Connect with us

DOSSIER

Batutat Sabri Godo- Agolli ne sallen e Kuvendit: Si u gdhive o i korruptuar…

Mars 2001, përballja e Sabri Godos me Ilir Metën kryeministër dhe akuzat për korrupsion: I thonë në fytyrë një ministri apo funksionari se ti ke vjedhur 1 milion dollar dhe e gjithë puna shket si ujët në një pllakë të lëmuar.

Korrupsioni në nivelet më të larta të qeverisjes ka qenë një nga temat më të diskutuar në politikën shqiptare dhe në media gjatë këtyre 34 viteve të tranzicionit. Ilir Meta ka dominuar një pjesë të madhe të kësaj periudhe si zyrtar i lartë i shtetit, në të paktën pesë mandate qeverisëse përmes aleancave me PD-në dhe PS-në. Gjatë kësaj periudhe, ai ka mbajtur disa poste kyçe në hierarkinë shtetërore, duke nisur nga ministër, zv/kryeministër, kryeministër dhe president.

Qysh në vitin 1999, kur Ilir Meta u angazhua si zv/kryeministër në qeverinë e PS-së dhe më pas si kryeministër, ai u bë shënjestër e akuzave të opozitës së kohës. Një ndër ata që e akuzoi ishte edhe lideri i PR-së, Sabri Godo, i cili thirri Ilir Metën në një interpelancë parlamentare.

Sabri Godo, megjithëse një figurë e rëndësishme e opozitës, dallonte nga figura të tjera të djathta. Ai nuk ishte tipi i politikanit që akuzonte pa bazë dhe pa përpikëri. Më shumë se sa për sulme të ashpra politike, Godo njihej për qasjen e tij të matur dhe të menduar, ku fjala e tij kishte gjithmonë peshë. Sabri Godo ishte gjithashtu i njohur për humorin e tij të veçantë dhe batutat e shpejta në parlament, të cilat shpesh i përdorte për të qetësuar atmosferën dhe për t’i dhënë një dimension tjetër debateve të nxehta politike. Gazeta Tema sjell një përballje të Sabri Godos me Ilir Metën në një interpelancë të thirrur për korrupsionin, në një kohë kur mediat në Shqipëri por edhe opozita, kishin lëshuar një lumë akuzash për korrupsion në drejtim të qeverisë Meta.

Sabri Godo –  Zoti Kryeministër, ju falënderoj që iu përgjigjët kërkesës së deputetëve të së Djathtës së Bashkuar për këtë interpelancë në mbyllje të vitit.

Prej kohësh shtypi denoncon çdo ditë rastet e një korrupsioni në rritje e në përmasa që duken të pabesueshme. Ky denoncim përfshin një rreth aq të gjerë njerëzish dhe u bë aq e zakontë, saqë gjeti përputhje me realitetin. Humori i hidhur deri në palcë i shkrimtarit Dritëro Agolli se mund t’i thuash tjetrit si u gdhive o i korruptuar dhe të ulesh e të pish një kafe me të, merr kuptim të plotë. I thonë në fytyrë një ministri apo funksionari se ti ke vjedhur 1 milion dollar dhe e gjithë puna shket si ujët në një pllakë të lëmuar. Ai që akuzon fërkon duart, se nuk do të vihet në përgjegjësi për të vërtetuar denoncimin, ndërsa i akuzuari vë buzën në gaz dhe mbetet i pandjeshëm. Ata nuk lagen, sado që të bjerë shi, se i kanë pendët e lëmuara. Duket sikur jetojmë në një botë të shthurur dhe të fandaksur, që ka thyer kodet e moralitetit. Këtej shikojmë shpesh gojë hapur. E keqja e madhe është se jemi mësuar të shikojmë pa reaguar dhe me forcën e duhur, dhe kjo duhet të rëndojë në ndërgjegjen e gjithkujt.

Korrupsioni i shtrirë në çdo sferë të jetës mbart me vete degjenerimin e plotë moral të pushtetit dhe të shoqërisë, asgjëson besimin e qytetarit ndaj shtetit dhe bllokon zhvillimin ekonomik. Nëse jemi në një mendje me këtë vlerësim, atëherë duhet të themi se ky nivel korrupsioni kërcënon shkatërrimin e shtetit dhe hedhjen e vendit në anarki. Këtë e shohin edhe strukturat politike dhe financiare botërore që merren me ne, të cilët në klasifikimet që bëjnë, e vënë Shqipërinë në tre-katër shtetet kampione të korupsionit, që përmban një tjetër kërcënim të madh, atë të izolimit të Shqipërisë nga bota. Në këtë pikë, ata që mbajnë pushtetin duhet të ndaleshin dhe të mendoheshin me shqetësimin më serioz për fatet e vendit, si dhe të ndërmerrnin operacione të thella. Por deri më sot nuk ka ndodhur kështu. Shumica e funksionarëve në të gjitha nivelet nuk e shohin pushtetin si një përgjegjësi qytetare, por si mjet pasurimi personal, madje sa më shpejt të jetë e mundur. E shohin si një rast që mund të trokasë në derën tënde vetëm një herë. Asnjë funksionar i akuzuar për korrupsion s’e ka parë ende derën  e Prokurorisë.

Zoti Kryeministër, ju ashtu si dhe qeveritë e mëparshme keni ngritur flamurin e luftës kundër korrupsionit, por në rast se e gjitha kufizohet me një tundje të flamurëve, ta dini mirë se korrupsioni veç do të shëndoshet. Që të mund të luftohet efektivisht një e keqe e madhe, më parë duhet të dihen foletë, që nuk janë të panjohura për ne. Megjithatë, unë po ngre edhe një herë gishtin për t’i rrëfyer.

Në radhë të parë, korrupsioni buron nga ajo që përmenda pak më sipër, në imoralitetin e pushtetarëve, që e shikon postin e vet jo si përgjegjësi, por si mjet përfitimi. Ky është burimi i të gjitha të tjerave që vijnë më pas dhe që është i vështirë për t’u luftuar, meqë e ka shtrirjen e gjerë. Një klasë e tillë pushtetarësh nuk ka ndonjë vështirësi për t’i gjetur se ku janë rubinetat e t’i vërtisë ato, siç nuk e ka të vështirë të gjejë se cilat mekanizma duhen lëvizur për të drejtuar interesin publik në mullirin personal.

Terreni më fitimprurës për korrupsionin ka qenë dhe mbetet dogana. Kalimi i një kamioni pa doganë jep 200 mijë dollarë e ndoshta edhe më shumë. Por kjo ka disa telashe, mbasi përfshin një rreth njerëzish. Duhet të kesh tëndin doganierin, drejtorin e doganës, shefin e policisë e kështu me radhë. Puna është më e thjeshtë me tenderat, se këtu rrethi ngushtohet në dy-tre personat e institucionit dhe paraja rrëshqet në fshehtësi nga çanta e shitësit në xhepin e blerësit.

Thuhet që bosët e mëdhenj të korrupsionit kohët e fundit po heqin dorë nga doganat, madje dhe nga tenderat, për t’u përqendruar te privatizimi, se këtu marrëveshja bëhet si ndërmjet zotërinjve. Objekti kushton 20 milionë dollarë dhe unë po ta jap për 200 mijë lekë të vjetra, aq sa bën një biçikletë. Atëherë, ti më jep mua së paku 5 milionë dollarë.

Zotërinj deputetë, unë nuk jam duke bërë humor, se në këtë fushë nuk ia arrij dot Dritëroit, i cili thotë me dy fjalë atë që them unë në 15 minuta. Por ne të gjithë duhet të jemi shumë të hidhëruar për dramën e rëndë që përjeton vendi kryesisht për shkak të korrupsionit, i cili rëndon mbi qytetarin e varfër, mbasi ushqen tek ai ndjenjën e nihilizmit dhe i vë kazmën ekonomisë.

Ilir Meta –

Më vjen keq, pavarësisht respektit që kam për zotin Godo, të njohur  si politikan me përvojë, që edhe ai nuk i shpëtoi një përpjekjeje për të shpërndarë pak mjegull. Qeveria që unë drejtoj nuk synon të marrë flamurin e luftës kundër korrupsionit, pra nuk është çështje flamuri, por është çështje përgjegjësie, dhe jo vetëm e Qeverisë, por edhe e opozitës, e cila mbetet shumë mbrapa maxhorancës për sa i takon vullnetit për ta luftuar realisht korrupsionin dhe që mban një përgjegjësi të madhe, mbasi e ka pasur për 5 vjet me radhë pushtetin. Korrupsioni nuk filloi në gusht të vitit ’97. Qeveria e zotit Nano pranoi të bëhej një studim nga Banka Botërore për të nxjerrë shkallën e korrupsionit, por duhet të kemi parasysh se kemi lënë pas një sistem korruptiv piramidal, që u rrëzua në vitin ’97. Ka një ndryshim të madh sot me kohën përpara 5 ose 6 vjetësh, sepse, nëse një gazetar shkruante para 5 vjetësh se, fjala vjen, zoti Blerim Çela është i korruptuar, mbyllej gazeta, hapeshin proceset gjyqësore dhe kështu askush nuk kishte guximin ta bënte një gjë të tillë. Ndërsa sot, kushdo mund të shkruajë. Drejtësia duhet të veprojë ndaj gazetarëve që spekulojnë dhe marrin në gojë personalitete të caktuara pa prova dhe fakte, por që thjesht nxiten nga motive politike të një grupi apo grupi tjetër. Po kështu, drejtësia duhet të çojë përpara përgjegjësisë ligjore edhe ministra, deputetë apo kryetarë bashkish për shpërdorime të fondeve publike dhe të pozitës së tyre.

Advertisement