Vetëm se kur paraqiti tekstin e dorëheqjes si sekretar i përgjithshëm, ai falenderoi Ilir Metën për mbështetjen, duke i premtuar se do të mbetej në të njëjtën parti, ku ishte rritur për 19 vitet e fundit. Tani që Meta është në burg dhe meqënëse emri i tij del në të njëtën dosje, për çështjen e lobimit në SHBA, Brahimllari ka preferuar të strehohet në llogoren e socialistëve.
“Nuk ka rëndësi ku është emri Endrit Brahimllarit për të dhënë kontributin tim. Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të doja të jepja angazhimin tim në PS” u shpreh ai në një intervistë në Report tv.
Dëshira që shpreh publikisht Indrit Brahimllari për të kapërcyer në anën tjetër të ylberit, tregon për efektin e drejtpërdrejtë që ndërhyrja e SPAK ka pasur në skenën politike.
Tradicionalisht, disa muaj para zgjedhjeve, Rama dhe Meta kanë dërguar sinjale të ndërsjellta afrimi për të pakënaqurit e partive rivale. Më mirë se të gjithë, janë kryetarët e partive që e kuptojnë se çdo votë është e vlefshme ditën e zgjedhjeve dhe se hatërmbetjet me këdo vetëm se e dëmtojnë rezultatin final.
Por ndryshe nga zgjedhjet e tjera, falë ndërhyrjes së dhunshme që SPAK bëri në skenën politike, rrjedhja e votave tani shkon vetëm në njërën anë, pra drejt Partisë Socialiste. Të gjithë e kanë kuptuar tashmë, se bashkë me të fortët, bashkë me paratë dhe bashkë me mediat, Rama ka edhe SPAK-un për të plotësuar pushtetin total që ka në duart e tij.
Prandaj edhe Indrit Brahimllari, një pjellë ekskluzive e çiftit Meta-Kryemadhi në inkubatorin e LSI-së nuk pret që dikush ta ftojë në radhët e Partisë Socialiste, por ia ul çmimin vetes dhe lutet publikisht që ta pranojnë në gjirin e tyre socialistët.
Duhet thënë se në dosjen e Ilir Metës përmenden edhe emra të tjerë si ish-bashkëpuntorë të tij të ngushtë, të cilët, duke ndjerë rrezikun e hetimeve të SPAK i janë bashkuar Partisë Socialiste më herët.
Lapsi.al ka analizuar rastin e Agron Çelës, deputetit-biznesmen në Shkodër, për të cilin SPAK thotë se përfitoi direkt nga paratë që Ilir Meta mori nga Kastriot Ismailaj në çështjen CEZ-DIA. Por pasi iu bashkua Partisë Socialiste, Agron Çela u la i qetë të punojë për fitoren e Partisë Socialiste në Shkodër.
I njëjtë është edhe rasti i Vangjel Tavos, që në dosjen hetimore të lobimit del se ka qenë bashkëudhëtar me Ilir Metën në Greqi ku janë kryer takimet me avokatin Iraklis Fixedhis që ndihmoi në lobimin e LSI me kompaninë Dorelita Limited. Por SPAK ka pranuar dëshminë e tij se nuk ka asnjë njohje me personin në fjalë dhe e ka lënë të qetë, për sa kohë punoi për fitoren e Partisë Socialiste dhe ndihmoi Ramën të fitonte Himarën në zgjedhjet e vitit të kaluar.
Më poshtë është një nga pasazhet e dosjes së SPAK, për të cilën është në burg Ilir Meta, ku përmendet edhe marrja në pyetje e Indrit Brahimllarit dhe firma që ka hedhur ai për kompaninë JMP Strategis Solution Llc.
“Është pyetur shtetasi Endrit Braimllari i cili për periudhën 2018-2019 ka mbajtur postin
e Sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së. Ky shtetas u pyet për dijenitë që ai kishte lidhur me pagesën ne vlerën 20 mijë USD që ai në emër të partisë LSI kishte autorizuar për t’iu paguar kompanisë JMP Strategic Solution Llc. Deklaruesi Endrit sqaroi se ai nuk e mbante mend arsyen e transferimit të kësaj shume në drejtim të kompanisë JMP Strategic Solution Llc por këto shpenzime janë deklaruar pranë KQZ-së në tabelat e shpenzimeve financiare dhe në dijeninë e tij ishin audituar nga KQZ-ja. Gjithashtu, ai nuk kishte dijeni nëse midis partisë LSI dhe kompanisë JMP Strategic Solution Llc ishte lidhur një kontratë dhe se ai nuk kishte dijeni se cili ishte personi i ngarkuar me ndjekjen e ecurisë së kontratave që LSI-ja kishte lidhur me kompanitë e huaja” thuhet në dosje.
Hetimet e SPAK janë diskrete. Mund të ndodhë që prokurori të avancojë më tej në drejtim të firmës së Brahimllarit, por mund edhe ta lërë me kaq hetimin për lobimin në SHBA. Në këtë situatë, edhe Brahimllari nxiton të kapë të njëjtën komardare shpëtimi që më herët e kanë përdorur të tjerët. Prandaj lutet që “të japë kontributin e tij për Partinë Socialiste” në zgjedhjet që po afrojnë./Lapsi.al