita e drejtorit të CIA-s, William J. Burns, i cili përshëndeti Albin Kurtin në një takim të pazakontë me dorën në xhep – një gjest që bie në sy për informalitet dhe që për shumë mund të jetë një simbol i një mosrespekti të fshehtë ndaj liderit të Kosovës, duke e vendosur atë në të njëjtën kategori me udhëheqës të tjerë rajonalë që veprojnë sipas agjendave të tyre sekrete.

Vizita e drejtorit të CIA-s në Ballkan tregon qartazi se këto vizita janë fokusuar në qendra ku rreziku i destabilizimit dhe ndikimi rus është më i fortë.

Në këtë kontekst, vizita e drejtorit të CIA-s në Serbi, Bosnjë dhe Kosovë mund të interpretohet si një përpjekje për të menaxhuar pikat e nxehta në Ballkan, ku ndikimi i Rusisë dhe tendencat autokratike janë më të fuqishme.

Nuk është aspak lajm i mirë që shefi i CIA-s përzgjedh liderë për të biseduar dhe Kurtin tonë e fut në thes me Dodikun. Lajm i keq për demokracinë në Kosovë dhe për një lider qe ka kohë që s’kupton të vërtetën për jetën e tij politike.

Advertisement