Shkrime
Poshtë karriges së Albin Kurtit dëgjohen britmat e Europës
Çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është ndër temat e pakta, për të cilën flitet gati çdo javë dhe që secilën herë bëhet lajm. Të gjithë kanë qëndrime për të dhe e komentojnë. Për të janë arritur marrëveshje e janë përpiluar propozime. Por, zgjidhja përfundimtare nuk është arritur kurrë.
Asociacioni u riaktualizua më 29 tetor, kur shefi i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, tha para mediave se, si kryeministër i një republike demokratike, nuk mund të formojë asociacione të komunave.
Toby Vogel nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Bruksel i tha Radios Evropa e Lirë se deklarata e kryeministrit të Kosovës është e pasinqertë. Sipas tij, “i ka takuar gjithmonë Prishtinës t’i krijojë kushtet për formimin e Asociacionit, por gjithmonë sipas një konteksti të caktuar”.
“Kosova vazhdon të jenë nën masa të Bashkimit Evropian, derisa Serbia nuk është përballur me asnjë pasojë për Banjskën, apo për refuzim të Marrëveshjes së Ohrit. Pse, atëherë, Kurti do ta ndryshonte pozitën e tij në këtë situatë? Nuk ekziston ndonjë përfitim zgjedhor apo diplomatik për të, nëse pranon ta formojë Asociacionin” – deklaroiVogel I cili gjithashtu paralajmëroi për presion të shtuar ndaj Qeverisë qe do te dale nga zgjedhjet e 9 shkurti te ardhem. Sipas tij, nëse Kurti i fiton zgjedhjet, “nuk do të mundet pafundësisht të paraqesë arsye të reja pse nuk mund të formohet Asociacioni”.
Ai tha se më e rrugës do të ishte nëse Kurti do t’ua sqaronte komuniteteve pse në situatën aktuale disa marrëveshje të dialogut kanë mbetur pezull, dhe që njëkohësisht Kosova t’ua bëjë të qartë partnerëve që edhe Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për veprimet e veta.
“Gjithë procesi duhet të zhbllokohet, jo vetëm ngërçi për Asociacionin”, theksoi Vogel, I cili duke parë situatën aktuale, vlerësoi se zor që mund të merret dikush me Asociacionin menjëherë pas zgjedhjeve.
Kosova, sipas shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, e ka detyrim ligjor themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, meqë ky mekanizëm, në vlerësimin e tij, është një nga marrëveshjet e dialogut që është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013.
“Mendoj se vetëm një marrëveshje është ratifikuar nga Parlamenti i Kosovës me shumicë dy të tretat e votive Dhe ky është një detyrim ligjor për ta bërë dhe për ta zbatuar” – deklaroi shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian.
Duke folur për të ardhmen e dialogut, Orav potencoi se dinamika e këtij procesi mbetet të shihet pas konstituimit të strukturave të reja në Bashkimin Evropian.
“Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian, Brukseli dhe përfaqësuesi i ri i lartë duhet të vendosin se si të vazhdojnë kur komisioni i ri të vijë, dhe shpresojmë se do të ndodhë më 1 dhjetor, por mund të ndodhë edhe pak më vonë”, ka shtuar Orav
Orav ka njoftuar se Kosova dhe Serbia do të përfitojnë nga disbursimi i parë i fondeve nga Plani i Rritjes në fund të vitit, por para çdo pagese, do të bëhet vlerësimi i progresit në kuadër të dialogut.
“Për momentin mund të ndahen pagesat e para sepse edhe Kosova edhe Serbia kanë bërë një deklaratë në lidhje me procesin e normalizimit mes dy vendeve. Por më pas, para çdo pagese, do të bëhet vlerësimi nëse mund të ndahen këto mjete dhe kjo lidhet me procesin e normalizimit”, ka theksuar qartazi diplomati estonez i BE-së.
Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula Von der Leyen, ka përmendur aplikim të “kohës shtesë” në kontekstin e Planit të Rritjes për Kosovën dhe Serbinë. Kjo nënkupton se të dyja palët duhet t’i përmbushin obligimet që burojnë nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit edhe pas lirimit të fondeve të para nga Plani i Rritjes.