Aktualitet
SPAK: Grupi i Suel Çelës tentoi të vriste ‘Vis Korçarin’, lidhja e të riut me Dumanin
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbardhur edhe tentativën e vrasjes së Ervis Koçit, i njohur edhe si “Vis Korçari”, ngjarje e ndodhur në vitin 2020. Sipas dosjes hetimore të SPAK, organizata e drejtuar nga Suel Çela në Elbasan ka krijuar kushtet edhe për atentatin që dështoi më 25 nëntor.
Objektiv ishte Elvis Koçi, që mbante edhe mbiemrin Çaushllari dhe njihej me nofkën “Vis Korçari”. Për ngjarjen u arrestua 2 vite më pas (2022) si i dyshuar Migert Qosja. Për ngjarjen u dënua edhe Ervis Çaushllari me 5 vite burg. Koçi u deklarua fajtor dhe dënuar me 5 vjet heqje lirie për akuzën e “mbajtje pa leje dhe prodhimit të armëve të zjarrit”. Por për shkak se përfitoi nga gjykimi i shkurtuar, iu zbrit 1/3 e kohës së dënimit, duke e lënë pas hekurave të qelisë vetëm për 3.4 vite.
Për ngjarjen u shpall fajtor për “Moskallëzimit të krimit” edhe Ersi Çekani, i cili u dënua me 9 muaj burgim. Ndërsa dy të pandehurit e tjerë Feliks Filja dhe Armand Ceveli janë dënuar respektivisht me 8 dhe 10 muaj burg.
Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Elbasanit rezultoi se ditën e ngjarjes, të shtënat e para kanë dalë nga arma e Elvis Çaushllarit, dhe më pas “grupi” tjetër është kundërpërgjigjur, duke qëlluar në shënjestër. Çaushllari mori një plumb në shpatull dhe me një automjet tip “Golf 5” ka udhëtuar nga Elbasani në drejtim të Spitalit Ushtarak në Tiranë, ku edhe u mjekua. Fillimisht u raportua për një sherr mes palëve dhe më tej denigroi në një “Far West” në rrugët e qytetit, me ndjekje me makina dhe shkëmbim zjarri mes tyre.
Teksa ndodhej ende në burg, Koçit iu komunikua tjetër masë nga SPAK në 18 Maj 2022 në ambientet e burgut, pasi emri i tij doli gjatë dëshmisë së dhënë nga Nuredin Dumani, i cili tregonte se “Visi” ka qenë njeriu që ka negociuar takimin mes Dumanit, Bledar Muçës dhe Florenc Çapjas, me qëllim planifikimin e vrasjes kundrejt pagesës të Sokol Sanxhaktarit. Për këtë episod të treguar nga Dumani, Elvis Koçi, akuzohet nga SPAK për 3 vepra penale si “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje” kryer në bashkëpunim të posaçëm në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga Grupi i Strukturuar kriminal”.
Sipas Nuredin Dumanit, Eljo Bitri dhe “Vis Korçari” kanë qenë dy emrat që kanë negociuar mes tij dhe Çapjave, për të kryer një takim, pasi ata dyshonin se Dumani i kishte qëlluar me kundërtank.