Connect with us

Shkrime

Rama në monologun e viktimës, heroit dhe të inkriminuarit

Nga Alfred Lela 
Edi Rama, në monologun e gjatë të një të diele, kur njerëzit i lë pushim edhe Zoti, nuk ka pushuar mbi gjysmë ore duke folur për persekutim imagjinar politik nga kundërshtari. Ky i fundit ka emrin e përhershëm, shkrumbuar prej 15 vitesh në sloganin që qet tym, por barutin e ka të lagur dhe, as nuk vret e as nuk bind, “fajin e ka Saliu”.

Një kryeministër në pushtet q’prej vitit 1998, pra plot 27 vite, që ankohet për rivalin e votuar jashtë pushtetit, para 12 vitesh, dhe që ka 10 vite më pak se ai në pushtet, është një rast haluçinance që meriton studime të posaçme të shkencës politike, por edhe Psikologjisë.

Duke bërë pikërisht atë që ia mvesh si faj kundërshtarit, përdorimin e familjes së tij biologjike, Rama thirri dje ngjarje të vjetëruara, në një apel të pakërkuar dhe të çuditshëm për një publik që, në masën më të madhe i ka harruar batërditë në fjalë.

Shndërrimi i vetes në hero të viktimizuar ndoshta mund të kuptohet më mirë duke risjellë një përkufizim psikologjik që quhet triada e errët (dark triads) që, sipas Britannica, karakterizohet si  kombinim i tri trajtave negative të karakterit: makiavelizmi, narcisizmi nënklinik dhe psikopatia-me tipare të caktuara si ftohtësia, agresiviteti dhe dupliciteti.

Pra, Rama në monologun e gjatë të hero-viktimës, paraqitej si prijësi i ftohë dhe përllogaritës i Makievaleit, narcizi që sheh veten e bukur në pellgun e parafytyrimit popullor për të, dhe duplicisti që shpreh mendime të dyfishta kontradiktore.

I kësaj të fundit është rasti kur përgjigjet për akuzat se bashkëpunon me krimin duke sqaruar se është ai që i zgjedh bashkëpunëtorët, jo e kundërta. Duke thënë se ai ka fuqinë për të zgjedhur, sepse është numri 1, ai kundërshton veten në pretendimin tjetër, atë të ‘shkëputjes’, prej bashkëpunëtorëve politikë. Jo se nuk e ka fuqinë e përzgjedhjes edhe në këtë rast, por se ai pranon se ka bërë kaq shumë zgjedhje të këqija, por zgjedhjet nuk kanë lidhje me të.

Rama gënjen kur thotë se bashkëpunëtorët e zgjedhur për në Kuvend, qeveri apo bashki të vendit janë larguar nga politika nga dekriminalizimi, i cili paskërka patur edhe mbështetjen e tij. Aspak ashtu, sepse Rama i ka mbrojtur deri në fund të gjithë bashkëpunëtorët me probleme me dekrimin, dhe i ka lëshuar kur e ka kuptuar se ishte e pamundur t’i mbante. E ka bërë këtë me Dakon, Roshin, Kajmakun e gjithë të tjerët.

Një sjellje pjesërisht të kundërt ka dëshmuar në mandatin aktual, kur ka lëshuar pa shumë vonesa disa prej bashkëpunëtorëve, por vetëm pasi i ka shkarkuar nga detyra dhe i janë dashur si ‘koka turku’, por edhe si pakt me SPAK, sipas parimit të jap disa ‘dëshmorë’, por të tregoj vijën e kuqe të pakalueshme.

Mënyra që Rama zgjedh për të përligjur raportin me krimin është posaçërisht interesant. Duke thënë se ka fuqinë të zgjedhë bashkëpunëtorët (pra edhe në rastin e paktit me krimin) ai inkriminon veten. Jo prej arrogancës që dëshmon fjalia, por për faktin se në dosjet e shërbimeve të huaja, ka dëshmi indirekte dhe direkte të këtij bashkëpunimi. Rasti i deputetit Çyrbja të Durrësit, ku Rama është prijësi, është flagrant. Bisedat e zbardhura mes narcos të Durrësit që përcaktojnë Çyrbjen si të tretin në listë, janë në vetvete loja për territor dhe pushtet të bandave të të qytetit për dominimin e portit, narkotrafikut dhe rrjeteve ekonomike të zonës. Një prej mënyrave se si shfaqet kjo fuqi është lidhja me Kryeministrin, dhe shembulli më ilustrues i kësaj është ndikimi tek ai për kandidatët në listën e PS në Durrës. Çyrbja, i nisur për i pesti a i gjashti në listë, do të ishte sërish deputet, por banda që e mbështeste, duke e zhvendosur lart, në vendin e tretë, u dëshmonte rivalëve ndikimin te Kryeministri. Nëse kjo nuk thuhet drejtpërdrejt, a dyshohet se emrat dhe pozicionet në listë i vendos miratimi dhe firma ekskluzive e Edi Ramës?! Atij që ka fuqinë ‘të zgjedhë bashkëpunëtorët’ dhe jo “të zgjidhet prej tyre”.

Advertisement