Connect with us

Kosova

Kosova kërkon pyetësorin e anëtarësimit mes porosive të përsëritura të BE-së

Kosova ka intensifikuar thirrjet drejt Bashkimit Evropian (BE) për të përshpejtuar procesin e shqyrtimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar të shtunën se angazhimi i vendit për zhvillim, demokraci dhe integrim duhet të shpërblehet me sigurimin e statusit të vendit kandidat në BE.

E rëndësinë e pranimit të pyetësorit nga Komisioni Evropian (KE), i cili është hapi i parë në rrugën e gjatë drejt anëtarësimit, kryeministri Kurti e ka theksuar pas takimit me presidenten e KE-së, Ursula Von der Leyen, nga e cila ka kërkuar edhe heqjen e masave ndëshkuese të vendosura kundër Kosovës më shumë se një vit më parë.

Kosova ka dorëzuar dokumentacionin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por blloku 27-shtetesh nuk e ka shqyrtuar akoma. Dhe arsye për këtë janë kryesisht tensionet e vazhdueshme në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Që prej kohës kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, presidenca e Këshillit të BE-së është ndarë mes pesë shteteve anëtare: Çekisë, Suedisë, Spanjës, Belgjikës dhe Hungarisë. E para e ka pranuar aplikimin, por asnjë tjetër nuk e ka shqyrtuar deri tani.

Këshilli i BE-së duhet të shqyrtojë aplikimin e një vendi dhe t’i japë mandat KE-së për të analizuar nëse ai vend përmbush apo jo kushtet për të fituar statusin e kandidatit. Pra, pyetësori është një instrument formal përmes të cilit vlerësohet gatishmëria e një vendi për të ecur përpara, përkatësisht për të pranuar statusin e vendit kandidat.

Në procesin e zgjerimit ndodhen dhjetë vende, nëntë prej të cilave kanë statusin e vendit kandidat. Kosova vazhdon të mbetet shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk nuk e ka fituar statusin e kandidatit, ndërsa sanksionet e vendosura nga BE-ja vitin e kaluar, për të parën herë qysh nga shpallja e pavarësisë, nuk mund të injorohen.

Advertisement