Connect with us

Shkrime

Sazani 1.5 miliard dollarë/ Çfarë ndodhi gjatë errësirës në vilën e Donald Trump

Mënyra e fshehtë me të cilën presidenti Bajram Begaj i hapi rrugë investimit të Jared Kushner në ishullin e Sazanit, duke e nxjerrë nga Plani i Përhapjes së Forcave të Armatosura me dy dekrete sekrete, nuk është një rast i izoluar. Procesi i negociimit u zhvillua në errësirë nga ana e qeverisë shqiptare, që nuk ofroi asnjë transparencë për qytetarët për mënyrën se si do të zhvillohet një copëz e pasurisë së përbashkët publike.

Begaj firmosi fshehtas dekretet për ishullin e Sazanit (faksimile)

Nëse nuk do të ishte për investigimin e New York Times në mars të vitit 2024, nuk është çudi që shqiptarët ende sot, të mos e dinin se ç’po ndodh me ishullin e Sazanit. Supozohet se afrimi i një sipërmarrësi amerikan me idenë e një investimi 1.5 miliard dollarë, është lajm i mirë për qytetarët shqiptarë dhe qeveria duhet t’i përkushtohej totalisht. Por nga mënyra se si kryeministri Edi Rama i ka kryer negociatat përmes një komunikimi okult, aspak transparent dhe me pikëpyetje të mëdha, tregon shumë për qëllimet e tij.

Si nisën negociatat? Kush propozoi çfarë?

Jared Kushner erdhi në Shqipëri për herë të parë me bashkëshorten, Ivanka Trump në verën e vitit 2021. Ata shoqëroheshin nga sheiku Nasser Al-Khelaifi, atëherë president i PSG-së. Dy vite më pas, në verën e vitit 2023, u kthyen sërish. Kësaj radhe kishin me vete edhe Richard Grenell, ish-i dërguar i administratës Trump për Ballkanin Perëndimor dhe Asher Abehsera ortak i Kushner në biznes.

Në mars të vitit 2024, New York Times raportoi se sinjalet e para për të investuar në Shqipëri, Kushner i mori pikërisht nga Richard Grenell dhe miku i tij biznesmen, Asher Abehesera. Ky i fundit është personi në të djathtë të fotos poshtë, që qëndron në krah të kryeministrit Edi Rama.

Sipas Kushner, biseda e parë me Ramën ishte zhvilluar gjatë një takimi në Forumin Ekonomik Botëror që zhvillohet në Davos. Kishin kaluar disa muaj kur ai kishte qenë në Shqipëri dhe ai bëri një propozim gjatë një kafeje të përbashkët. Kushner tha se kishte qenë “shumë, shumë i hipnotizuar nga bukuritë e Shqipërisë”.

Edi Rama ka konfirmuar për Financial Times se interesi i parë për investimin në Sazan ishte fillimisht i Kushner.

“Në Shqipëri ishte Kushner dhe jo Grenell, që u afrua i pari. Në Serbi sigurisht që Grenell ishte iniciatori, por këtu jo”, i tha Rama të përditshmes me karakter financiar në 9 korrik të vitit 2024.

Por sipas një hetimi nga senati amerikan, të udhëhequr nga senatori Ron Wyden, një demokrat nga Oregoni fillimisht ishin zyrtarë të qeverive serbe dhe shqiptare të cilët iu afruan proaktivisht kompanisë së Jared Kushner me propozime për projekte të zhvillimit të pasurive të paluajtshme në vendet e tyre.

“Affinity i tregoi Komitetit se zyrtarë qeveritarë në Shqipëri dhe Serbi iu afruan firmës së tyre për të arritur marrëveshje në fushën e pasurive të paluajtshme. (Affinity nuk bëri të ditur identitetin e atyre zyrtarëve shqiptarë dhe serbë.) – thuhet në hetim. Pra sipas hetimit të senatit amerikan ishin të dërguarit e Edi Ramës ata që joshën dhëndrin e Trump me pasuritë e Sazanit dhe Zvërnecit.

Dërgimi i Kastratit në Mar-a-Lago

Në prononcimin që i dha New York Times në mars 2024, Jared Kushner konfirmoi se kontaktet mes tij dhe qeverisë shqiptare janë intensifikuar me ndërmjetësimin e biznesmenit Shefqet Kastrati dhe djalit të tij, Musa Kastrati.

“Ata na kanë ndihmuar të kuptojmë koston e ndërtimit dhe si të operojmë në nivel lokal”, u shpreh Jared Kushner në prononcimin e tij për median amerikane. New York Times vazhdonte po ashtu duke përmendur faktin se në tetor 2022, Shefqet Kastrati bleu një shtëpi prej 7.5 milionë dollarësh, një pronë afër vendit ku jetonin cifti Kushner-Trump. Familja Kastrati kishte blerë edhe një hotel në seksionin Brickell të Miami për 55 milionë dollarë nga familja mbretërore e Katarit.

Musa Kastrati i tha New York Times se roli që kompania e tij familjare do të luante në projektet shqiptare të zotit Kushner nuk ishte ende i qartë, por ndoshta do të përfshinte ndihmën për ndërtimin e disa prej komplekseve.

  1. Kastrati po ashtu konfirmoi se në dhjetor të vitit 2022 ka vizituar Mar-a-Lago, resortin dhe rezidencën e zotit Trump në Florida, me zotin Grenell dhe se gjithashtu ka takuar shkurtimisht zotin Trump kur ish-presidenti mbërriti teksa po darkonin. Kastrati tha se nuk kishte diskutuar për marrëveshjen e mundshme me zotin Trump.

Ndryshimet e ligjeve në heshtje për investimin e Kushner

Pa dhënë sqarime për motivet reale, Edi Rama ka ndryshuar disa ligje për të lehtësuar investimin në Sazan. Por këtë e ka bërë pa negociuar me opozitën shqiptare, duke përfituar rrjedhimisht simpatinë e investitorit amerikan, ndikimi i të cilit në veshin e Donald Trump është i padiskutueshëm. I tillë ishte ndryshimi i ligjit për zonat e mbrojtura në shkurt të vitit të kaluar, që u miratua me votën e socialistëve në parlament. Ndryshimi i ligjit e bëri më fleksibël ndërhyrjen në zonat e mbrojtura në rast se ishte e nevojshme për një investitor strategjik. I tillë ishte edhe zgjatja me një vit e afatit për ligjin e investimeve strategjike. Ligji u votua me shumicë votash nga Partia Socialiste dhe me kundërshtime të forta nga opozita. Në të dyja rastet, Rama nuk dha asnjë shpjegim se ligjet po ndryshoheshin për t’i hapur rrugë investimit amerikan në ishullin e Sazanit, duke futur në kurth opozitën, që protestoi dhe votoi kundër tyre.

Akuzat për investime në këmbim të favoreve politike me Trump

Disa nga mediat më prestigjioze në botë kanë ngritur dyshime se investimi i Jared Kushner në Ballkan ka në thelb konfliktin e interesit. Si Rama, ashtu edhe Vuçiç hamendësojnë mediat e huaja, po tentojnë ta blejnë mbështetjen e presidentit të zgjedhur të SHBA, duke i ofruar territore falas për bizneset e dhëndrit të tij. Të paktën kështu kanë aluduar shkrimet e New York Times, Newsweek dhe Frankfurter Allemagne Zeitung, të cilat e kanë përcjellë me nota dyshuese dhe kritika marrëdhënien e drejtuesve të shteteve ballkanike me investitorin amerikan. Aty aludohet për korrupsion, konfikt interesi dhe investime që bëhen në këmbim të favoreve politike. As Washington Post nuk mbeti pas me aludimet që investimi i Kushner në Shqipëri dhe në Serbi po bëhej për të përfituar nga presidenti i ardhshëm amerikan.

Pas raportimit në media, demokratët nuk qëndruan duarkryq.

Kongresmeni anti Trump, Jamie Raskin dhe kolegu i tij demokrat Robert Garcia, i dërguan një letër homologut të tyre të komisionit të mbikqyrjes, për ndikimin e politikanëve të huaj në vendimarrjen amerikane republikanit, James Comer ku shkruanin:

“Ne ju shkruajmë për t’ju nxitur të thërrisni një seancë dëgjimore në lidhje me përpjekjet e dukshme të ndikimit të Jared Kushner dhe marrëveshjet që përfshijnë investime në këmbim të veprimeve zyrtare dhe për të shqyrtuar kërcënimet që rezultojnë ndaj sigurisë sonë kombëtare”, theksohet në letër .

“Ky komision nuk mund të pretendojë se po heton përpjekjet e shtetasve të huaj që synojnë të ndikojnë anëtarët e familjeve të zyrtarëve të lartë amerikanë duke ofruar para ose përfitime të tjera, në këmbim të veprimeve të caktuara, duke vijuar t’i injorojë këto çështje,” shkruajnë dy ligjvënësit në tekstin ku kërkohet të pyetet Kushner për lidhjen e tij me Ramën dhe Vuçiçin.

Manipulimi në TV me investimin për Sazanin dhe Zvërnecin

Mashtrimi me Sazanin

Gjithsesi kryeministri Edi Rama i ka hedhur poshtë pretendimet se po e jep Sazanin që të rregullojë marrëdhëniet me Trump.

“Dhëndrin e Trump unë e kam njohur rastësisht. Ai erdhi bashkë me gruan e tij për të vizituar vendin tonë me një jaht. Ai që është pronari i jahtit më ftoi kur erdhën për t’u furnizuar. U takuam dhe kishte njerëz të tjerë dhe më pas jemi takuar disa herë” – deklaroi kryeministri Rama në “Opinion”.

“Investitorët nuk vijnë për interesin publik, ata vijnë për interesin e tyre. Interesin publik e mbron qeveria. Unë nuk pranoj leksione nga ata që kur e kanë pasur në dorë nuk kanë mbrojtur interesin publik. Ndryshe nga ç’ndodhte përpara kur thuhej “Shqipëria 1 euro” që është një formulë që funksionon, por me atë që u bënë ato që u bënë” – është shprehur ai.

Interesi publik në dorën e një njeriu të vetëm

Investimi 1.5 miliard dollarë në Sazan me siguri që do t’i shndërrojë djerrinat e braktisura të ishullit nga territore të shkreta që përdoren për qitje nga ushtarët e Vlorës, në një kompleks turistik elitar për më të pasurit e globit, të cilët do të shijojnë të pashqetësuar plazhet e virgjëra në një zonë ekskluzive, të paarritshme për vendasit nga ana tjetër e bregut. Janë pikërisht çmimet, minimumi 3 mijë dollarë dhe maksimumi 49 mijë dollarë nata në rezidencat e “Aman”, garancia më e sigurtë se qytetarët shqiptarë do t’i qëndrojnë larg plazheve të Sazanit që nga momenti që projekti nis të realizohet, përveçse kur aty të ketë nevojë për krah pune në ndërtim, në pastrim, për kamarierë, shoferë apo për shërbime gjithfarë të nevojshme në hotelet dhe vilat e kompleksit.

Duhet kuptuar pra, se premtimi për ta shndërruar ishullin e Sazanit në “xhevahirin e kurorës së artë turistike të Mesdheut”, nuk bëhet për banorët e Vlorës, apo të Orikumit, por për një shtresë ekstremisht të pasur, që mund t’ia jejojë vetes luksin e zonave ekskluzive, krah sipërmarrësve të rangut Mark Zuckenberg, Bill Gates, Kardashians etj, që janë frekuentues të rregullt të linjës së hoteleve “Aman”. Një shije të shkëputjes nga ky oaz i mrekullueshëm i të ardhmes në Sazanit, shqiptarët tashmë e kanë provuar në procesin e negociatave dhe më pas të vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike që drejtohet nga Edi Rama dhe ku qytetarët shqiptarë janë të përjashtuar.

Kështu ka ndodhur me kullat në Tiranë, kur është i njëjti njeri që vendos se ku dhe çfarë do të ndërtohet; ka ndodhur me projektin e marinës në Durrës kur qindra hektarë tokë publike iu falën arabit Mohamed Alabbar, ndodhi me marrëveshjen për emigrantët me Italinë kur iu njoh ekstraterritorialiteti qeverisë Meloni në Shëngjin dhe Gjadër, njësoj ndodhi me aleancën Shqipëri-Serbi në Ballkanin e Hapur, apo së fundmi me mbylljen e rrjetit TikTok. Të gjitha këto ngjarje kanë një pikë të përbashkët, e prekin interesin publik por vendimin e merr një njeri i vetëm./Lapsi.al

Advertisement