Shkrime
Shtëpia e Bardhë shpërngulet në Kosovë e Serbi/ Bugajski ka frikën e bashkimit të Veriut me…
Fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA është shënuar si një ngjarje politike që mund të shkaktojë ndryshime të mëdha në botë dhe ato do të varen nga ndryshimi i administratës në Uashington. Ndër njerëzit e Trump që janë parë për poste të larta është Richard Grenell, ish i dërguari special i SHBA-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Grenell mund të bëhet këshilltari i presidentit amerikan për sigurinë kombëtare, megjithëse përmendet edhe mundësia për të marrë postin më të lartë në Departamentin e Shtetit, si sekretar i shtetit, gjë që do ta vendoste atë në krye të politikës së jashtme.
Pritet që nga ky pozicion i ri, Grenell të mund të “kujtojë” angazhimin e tij të mëparshëm si i dërguar special për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të cilin e ka kryer kur Trump ishte në Shtëpinë e Bardhë herën e kaluar.
Gjatë mandatit të tij u arrit Marrëveshja e Uashingtonit, e cila u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ai i atëhershëm i Kosovës, Avdulah Hoti.
Përveç Marrëveshjes së Uashingtonit, gjatë administratës Trump u përmend edhe një iniciativë diplomatike jozyrtare në të cilën Serbia dhe Kosova po shqyrtonin idenë e shkëmbimit të territoreve, sipas së cilës Serbia do të merrte veriun e Kosovës, ku serbët përbëjnë shumicën e popullsisë, dhe Kosova Luginën e Preshevës, ku shqiptarët janë shumicë.
Vuk Velebit, drejtor ekzekutiv i nismës Pupin, tha për NIN se pikërisht njohurite e Grenell-it për rajonin dhe emërimi i tij i mundshëm në një pozicion të rëndësishëm mund të jetë një mundësi për Serbinë që “të ngrejë marrëdhëniet me SHBA- në në nivelin e aleancës”.
Nga ana tjeter, Aleksandar Popov, drejtor i Qendrës për Rajonalizëm, beson se autoritetet serbe dëshiruan fitoren e Trump dhe presidenti i Serbisë ishte ndër të parët që e uroi atë. Popov beson se Vuçiq mund të presë favore më të medha nga Shtëpia e Bardhë gjatë administratës Trump, ndër të tjera, sepse Grenell në mandatin e kaluar ishte më i favorshëm për politikat e tij, por edhe për shkak të lidhjeve tme Jared Kushner, i cili mund të ndërtoje një kompleks biznesi në vendin e rrënimit të Shtabit të Përgjithshëm në Beograd.
Velebit beson se SHBA-të do të luajnë një rol më të madh në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Popov tha se, duke pasur parasysh mandatin e mëparshëm të Trump, nuk do të ketë më sinkronizim me BE-në siç ka ekzistuar deri më tani.
“Kësaj radhe mendoj se soloja do të përsëritet, sepse edhe atëherë Trump i ka perceptuar lideret e Evropës jo si konkurrente, por si tipa të padëshirueshëm në disa plane” – theksoi Popov.
Janusz Bugajski, njohës i zhvillimeve në rajon, në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda” rreth presidencës së paparashikueshme amerikane, ka vlerësuar se presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mund të pranojë rolin dominues të Serbisë dhe të zvogëlojë mbështetjen për sovranitetin e Kosovës.
Bugajski ka shtuar se Ballkani Perëndimor nuk do të jetë prioritet i lartë për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara nën presidencën e dytë të Trumpit, duke marrë parasysh edhe problemet madhore ndërkombëtare. Dhe kjo, sipas tij, mund t’i mundësojë Rusisë ta zgjerojë ndikimin e saj në këtë rajon të rrethuar nga pasiguritë.
“Trumpi mund të ketë edhe më shumë gjasa të pranojë rolin dominues të Serbisë dhe të zvogëlojë mbështetjen për sovranitetin e Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi. Zyrtarët e Trumpit mund të favorizojnë një marrëveshje me Serbinë duke lejuar komunat veriore të Kosovës t’i bashkohen Serbisë”, ka konsideruar Bugajski.
Përderisa shumë e kanë parë fitoren e Trumpit si kërcënim për Kosovën, posaçërisht në kontekstin e konfliktit me Serbinë, duke marrë parasysh edhe trashëgiminë e administratës së tij të parë, shumë të tjerë kanë theksuar se rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë mund të sjellë mundësi pozitive të reja për vendin e vogël ballkanik.
Kujtojme se zgjedhjet presidenciale amerikane kanë ardhur në kohën kur administrata aktuale e demokratëve ka shtuar përpjekjet për t’i zbutur tensionet në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke inkurajuar Prishtinën dhe Beogradin t’i normalizojnë raporet për të ecur përpara drejt integrimeve evropiane.