Connect with us

Politike

Kërkesa e Berishës për shfuqizimin e “arrestit me burg”, Gjykata Kushtetuese vendos nesër

NJOFTIMI I GJKKO:

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenin 21, pika 1, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, njofton se në datën 26.11.2024 ka marrë në shqyrtim paraprak kërkesën e paraqitur nga kërkuesi Sali Berisha me objekt: “ Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr. 520, datë 30.12.2023 dhe vendimit nr. 521, datë 27.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, të vendimit nr. 15, datë 25.01.2024 të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë dhe vendimit nr. 00-2024-667 (94), datë 09.04.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë (njoftuar në datën 29.07.2024)”, lidhur me masën e arrestit “Arresti në shtëpi” dhe ka vendosur:

– kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve (pa praninë e palëve), si dhe thirrjen si subjekt të interesuar në këtë proces të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, si edhe të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Gjithashtu, po në datën 26.11.2024 Mbledhja e Gjyqtarëve, pasi mori në shqyrtim kërkesën për “Përshpejtimin e gjykimit”, të paraqitur nga kërkuesi Sali Berisha në datën 25.11.2024, ka vendosur: – pranimin e kërkesës për përshpejtimin e gjykimit, si dhe reduktimin e afateve të palëve për paraqitjen e parashtrimeve dhe qëndrimeve të tyre, si dhe caktimin e seancë plenare mbi bazë të dokumenteve në datën 27.12.2024, ora 10:00.

Më 21 nëntor Gjykata Kushtetuese vendosi se masa e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” do të vijojë të jetë në fuqi. Në vendimin e argumentuar, Gjykata Kushtetuese sqaron se ka pranuar pjesërisht ankimin e Berishës për masat e marra nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Përsa i përket ankimimit se Prokuroria nuk ka komunikuar me Kuvendin, duke qenë se Berisha është deputet, Gjykata shprehet se e shqyrtoi masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, në këndvështrim të të drejtës për t’u zgjedhur sipas nenit 45 të Kushtetutës dhe duke iu referuar llojit të detyrimit që vendos masa dhe shpeshtësisë së zbatimit të tij (një herë në dy javë) dhe njëzëri arriti në përfundimin se ajo nuk prek funksionet legjislative të Kuvendit dhe nuk e pengon deputetin të ushtrojë të drejtat e tij si deputet. Për rrjedhojë gjykata njëzëri arriti në përfundimin se në rastin konkret, kjo masë nuk përbën kufizim të lirisë personale dhe, për pasojë nuk nevojitet autorizimi nga Kuvendi për zbatimin e saj ndaj deputetit.

Advertisement