Sport
Liga e Kombeve/ Italia mposht Belgjikën dhe prek fazën çerekfinale, Franca kalon më tej me ‘X’
Liga e Kombeve ka zhvilluar sot ndeshjet e para për raundin e pestë. Tanimë kemi edhe skuadrat e para të kualifikuar për në çerekfinale dhe ato janë Italia e Franca.
Të besuarit e Spallettit fituan 0-1 në Bruksel kundër Belgjikës me një gol të Sandro Tonalit në minutën e 11-të. Me katër fitore, një barazim dhe 13 pikë, të kaltrit lënë pas Francën dhe marrin kreun e Grupit A2 duke siguruar një biletë për në fazën çerekfinale të Ligës së Kombeve që luhet në muajin mars.
Nga ana tjetër Franca barazoi pa gola në Paris kundër Izraelit dhe i hap rrugën Italisë për kreun e grupit, paçka se ndeshja e fundit do jetë direkte dhe me gjasë Italia do e mbyllë grupin në vendin e parë. E rëndësishme renditja, pasi për çerekfinalet e Ligës së Kombeve skuadrat e renditura të parat në grup do të shortohen kundër atyre që kanë përfunduar të dytat. Si Italia dhe Franca zyrtarisht janë më tej, ndërsa Belgjika dhe Izraeli edicionin e ri do luajnë në Ligën B
Në Ligën B, Anglia fitoi 0-3 në Athinë kundër Greqisë dhe e barazon me 12 pikë në Grupin B2. Uatkins, autogoli i Vlachodimdis dhe Jones shënuan për ishullorët. Edhe pse ndajnë kreun, ende asnjë ekip nuk ka marrë biletën për më tej para ndeshjes së fundit. Në këtë grup, edhe pse Irlanda mposhti 1-0 Finlandën, të dyja skuadrat do luajnë në Ligën C edicionin e ri.
Spektakolar Haaland që shënoi në fitoren 1-4 të Norvegjisë në transfertën sllovene. Në Grupin B3 Sllovenia dhe Kazkistani janë rrëzuar një ligë më poshtë.
Në Shkup, Maqedonia e Veriut iu fal golit të Serafimov për të mposhtur 1-0 Letoninë dhe për të marrë një biletë për në Ligën B edicionin e ri.