Connect with us

Aktualitet

‘Roli’ i dy gazetarëve/ SPAK: Çela përdori Hoxhën dhe Qynon për manipulim të publikut…

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bërë një sqarim për rolin e “personave të tjerë”, që sipas organit të akuzës kishin lidhje me grupin e Suel Çelës, një nga personat më të kërkuar të Policisë së Shtetit. SPAK, në njoftimin zyrtar, pretendon se Dedan Gjoni (ish-oficer krimesh tek Komisariati nr.6), në kohën kur ka shërbyer në Elbasan i ka shërbyer grupit. Sipas SPAK, Dedan Gjoni ndihmonte Suel Çelën dhe grupin e tij me informacione. Ndërsa tashmë ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu ofronte lehtësira dhe ndikim në sistemin gjyqësor për Çelën dhe anëtarët e grupit të tij.

Organizata kriminale kishte aftësi që të ndikonte dhe të korruptonte përfaqësues të sistemit të drejtësisë me qëllim që këta të fundit të lehtësonin pozitën e drejtuesit S.Ç. dhe anëtarëve të tjerë të organizatës në proceset penale në ngarkim të tyre. Për t’u theksuar është aftësia e organizatës që të ndikojë tek trupa gjyqësore me qëllim që të rëndohej pozita apo masa e dënimit që do te jepej në ngarkim të anëtarëve të grupit kriminal që konsideroheshin si kundërshtarë të tyre,”-shkruan SPAK.

Sa i përket ‘rolit’ të dy gazetarëve, Artan Hoxha dhe Elton Qyno, SPAK pretendon se përmes tyre, Marjus Lulaj (emri i dytë i Çelës, por emri që SPAK i referohet në dosje) ka tentuar që të manipulojë perceptimin publik, duke i paraqitur rivalët e tij si të paprekshëm. Qëllimi i Suel Çelës ishte që të ngrinte dyshime se rivalët e  tij kishin lidhje me politike. Gjithmonë sipas SPAK, nga lajmet e publikuara nga gazetarët në fjalë, është ushtruar trysni që këta rivalë që konsideroheshin si “të paprekshëm” të goditeshin nga instrumenta të ndryshëm të ligjit, si nga organet e akuzës, por edhe nga “Operacioni Forca e Ligjit”.

“Trysnia për hetime pasurore në kuadër të OFL-së dhe nxitja e mediave për të marrë dëshmi nga individë që mund të inkriminojnë rivalët e tij do të krijonin, sipas tij, në opinionin publik perceptimin se këta rivalë, për shkak të lidhjeve të dyshuara politike, janë bërë “të paprekshëm”. Kjo strategji, e cila përfshin manipulimin e informacionit dhe ndikimin në opinionin publik, jo vetëm që do të rriste pozitat e tij, dhe në të njëjten kohë do të dëmtonte interesat e rivalëve,“-shkruan SPAK.

Sipas prokurorëve, në këmbim të përfitimeve monetare, Qyno dhe Hoxha kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që po sipas SPAK, keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik.

Advertisement