Aktualitet
Emrat/ Shpërndanin drogë në Sarandë e Delvinë, gjykata lë në burg 12 persona
Pas 4 orësh seancë, Gjykata e Sarandës ka dhënë vendimin për 12 persona të arrestuar dy ditë më parë në kuadër të operacionit “Rrjeti”. Ka qenë një hetim i gjatë i prokurorëve Kledian Llaho e Esmeranda Basho, i zhvilluar me metoda speciale dhe veprime proaktive ndaj 12 personave të dyshuar për veprën penale “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.
Me kërkesë të prokurorëve, gjyqtari Mikel Hysometaj caktoi ndaj tyre në mungesë masat e sigurimit “Arrest në burg”, 11 prej të cilave u ekzekutuan në orët e para të së hënës nga efektivë të seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me forcat “Shqiponja” të kësaj Drejtorie dhe FNSH Fier. Një prej personave nuk u arrit të kapej dhe u shpall në kërkim, ndërsa gjatë operacioni u arrestua dhe një person tjetër në flagrancë, të cilit i’u sekuestruan drogë dhe sende të tjera të paligjshme.
Ditën e sotme, rreth orës 12:15, të gjithë të arrestuarit dolën para Gjykatës së Sarandës, 11 prej tyre për t’u njohur me masën e sigurisë së vendosur ne mungesë dhe një tjetër për t’u vlerësuar arresti dhe për t’u caktuar masa e sigurimit. Edhe pas marrjes në pyetje të tyre, Gjykata vlerësoi se nuk u evidentua ndonjë rrethanë e re e cila nuk ishte marrë në konsideratë më herët nga gjykata në caktimin e masave të sigurimit, ndërsa për tjetrin u vlerësua i ligjshëm arresti dhe u caktua masa e sigurimit.
Për të 12 të dyshuarit, Gjyqtari Mikel Hysometaj caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, e kërkuar kjo edhe nga vetë prokurorët. Disa prej tyre rezultojnë me precedentë të mëparshëm penalë për vepra të ndryshme.
Masa “Arrest në burg” është caktuar për Mili Hamzaj, Evinio Hamzaj, Xhuljan Mecani, Stelio Mecani, Eduart Taka, Juxhin Isufi, Drago Qendro të gjithë banues në Delvinë si dhe për Fatjon Abazi, Osmen Abazi, Enver Haxhi, Mina Dedi e Algert Caushi, të gjithë banues në Sarandë, të moshës 26-42 vjeç.
Në kërkim vazhdon të jetë Panajot Bala nga Delvina, 49 vjeç.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në kuadër të operacioni, u gjetën dhe sekuestruan 111 doza kokainë, 1 dozë marijuanë, 40 mijë euro, 2 mijë e 980 dollarë, 19 milionë e 400 mijë lekë të vjetra, 260 paund, 18 celularë, 1 tablet, 2 peshore elektronike, 2 shkopinj metalikë, 2 radio si të policisë, 4 makina dhe 2 motorrë.