Connect with us

Shkrime

Deputetet shqiptarë ngelën në provim

Mënyra e miratimi të ndryshim-plotësimeve të Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, duke përligjur degradimin e gjuhë shqipe, nuk është ogur i mirë për një shtet që deri vonë është mburrur me atë që quhet tolerancë ndëretnike dhe që mëton të bëhet pjesë e familjes evropiane; nuk është ogur i mirë as për partitë dhe partiçkat shqiptare që ditë e natë rrahin gjoks për përkushtimin e tyre kombëtar për të çuar përpara kauzën shqiptare në Maqedoninë e Veriut! Fundja, nuk flet mirë as për kryeministrin e një shteti fqinj që turrevrap u bë pjesë e hartimit të politikave tona të brendshme. Dhe, është një shpatë me dy tehe edhe për kryeministrin maqedonas Hristijan Mickoski, dhe partinë e tij VMRO-DPMNE, që gjatë këtyre shtatë-tetë muajve po mundohen që me çdo kusht të zhbëjnë gjithë atë që është arritur jo me pak mund, edhe falë kësaj partie! Së këndejmi, edhe do të mirëkuptohej “inati” ndaj BDI-së së Ali Ahmetit, por si duket, partia më maqedonase nuk po mban llogari as edhe për partnerin e vet qeverisës, grupimin politik VLEN!

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

Të martën Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, me një shumicë absolute, por edhe me votimin e dyfishtë (Badinter) ka miratuar ndryshim-plotësimet e Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, të cilat, pas votimit të parë, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova nuk i dekretoi me arsyetimin se dy nene të tij (neni 9 dhe 10) nuk paskan qenë në frymën e Kushtetutës dhe Ligjit ekzistues për përdorimin e gjuhëve duke lënë të kuptohet se për të është e papranueshme që testimi dhe lëshimi i licencave për punën e çerdheve të fëmijëve të bëhet, përkatësisht dokumentet të lëshohen, krahas në maqedonisht, edhe në gjuhën shqipe. Tani, zgjidhja e ofruar ligjore, e miratuar nga shumica parlamentare thotë shprehimisht se testimi dhe licencat janë në gjuhën maqedonase, kurse gjuha shqipe varet nga dëshirë-kërkesa e kandidatit. Domethënë, nuk do të ketë dokumente dygjuhësore, me automatizëm, nëse kjo nuk kërkohet!

Mirëpo, duket se një qasje e këtillë e ligjvënësve nga radhët e shumicës parlamentare maqedono-shqiptare, duke përfillur veton e shefes së shtetit, bie ndesh me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, saktësisht me Nenin e parë të tij, i cili është mëse i qartë: (1) Në tërë territorin në Republikën e Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. (2) Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve (gjuha shqipe), gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj. (3) Në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, entet dhe organizatat, komisionet, personat juridikë që kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet tjera, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj është edhe gjuha që e flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe alfabeti i saj, në mënyrë të përcaktuar me këtë ligj”.

Më i saktë është paragrafi i dytë i Nenit gjashtë të po këtij ligji:

“Të gjitha vendimet dhe aktet e tjera, si dhe legjitimacionet që dalin nga kompetenca e
institucioneve nga neni 1 paragrafi (3) dhe neni 2 paragrafi (3) i këtij ligji, si dhe të gjitha
institucioneve tjera, janë në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik dhe në gjuhën të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë dhe alfabetin e saj nëse personi, përkatësisht pjesëmarrësi flet gjuhë të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë”.
Prandaj Ligji për gjuhët është detyrimor për institucionet dhe nuk nevojitet kurrfarë zgidhje tjetër!

Së këndejmi, është për t’u habitur se si kjo zgjidhje e debatueshme ligjore kaloi edhe “filtrin” e dytë – atë të votimit me Badinter, që, deshëm apo s’deshëm, është në dorën e deputetëve shqiptarë: Ligji mori dritën jeshile të 12 deputetëve nga radhët e komuniteteve joshumicë, ndërsa gjashtë ishin – kundër!

Prandaj edhe titulli i këtij shkrimi: Deputetët shqiptarë, të shumicës dhe opozitës, të martën e 21 janarit, ranë në provim! Për shkak se si duket po e përligjin angazhimin e partisë VMRO-DPMNE në pushtet dhe të Presidentes së vendit, Siljanovska-Davkova, për maqedonishten si kod të vetëm të komunikimit!

Natyrisht se nxjerrja e një akti të këtillë ligjor, nuk është ogur i mirë për një shtet që deri vonë është mburrur për atë që quhet tolerancë ndëretnike dhe që mëton të bëhet pjesë e familjes evropiane; nuk është ogur i mirë as për partitë dhe partiçkat shqiptare që ditë e natë rrahin gjoks për përkushtimin e tyre kombëtar për të çuar përpara kauzën shqiptare në Maqedoninë e Veriut! Fundja, nuk flet mirë as për kryeministrin e një shteti fqinj që turrevrap u bë pjesë e hartimit të politikave tona të brendshme. Dhe, është një shpatë me dy tehe edhe për kryeministrin maqedonas Hristijan Mickoski, dhe partinë e tij VMRO-DPMNE, që gjatë këtyre shtatë-tetë muajve po mundohen që me çdo kusht të zhbëjnë gjithë atë që është arritur jo me pak mund, edhe falë kësaj partie!

Së këndejmi, edhe do të mund të mirëkuptohej “inati” dhe teket ndaj BDI-së së Ali Ahmetit, por si duket, “partia më maqedonase” nuk po mban llogari as edhe për partnerin e vet qeverisës, grupimin politik shqiptar VLEN!

Logjika thotë se trajtimi i çështjeve të ndjeshme të karakterit etnik e ndëretnik, duhet bërë me kujdes, me karar, sepse teprimi, këtë na e thotë e kaluara jo shumë e largët, mund të shkaktojë, jo pak, po shumë zarar!

S’do harruar se nga mjegullnaja që ka kapluar gjeopolitikën ndërkombëtare mund të dalin nesër edhe forca që shumë kollaj mund ta rifusin vendin në një vorbull të ri krize. Mirë e ka thënë një politikan kosovar: forca bën fuqinë, por jo çdo herë! Do thoja unë!

Advertisement