Politike
Basha: Do kandidoj në Tiranë, në zgjedhje përballë Ramës e Berishës që janë bashkë
Lulzim Basha premton të zbresë në fushëbetejën e zgjedhjeve parlamentare, si një pol i ri politik, përballë Edi Ramës dhe socialistëve e koalicionit të partive opozitare të udhëhequr nga kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha.
Në një intervistë për Vizion Plus, Lulzim Basha garanton se krahas betejës në Gjykatën e Lartë për të rimarrë logon dhe vulën e Partisë Demokratike, demokratët euroatlantikë po bëjnë të gjitha përgatitjet për të marrë pjesë në zgjedhje.
“Sigurisht kërkojmë që kjo të ndodhë sa më shpejt. Kalendari tjetër është kalendari elektoral. Çfarëdo që të ndodhë demokratët euroatlantikë do të jenë në zgjedhje. Ose me legjitimitetin e kthyer përmes një procesi të drejtë ligjor ose duke përdorur të gjithë që ofron kodi zgjedhor dhe duke mundësuar në këtë mënyrë listën tonë të kandidatëve me aleatët tanë më programin tonë anembanë Shqipërisë”, deklaroi Basha.
Kur flet për aleatë, Lulzim Basha përjashton çdo mundësi për koalicion më kryetarin e PD Sali Berisha dhe forcat e tjera politike që janë rreshtuar në krah të tij.
“Këto formacione futen në këtë sezon elektoral pa moral politik. Dhe këtë ne e shohim ditë për ditë, e shohim në dështimin të inisiativave politike, të aksionit politik, degjenerimin e të ashtuquajturës mosbindje civile, në zbrazjen e shesheve nga protestuesit. E para dhe kryesorja është ndërtimi i një morali politik ku qytetarët që duan ndryshim, që duan ndryshim, që duan vërtet ti japin fund keqqeverisjes 12 vjecare të korruptuar të edi ramës, të kenë besim të kandidatët për deputet, tek programi”, tha Basha.
Sipas Bashës ka një bashkëpunim mes kryeministrit Edi Rama dhe dy figurave qendrore të opozitës Sali Berishës dhe Ilir Metës i pari në arrest shtëpie dhe i dyti në burg, dhe iu takon shqiptarëve që me votën e tyre të ndryshojnë këtë realitet politik.
“Ajo që ndikon në gjendjen e përgjithshme në publik është fakti që të njëjtët aktorë të tranzicionit po bëjnë lloj lloj lojërash për të vazhduar, për tu ripozicionuar për të paktën edhe 4 vitet e ardhshme. Dhe padiskutim që këtu këta bashkëpunojnë më njeri tjetrin. Është e qartë që zoti Rama që në zgjedhjet e ardhshme alternative të jetë mes tij dhe zotit Berisha përpjekja jonë është ta shkatërrojmë këtë kafaz në të cilën duan ta fusin zgjedhjen për shqiptarët këta dinosaur të tranzicionit. Dhe tju themi shqiptarëve që zgjedhjet e ardhshme janë për veten e tyre”, deklaroi Basha.
Lulzim Basha theksoi se Edi Rama e Sali Berisha mbajnë përgjegjësi që nuk pati një reforme të plotë zgjedhore, duke kritikuar rrugën e zgjedhur për votimin e emigrantëve, rrugë e cila sipas tij favorizon qeverinë dhe PS.
“Katastrofë. Vetë qëllimi që emingratëve t’iu mundësohet vota parashikon, (se dhe sot, edhe para 5 vjetësh, para 10 vjetësh emigrantët mund të votonin duke ardhur në Shqipëri), ideja është t’ua bësh të thjeshtë. Jo vetëm që nuk e kanë bërë të thjeshtë për emigrantët për të votuar, por e kanë bërë të thjeshtë vetëm për partinë në pushtet të ndërtojë një sistem patronazhimi për të pickuar aq vota sa i duhen për të ndryshuar rezultatin elektoral në qarqe të caktuara”, tha Basha.
Basha shpjegon për Vizion Plus se po ndërton ekipin me të cilin do të garojë në zgjedhjet parlamentare, ndërsa ai vetë do të udhëheqë betejën në Tiranë.
Ju vetë do të garoni në Tiranë?
Në 4 dhjetor Lulzim Basha së bashku me disa parti të tjera do të përpiqen të bindin Gjykatën Kushtetuese të hapë plotësisht listat e kandidatëve për deputet dhe Basha shpreson se gjyqtarët do të ndryshojnë rregullat e lojës zgjedhore në favor të qytetarëve dhe të drejtës së tyre për të zgjedhur vetë deputetët që do t’i përfaqësojnë