Kosova
Heshtja europiane ndaj Vuçiçit, vuloset me noter/ Roli i Litiumi dhe “Rafale” në mbylljen e gojës
Për njohësit e zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, forcimi i marrëdhënieve politike, ekonomike e ushtarake midis Serbisë dhe vendeve kryesore evropiane, Gjermanise dhe Frances, mund të ndryshojë ndjeshëm dinamikën rajonale, posaçërisht në kontekstin e rrjedhës së tensionuar në marrëdhëniet Kosovë-Serbi.
Ata vlerësojnë se partneriteti ndërmjet Serbisë dhe BE-së për litiumin, dhe kontrata multimiliardëshe për blerjen e avionëve luftarakë Rafale nga Franca – do t’i ofrojnë presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, një mburojë kundër çfarëdo kritike apo presioni rreth politikës destruktive ndaj Kosovës e autoritarizmit në rritje në Serbi.
Toby Vogel nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit u shpreh se marrëveshjet e fundit do të vulosin heshtjen e BE-së ndaj veprimeve të ardhshme të Serbisë.
Në vështrimin e Vogel, shpenzimi i miliardave për blerjen e avionëve të sofistikuar nga Franca shërben jo vetëm si një investim strategjik ushtarak, por ai i ofron presidentit serb një platformë të volitshme për të blerë një “policë sigurimi” kundër “problemeve të mundshme” në të ardhmen.
Në peizazhin aktual politik, shumë të tjerë kanë konsideruar se BE-ja është duke e ‘toleruar’ presidentin serb për ta larguar nga boshti Moskë-Pekin, ndërsa Kosova dhe vendet e Ballkanit Perëndimor janë duke u lënë në harresë, kryesisht për shkak të rëndësisë ekonomike-tregtare të Serbisë.
Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, aktualisht profesor i çështjeve të sigurisë, deklaron se forcimi i bashkëpunimit midis Serbisë dhe Gjermanisë e Francës mund të jetë pozitiv ose negativ për Kosovën, varësisht zhvillimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve dhe kursit të vendeve respektive.
Për zëvendësdrejtorin e Iniciativës Evropiane për Stabilitet (ESI), Kristof Bender, problemi nuk qëndron në marrëveshjet midis Serbisë dhe dy shteteve kryesore të BE-së, por problemi është kryesisht mungesa e një strategjie konsistente franko-gjermane për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës e Serbisë, por edhe për integrimin evropian të Ballkanin Perëndimor.
Vogel dhe Bender sugjerojnë se “politika e njëanshme” e liderëve evropianë, të cilën në mënyrë disproporcionale e kanë zhvendosur Kosovën në qendër të kritikave, nuk ka gjasa të ndryshojë as nën lidershipin e ri të BE-së, ndërsa theksuan edhe faktin se pavarësisht sulmit të armatosur të vitit të kaluar në pjesën veriore të Kosovës, nuk ka pasur asnjë pasojë për Serbinë. Kurse Shea nga ana tjetër udhëzoi Kosovën të rrisë koordinimin me partnerët e saj perëndimorë për t’i çuar përpara interesat e veta