Bota
It’s the energy, stupid!

E kanë quajtur “power play” e Donald Trumpit. Një lojë fjalësh: në politikë, ashtu si në sport, do të thotë një demonstrim force, një shfaqje superioriteti. Por power do të thotë edhe energji dhe, në rastin e Trumpit, përshkruan strategjinë e tij energjetike të ndërtuar mbi objektivin për të forcuar primatin amerikan: një bast agresiv mbi burimet e lëndëve djegëse fosile, naftën dhe gazin natyror, duke u mbështetur në deregullimin dhe thjeshtimet e burokracive, për të çliruar potencialin e vendit, duke lënë mënjanë shqetësimet për klimën dhe atë që ai e cilëson si një vëmendje të tepruar ndaj burimeve të rinovueshme.
Pikërisht për këtë arsye, me një nga urdhrat e tij të parë ekzekutivë, ai shpalli një “emergjencë energjetike”, duke u mbështetur në Ligjin Kombëtar të Emergjencave: jo sepse SHBA-ja po përballet me mungesë energjie – Uashingtoni është tashmë lider global në prodhimin e burimeve fosile – por sepse ambiciet e tij shkojnë përtej thjesht thyerjes së rekordeve.
Këto objektiva përmblidhen në një slogan që premton një bum të vazhdueshëm të shpimeve: “Drill, baby, drill! Do të jemi përsëri një komb i pasur dhe ari i lëngët nën këmbët tona do të na ndihmojë”, ka deklaruar ai. Duke shtuar: “Do të ulim çmimet, do të mbushim në maksimum rezervat tona strategjike dhe do të eksportojmë energjinë amerikane në mbarë botën”. Gjatë fushatës elektorale kishte premtuar përgjysmimin e çmimit të karburantit brenda një viti.
Por pasojat janë shumë më të gjera: pas retorikës pro-shpimeve ose pro-frakturimit hidraulik (fracking), fshihen objektiva strategjike me ndikime në sigurinë kombëtare, nga dominimi teknologjik deri te projektimi i fuqisë amerikane në politikën e jashtme.
Trump, jo rastësisht, është presidenti i parë që shpall një “emergjencë energjetike kombëtare”: në vitet ’70 pati vetëm emergjenca rajonale për shkak të mungesës së karburantit. Ai tani ka deklaruar se “prodhimi i pamjaftueshëm i energjisë, së bashku me transportin, rafinimin dhe prodhimin e saj në Shtetet e Bashkuara, përbëjnë një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për ekonominë kombëtare, sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme”. Përgjegjëse për këtë situatë, sipas tij, janë “politikat miope të administratës së mëparshme”.
Deklarata përcakton që departamentet dhe agjencitë federale duhet të eksplorojnë përdorimin e tokave publike, përfshirë shpronësimet kundrejt kompensimit, për të “lehtësuar identifikimin, dhënien me qira, vendosjen, prodhimin, transportin, rafinimin dhe prodhimin e burimeve energjetike vendase”. Në lojë është gjithashtu edhe përdorimi i Defense Production Act, i cili parashikon ndërhyrje nga Shtëpia e Bardhë për të përshpejtuar projekte thelbësore për vendin. “Emergjenca do të zhbllokojë një sërë kompetencash”, ka siguruar një zyrtar i lartë i administratës.
Përdorimi i kompetencave të emergjencave lejon gjithashtu pezullimin e kufizimeve të përcaktuara në një sërë ligjesh mjedisore, duke filluar nga mbrojtja e specieve të rrezikuara, Endangered Species Act, deri te cilësia e ujërave, Clean Water Act.
Ndërkohë, një urdhër ekzekutiv paralel ka krijuar Këshillin Kombëtar të Dominimit Energjetik, një organ ndërministror i drejtuar nga Sekretari i Brendshëm, Doug Burgum. Që nga themelimi i tij, ky organ ka si mision promovimin e industrive energjetike kombëtare duke centralizuar dhe koordinuar politikat energjetike si një shtyllë e sigurisë së vendit.
Energji për Inteligjencën Artificiale
Qasja e re mbi rëndësinë e prodhimit të energjisë ndërthuret, që në hapat e parë të administratës së re, me një tjetër fushë strategjike që ka implikime për sigurinë kombëtare dhe që SHBA-ja synon ta dominojë: inteligjenca artificiale, e cila ka rritur ndjeshëm kërkesën për energji elektrike, për funksionimin e qendrave të mëdha të të dhënave, të cilat po shtohen me shpejtësi. Kjo ka çuar në një riaktivizim të impianteve të vjetra të prodhimit të energjisë me qymyr, si dhe në hapjen e rrugës për termocentrale të kontrolluara drejtpërdrejt nga gjigantët e teknologjisë, përfshirë edhe reaktorë bërthamorë të gjeneratës së vjetër dhe të re.
Për partnerët e Uashingtonit, ky ndryshim është bërë i qartë përmes përmbysjes së prioriteteve në skenën ndërkombëtare: SHBA-ja ka dalë menjëherë nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, duke hequr dorë nga angazhimet për reduktimin e emetimeve, të cilat Trump i ka cilësuar si të dëmshme për interesat amerikane.
Nafta dhe gazi
Shtetet e Bashkuara nuk e kanë neglizhuar aspak prodhimin e naftës dhe gazit vitet e fundit. Ato janë tashmë eksportuese neto të energjisë së prodhuar nga burimet fosile dhe prej gjashtë vitesh kryesojnë botën për nga prodhimi i naftës dhe gazit natyror. Prodhimi mesatar ditor ka kaluar 13 milionë fuçi.
Trump synon ta stimulojë edhe më tej këtë prodhim, ndonëse kërkesa dhe përfitueshmëria e investimeve do të jenë faktorët përcaktues, pavarësisht dëshirave të tij, sipas ekspertëve. Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, ka theksuar se planet ekonomike të administratës bazohen në formulën “3-3-3”: përveç zvogëlimit të deficitit buxhetor në 3% dhe rritjes ekonomike në 3%, administrata synon të rrisë prodhimin ditor të naftës me 3 milionë fuçi shtesë.
Gazi natyror dhe eksportet
Në sektorin e gazit natyror, masat e Trump mund të kenë ndikim më të shpejtë. Në tregun e brendshëm, gazi është tashmë burimi kryesor i energjisë elektrike, por është gjithashtu një burim kryesor eksporti, dhe tani mund të rritet akoma më shumë falë vendimit të Trump për të hequr ndalimin mbi lejet e reja për eksportin e gazit të lëngshëm dhe për të lejuar ndërtimin e terminaleve të reja. Ky vendim ka ardhur si kundërpërgjigje ndaj administratës së Joe Biden, e cila i kishte pezulluar për të shqyrtuar ndikimin e tyre mjedisor dhe ekonomik.
Për më tepër, Trump ka shfuqizuar disa kufizime të tjera, përfshirë penalizimet mbi emetimet e metanit, një nga gazrat më të dëmshëm për efektin serë, që lidhen me nxjerrjen e naftës dhe gazit.
E ardhmja e qymyrit
Megjithatë, sipas ekspertëve, Trump nuk ka gjasa të ndikojë ndjeshëm në ringjalljen e industrisë së qymyrit në një perspektivë afatgjatë. Ky sektor ka pësuar një rënie të thellë, dhe megjithëse qymyri ende përbën rreth 16% të prodhimit të energjisë elektrike, trendi i rënies duket i pashmangshëm.
Energjia bërthamore dhe rrjetet
Energjia bërthamore, ndryshe nga burimet e tjera, duket se do të luajë një rol qendror në dominimin energjetik të imagjinuar nga Shtëpia e Bardhë. Në radhë të parë janë disa teknologji të reja, si mini-reaktorët ose reaktorët modularë të gjeneratës së re. Në kabinetin e Trump ka mbështetës të fortë të energjisë bërthamore: Chris Wright, Sekretari i Energjisë, ka qenë anëtar bordi në kompani që zhvillojnë teknologji të avancuara për reaktorë, si Oklo.
Deri tani fokusi ka qenë te prodhimi, por edhe përkrahësit e politikave të Trump pranojnë se problemi kryesor nuk është prodhimi i energjisë, por infrastruktura e rrjetit elektrik, e cila është e papërshtatshme për rritjen e kërkesës.
Administrata është zotuar ta adresojë këtë sfidë, duke premtuar përshpejtimin e miratimeve dhe ndërtimit të sistemeve të transmetimit, të cilat zakonisht zgjasin me vite apo dekada. “Përshpejtimi i procesit të lejeve dhe vlerësimeve mjedisore për infrastrukturën e transmetimit mund të sjellë përmirësime”, thuhet në një raport të bankës investuese Morgan Stanley.
Burimet e rinovueshme
Viktimat e paracaktuara të kësaj qasjeje, megjithëse mbetet për t’u parë deri në çfarë mase, janë burimet e pastra dhe të rinovueshme. Këto burime kanë qenë të mbështetura nga politika të mëparshme për të adresuar ndryshimet klimatike, një shqetësim që Trump e minimizon.
Dielli dhe era nuk janë përfshirë në përkufizimin e energjisë në dekretet e Trump, ku janë listuar vetëm nafta, gazi, uraniumi, qymyri, biokarburantet, gjeotermia, hidrocentralet dhe mineralet e rralla. Kjo ndodh megjithëse burimet e rinovueshme përbëjnë 14% të prodhimit të energjisë elektrike, ku dominon energjia diellore dhe ajo e erës. Për më tepër, kompanitë private kanë investuar fuqishëm në këtë sektor, me 130 miliardë dollarë vetëm në dy vitet e fundit për panele diellore dhe bateri të fuqishme për ruajtjen e energjisë.
Trump dhe ekipi i tij i kanë cilësuar energjitë e rinovueshme si të pasigurta dhe të paqëndrueshme. Madje, ata kanë ngrirë çdo fond të miratuar më parë nga administrata e Joe Biden për burimet e pastra dhe tranzicionin energjetik, duke përfshirë Inflation Reduction Act, një paketë e madhe investimesh në energjinë e gjelbër. Ata gjithashtu kanë bllokuar dhënien e lejeve dhe licencave për energjinë e erës, veçanërisht për projektet offshore. Trump, gjatë fushatës, i kishte kritikuar turbinat e erës për pamjen e tyre dhe dëmet e pretenduara ndaj faunës detare. Tani ai ka urdhëruar një rishikim të kontratave ekzistuese, me qëllimin për të gjetur arsye ligjore për anulimin e tyre.
Ekipi dhe industria
Anëtarët kryesorë të administratës së Trump për politikën energjetike janë të gjithë mbështetës të fuqishëm të industrisë fosile.
Lee Zeldin, ish-kongrsmen, ka bërë të qartë se Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) do të ketë një qasje shumë më të butë ndaj rregulloreve mjedisore.
Doug Burgum, ish-guvernatori i Dakotës së Veriut, ka theksuar rëndësinë e “prodhimit bazë”, pra burimeve tradicionale të energjisë.
Chris Wright, Sekretari i Energjisë, ka qenë më parë CEO i Liberty Energy, një kompani që promovon fracking. Ai ka deklaruar se ndryshimi klimatik nuk është një krizë dhe se nuk jemi në një tranzicion energjetik. Në vitin 2019, për të demonstruar mbështetjen e tij për frakturimin hidraulik, ai piu para kamerave një lëng të përdorur në këtë proces, duke shkaktuar polemika.
Industria e naftës dhe gazit
Lobimi i industrisë së naftës dhe gazit, i përfaqësuar nga American Petroleum Institute, ka tashmë një aleat të sigurt në Shtëpinë e Bardhë dhe ka mirëpritur hapat e parë të administratës. Ata kishin kërkuar – dhe kanë marrë – miratimin e eksporteve të reja të gazit natyror të lëngshëm (GNL).
Administrata gjithashtu ka lehtësuar shfrytëzimin e tokave federale dhe ka propozuar hapjen e zonave të mbrojtura për kërkime të reja të naftës dhe gazit. Aktualisht, 25% e nxjerrjes së naftës në SHBA ndodh në këto territore, përfshirë 13% nga platformat në det.
Për më tepër, industria ka përfituar nga lehtësimet për gazsjellësit dhe naftësjellësit, të cilat janë bërë më të kollajta për t’u ndërtuar. Një tjetër masë e rëndësishme është tërheqja e rregullave të Komisionit të Letrave me Vlerë (SEC), që më parë kërkonin transparencë mbi ndikimin mjedisor të aktiviteteve të korporatave. Në epokën e re të Trump, këto detyrime janë eliminuar për kompanitë e naftës dhe gazit, duke reflektuar një kthesë të plotë në favor të industrisë së energjisë së prodhuar prej burimeve fosile.
Il Sole 24 Ore

