Connect with us

Aktualitet

Tunden themelet e korrupsionit/ 13 fletë-arresti të SPAK në tryezën e GJKKO, gati firmosja

Elmas Bogdani

Institucionet e drejtësisë janë në prag të një operacioni të gjerë që pritet të tronditë themelet e korrupsionit në vend. Burime ende jo zyrtare tregojnë se në tryezën e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ndodhen 13 fletë-arreste të lëshuara nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Këto masa të sigurisë përfshijnë zyrtarë të lartë dhe figura të njohura publike, të cilët akuzohen për abuzime masive me tenderët dhe përfshirje në afera të mëdha korruptive. Tenderët publike duket të jenë zemra e aferave që kanë sjellë këto fletë-arreste. Skemat përfshijnë manipulime procedurash, favorizime klienteliste dhe ndarje të fondeve publike në kundërshtim të hapur me ligjin. Kush janë të dyshuarit kryesorë?

SPAK dhe GJKKO kanë qenë të kujdesshme në mbajtjen e identiteteve të tyre të fshehta, por dyshohet se fletë-arrestet përfshijnë ish-ministra, drejtues agjencish qeveritare dhe kryetarë bashkish. Ky operacion mund të përfshijë disa prej figurave më të njohura në administratën e viteve të fundit, duke krijuar një precedent të fortë në luftën kundër korrupsionit. Faza e ardhshme e këtij operacioni përfshin firmosjen e masave të sigurisë nga GJKKO. Gjykata pritet të vendosë për ndalimin e menjëhershëm të të dyshuarve ose bllokim pasaporte, detyrim paraqitje, apo edhe aplikimin e masave si arresti shtëpiak dhe pezullimi nga detyra, ndërsa hetimet vijojnë. Firmosja e këtyre masave të sigurisë nga GJKKO do të jetë vetëm hapi i parë i një procesi të gjatë dhe kompleks. Nëse akuzat për korrupsion dhe shpërdorim të detyrës provohen, kjo do të shënojë një fitore të madhe për drejtësinë në Shqipëri dhe një mesazh të qartë se askush nuk është mbi ligjin.

Hetimet e SPAK dhe kërkesat nga BE

Ndërkohë gazeta ka mësuar se SPAK ka në proces hetimi shumë dosje të bujshme. Bëhet fjalë për hetime sekrete që po zhvillohen si për bosë krimi, ashtu dhe zyrtarë të lartë. Ndërkohë mësohet se dhe SHBA e BE kanë rritur presionet dhe sinjalet janë se me miratimin pak ditë më parë të kapitujve të parë për integrimin e Shqipërisë në BE, po përgatitet terreni që të nisë reprezalja në politikë. Puna për Shqipërinë nis me kapitujt 23 dhe 24 dhe vazhdohet paralelisht me kapitujt e tjerë dhe kapitujt e fundit që mbyllen janë po 23 dhe 24. Pra puna nis me ta dhe mbyllet me ta. Kapitulli 23 ka të bëjë me gjyqësorin dhe të drejtat themelore, ndërsa kapitulli 24 flet për drejtësinë dhe sigurinë. I gjithë procesi i bisedimeve (negociatave) është i lidhur me mbylljen e çdo kapitulli.

Në rastin e Kroacisë, bisedimet për anëtarësim zgjatën 6 vjet, gjithsesi ritmi i bisedimeve varet nga shpejtësia e reformave dhe harmonizimit me ligjet e BE-së, prandaj dhe kohëzgjatja e bisedimeve ndryshon dhe nuk ka garanci se kur do të mbyllen. Ajo që dihet është se kapitujt 23 dhe 24 do të hapen të parët dhe do të mbyllen të fundit, gjë që do të përcaktojë ecurinë e procesit të anëtarësimit. Pra integrimi varet vetëm nga lufta antikorrupsion dhe kjo do të thotë se do të kemi arrestime në nivele të larta dhe hapja e negociatave është një mesazh shumë i keq për pushtetarët.

Advertisement