Connect with us

Kosova

DUKE PRITUR TRUMP dhe 9 shkurtin/  Prelec: Pak gjasa për njohje de facto, realist ‘normalizimi i vogël’

Eksperti për Ballkanin nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, Marko Prelec, tha se është e domosdoshme të punohet për përmirësimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi në çështjet qe prekin përditshmerinë, ndërkohë që pjesa politike e normalizimit, që lidhet me njohjen de facto, nuk ka përparuar. Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit, e projektuar si një hap drejt përmirësimit të marrëdhënieve, po përballet me pengesa për shkak të moszbatimit të detyrimeve kyçe, si formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Prelec vlerësoi se procesi i dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është aktualisht në pritje dhe sipas tij, marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve kanë nevojë për një normalizim të vogël dhe një normalizim të madh.

“Normalizimi i madh është njohja de facto, një hap që do t’u mundësonte vendeve evropiane që nuk e kanë njohur Kosovën të ndërmarrin hapa drejt njohjes. Por, gjasat për këtë janë shumë të vogla. Është më realiste të shpresohet për një normalizim të vogël, përmirësimi i marrëdhënieve të përditshme, tregtia më e lirë dhe mirëkuptimi për problemet konkrete me të cilat përballen qytetarët. As kjo nuk është e garantuar, por është e mundshme,” shpjegoi eksperti, I cili duke folur për njohjen de facto, tha se kjo duhej të realizohej përmes Marrëveshjes së Ohrit.

“Kjo fazë parashikonte që Marrëveshja e Ohrit dhe zbatimi i saj do të duhej të hapte rrugën për njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e njohin, ose të paktën përmirësimin e marrëdhënieve me to. Për Serbinë, kjo do të nënkuptonte trajtimin e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, por pa njohje formale,” theksoi Prelec duke shtuar se viti 2025 fillon me pritje për qëndrimin e presidentit amerikan Donald Trump, ndërkohë që mbetet të shihet se si do të zhvillohet dialogu nën ndërmjetësimin e BE-së dhe çfarë ndikimi do të kenë zgjedhjet në Kosovë në muajin shkurt.

“Është e qartë se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të vazhdojë. Qëndrimet e të dyja palëve janë të njohura dhe hapësira për kompromis është e vogël. Nuk ka shumë shpresë për një sukses të madh, por bisedimet duhet të vazhdojnë, edhe pse me pritshmëri më të ulëta për transformime të mëdha. Sa i përket implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, kjo duket të jetë një përpjekje nga BE-ja për të dhënë një imazh optimist për një çështje shumë të ndërlikuar,” theksoi eksperti I njohur……………

Advertisement