Connect with us

Bota

Kthesa e Zuckerberg/ Si do të ndryshojë Facebook në erën Trump

Liderët e mëdhenj të teknologjisë amerikane po i bashkohen njëri pas tjetrit, Donald Trump-it dhe atij që është shndërruar, de facto, në bashkëpunëtorin kryesor politik të presidentit të zgjedur, libertarianit Elon Musk, shefi i Tesla, SpaceX dhe rrjetit social X.

I fundit në këtë radhë u shtua Mark Zuckerberg. Më pak se dy javë para ceremonisë së betimit për një mandat të dytë, themeluesi i Meta – kompani me vlerë 1.500 miliardë euro në bursë, me aplikacionet e saj Facebook, Instagram, WhatsApp – njoftoi më 7 janar një kthesë të madhe të grupit në drejtim të galaksisë Trump. Zyrtarisht e bëri në emër të lirisë së shprehjes. “Zgjedhjet e fundit duken si një pikë kthese kulturore drejt një prioriteti të ri atij për më shumë liri të shprehjes”, tha ai në një video.
Për këtë qëllim, sipërmarrësi njoftoi rikthimin e temave politike në platformat e tij, që numërojnë 3,3 miliardë përdorues aktivë në shkallë botërore, dhe heqjen e filtrave për kontrollin e fakteve. “Kemi arritur në një pikë ku ka shumë gabime dhe shumë censurë. Do të heqim kontrollet e fakteve dhe do t’i zëvendësojmë me shënime të përdoruesve të ngjashme me modelin e X”, shpjegoi Mark Zuckerberg, ndërkohë që platformat e mëdha kanë qenë në shënjestër të mosbesimit të elektoratit trumpist. E instaluar në X nga Elon Musk, kjo metodë lejon përdoruesit e internetit të shtojnë një koment për një tëeet të konsideruar të pasaktë. Sipas zotit Zuckerberg, kontrolluesit e fakteve, të akuzuar se kanë ushtruar tendencat e tyre politike majtas, në përzgjedhjen e lajmeve, kanë qenë “shumë të njëanshëm” dhe kanë “punuar më tepër për shkatërrimin e besimit sesa për krijimin e tij, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara”.

Kompania META do të transferojë ekipet e saj të moderimit të përmbajtjes nga Kalifornia, bastioni i progresizmit demokratik, në Teksas, një shtet thellësisht republikan dhe konservator. Pikërisht aty ku Elon Musk, në konfikt me demokratët e Silicon Valley, kishte zgjedhur të zhvendoste selinë e Tesla-s gjatë pandemisë së Covid-19.

Evolucioni spektakolar

Përputhja me kreun e SpaceX nuk ndalet këtu. Si Elon Musk, i cili ka shtuar ndërhyrjet politike kohët e fundit në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Gjermani, kryesisht në emër të lirisë së shprehjes, Mark Zuckerberg i është kundërvënë ashpër Bashkimit Europian, të cilin e akuzon se po miraton “një numër gjithnjë e në rritje ligjesh që institucionalizojnë censurën” dhe e bën “të vështirë ndërtimin e çfarëdo gjëje inovative”.

Po si Elon Musk, i cili ka pasur përplasje me Gjykatën e Lartë të Brazilit, e cila kërkonte që ai të çaktivizonte llogaritë X të cilat konsideroheshin si kryengritëse, themeluesi i Meta ka denoncuar “gjykatat sekrete” në Amerikën e Jugut.

“Do të punojmë me presidentin Trump për të bërë presion mbi qeveritë e të gjithë botës që sulmojnë kompanitë amerikane dhe nxisin një censurë më të madhe,” ka deklaruar Mark Zuckerberg.

Ky zhvillim është një kthesë spektakolare për atë që e pati fshirë Donald Trumpin nga rrjetet sociale pas sulmit në Kapitol më 6 janar 2021. Facebook u akuzua për të gjitha të këqijat nga republikanët. Edhe në gusht të vitit 2024, Trump si kandidat kishte shkruar se Mark Zuckerberg “do të kalonte pjesën e mbetur të jetës në burg”,nëse do të përpiqej të ndërhynte në zgjedhjet amerikane të nëntorit.

Klima u nxeh shumë kur shefi i Meta u nda nga administrata e Joe Biden, të cilën e akuzoi për presione të shumta. Në një letër drejtuar Kongresit më 26 gusht 2024, Zuckerberg pranoi se kishte përjetuar presion nga FBI për të hequr, në vitin 2020, një hetim të tabloidit Neë York Post, për djalin e Joe Biden, Hunterin. Ky i fundit ishte dënuar për mbajtjen e armëve gjatë kohës kur ishte i droguar përpara se të falet nga babai i tij në fund të vitit 2024. “Që atëherë, është bërë e qartë se nuk bëhej fjalë për dezinformatë ruse dhe, retrospektivisht, ne nuk duhej ta kishim prekur artikullin,” shprehej Zuckerberg.

Por është sidomos gjatë krizës së lidhur me Covid-19 ndërhyrjet u theksuan së tepërmi. “Në vitin 2021, disa zyrtarë të lartë të administratës Biden, përfshirë nga Shtëpia e Bardhë, kanë bërë presion të përsëritur për muaj me radhë ndaj ekipeve tona për të censuruar disa përmbajtje lidhur me Covid-19, përfshirë humorin dhe satirën,” shkruan Mark Zuckerberg, i cili e vlerësonte “presionin e qeverisë si të paarsyeshëm.”

Ndryshimi është intensifikuar pas zgjedhjes së Donald Trump në nëntor 2024. Mark Zuckerberg ka shkuar, menjëherë pas fundit të nëntorit, me ekipet e tij në Mar-a-Lago, rezidencën e presidentit të zgjedhur në Palm Beach, Florida. Ai i ka ofruar republikanit një palë syze “inteligjente” Ray-Ban dhe ka vendosur të financojë ceremoninë e tij të betimit më 20 janar me një shumë prej 1 milion dollarësh.

Të mëdhenjtë e teknologjisë kanë ndjekur të njëjtën rrugë. Kështu ndodhi edhe me Jeff Bezos, themeluesin e Amazon dhe pronarin e ëashington Post, dikur i akuzuar vazhdimisht nga Donald Trump gjatë mandatit të tij të parë (2017-2021). Ai e konsideronte Bezos përgjegjës për përmbajtjen editoriale shumë kritike të gazetës ku qe pronar. “Ai përdor The ëashington Post për të rritur pushtetin e tij që politikanët e Uashingtonit të mos e taksojnë kompaninë Amazon siç duhet,” kishte akuzuar banori i Shtëpisë së Bardhë.

Bezos, nga ana tjetër, ankohej për ndëshkime politike: në një proces gjyqësor në vitin 2019, Amazon kishte pretenduar se kishte humbur një kontratë për cloud computing (informaticë e dematerializuar) në vlerë 10 miliardë dollarë me Pentagonin në favor të Microsoft, sepse Donald Trump kishte përdorur “presione të papërshtatshme… për të dëmtuar armikun e tij politik të perceptuar,” Bezos-in.

Por 2024 nuk është 2016, dhe Jeff Bezos ka bërë një hap. Fillimisht duke ndaluar qëndrimin editorial të Post-it në mbështetje të demokrates, Kamala Harris. “Mbështetjet presidenciale krijojnë një perceptim për përkatësinë partiake. Një perceptim të mungesës së pavarësisë,” shpjegoi Jeff Bezos. “Shumica e njerëzve mendojnë se mediat janë të njëanshme. Kushdo që nuk e sheh këtë, nuk i kushton vëmendje realitetit.” Dhe, si të tjerët, ai ka bërë një pelegrinazh në Mar-a-Lago, ku ka darkuar pak para Krishtlindjeve me Donald Trump, në shoqërinë e Elon Musk, rivalit të tij absolut në pushtimin e hapësirës. “Kemi pasur një shkëmbim shumë të mirë,” shkroi, në X, shefi i SpaceX.

Jeff Bezos gjithashtu do të financojë ceremoninë e betimit të Trump, e cila do të transmetohet në streaming përmes Amazon.

Sam Altman, themeluesi i OpenAI, i lidhur me Microsoft dhe i luftuar nga Elon Musk, gjithashtu do të financojë ceremoninë e betimit të Trump. Presidenti i zgjedhur madje e mori me të qeshur këtë lëvizje në dhjetor 2024: “Gjatë mandatit tim të parë, të gjithë më luftonin. Gjatë këtij mandati, të gjithë duan të jenë miqtë e mi. Nuk e di, ndoshta ka ndryshuar personaliteti im ose diçka e tillë.”

Marrë me shkurtime nga Le Monde

Advertisement