Connect with us

Shkrime

Trump po ndëshkon botën për suksesin e saj, Amerikën për dështimet e veta

Presidenti Donald Trump ka vendosur tarifa të reja, të paktën 10%, mbi pothuajse çdo produkt që hyn në SHBA, duke krijuar një “mur ekonomik” për të mbrojtur vendet e punës dhe prodhimin vendas. Kjo politikë proteksioniste përfaqëson një kthim historik në kohën kur SHBA financohej kryesisht nga tarifat doganore dhe kishte një qasje të fortë mbrojtëse ndaj tregtisë ndërkombëtare.Vendimi i Trump shënon një largim të qartë nga globalizimi, një proces që SHBA jo vetëm që e udhëhoqi por edhe përfitoi ndjeshëm prej tij. Me këtë kthesë, Shtëpia e Bardhë sfidon parimet themelore të ekonomisë klasike dhe diplomacisë multilaterale.

Tregtia e lirë dhe historia amerikane

Trump është kthyer pas në vitin 1913 për të justifikuar qasjen e tij, një vit ku SHBA miratoi taksën federale mbi të ardhurat dhe uli ndjeshëm tarifat. Sipas tij, tarifat e larta historikisht ndihmuan në ngritjen e fuqisë industriale amerikane dhe se rikthimi i tyre do ta bëjë Amerikën “ madhe” sërish.Kjo bie ndesh me teorinë klasike të përparësisë krahasuese të David Ricardo-s, sipas së cilës vendet duhet të specializohen në ato që prodhojnë më mirë dhe të tregtojnë lirshëm për të rritur mirëqenien globale. Ndërkohë që shumica e vendeve perëndimore ende besojnë në këtë qasje, SHBA duket se po distancohet gjithnjë e më shumë.

Tarifat “reciproke”: matematikë politike, jo ekonomike

Qeveria e Trump ka krijuar një metodë për të justifikuar tarifat e reja të personalizuara për secilin vend, bazuar jo në barriera reale tregtare, por në madhësinë e suficitit që vendi përkatës ka me SHBA-në. Llogaritja është e thjeshtë: marrin deficitin tregtar dhe e ndajnë me importet, duke e përkthyer këtë automatikisht në “mashtrim“.Qëllimi i deklaruar është të çojë në zero deficitin tregtar amerikan prej 1.2 trilionë dollarësh. Kjo logjikë injoron realitetin se suficitet dhe deficitet janë pjesë normale e dinamikës tregtare dhe pasqyrojnë përparësitë natyrore dhe teknologjike të vendeve. Shërbimet, ku SHBA ka një suficit të madh, nuk janë llogaritur fare në këtë model.Po si mund ta shpjegojmë thjeshtë ketë problem defici-suficit?

Lapsi.al sjell një shembull të thjeshtë:

Le të themi që SHBA importon mallra nga Meksika me vlerë 100 miliardë dollarë, por eksporton vetëm 70 miliardë dollarë.  Pra, SHBA ka një deficit tregtar prej 30 miliardë dollarë me Meksikën.Formula do ishte: 30 miliardë dollarë (deficiti) pjesëtuar me 100 miliardë dollarë (importet) = 30%Sipas kësaj llogarie, SHBA do vendoste një tarifë prej 30% mbi mallrat nga Meksika.

Por pse është problematike kjo llogjikë?

Sepse kjo logjikë nuk merr parasysh se nuk është domosdoshmërisht “mashtrim” nëse një vend ka suficit tregtar. Mund të jetë thjesht më i mirë në disa produkte (p.sh. Gjermania në makina, Kina në elektronikë).Vendet nuk kanë për detyrë që tregtia të jetë “0 me 0” me çdo partner.Sektori i shërbimeve, si bankat, teknologjia apo media, ku SHBA ka fitime të mëdha, janë përjashtuar krejtësisht nga kjo logjikë. Dhe pikërisht aty SHBA ka suficit, pra fiton më shumë sesa harxhon.

Nga Ricardo te “tronditja kineze”

Trump nuk ndjek më parimet e Ricardo-s, por është frymëzuar nga David Autor, ekonomist i MIT-it, i cili identifikoi “tronditjen kineze” si një faktor kyç në rënien e vendeve të punës në prodhim në SHBA pas hyrjes së Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë në vitin 2001. Rreth 2.4 milion vende pune u humbën.Kjo humbje, e përqendruar gjeografikisht, ndikoi në ndryshimin e mbështetjes politike, në favor të Trump. Edhe pse analiza e David Autor tregon se tarifat e Trump në mandatin e parë nuk patën ndikim ekonomik të ndjeshëm, ato patën ndikim elektoral.

Premtimi për rikthimin e prodhimit në SHBA

Administrata aktuale përdor tarifat si një mjet për të bindur kompanitë të rikthejnë prodhimin në SHBA. Strategjia është e dyfishtë: Biden ofron stimuj (karota), ndërsa Trump ofron tarifa (shkopi). Disa punëtorë të sindikatave e kanë përqafuar këtë politikë, duke shpresuar në ringjalljen e vendeve të punës.Megjithatë, pretendimi i Trump se tregtia e lirë “e ka përdhunuar” SHBA-në nuk pasqyron realitetin e përgjithshëm. Ekonomia amerikane ka përfituar jashtëzakonisht nga globalizimi, veçanërisht sektori i shërbimeve dhe markat e mëdha konsumit që kanë operuar me zinxhirë furnizimi globalë.Problemi ishte shpërndarja e pabarabartë e përfitimeve brenda vendit, një çështje më shumë e politikave të brendshme sesa e vetë tregtisë.

Lufta e parë tregtare në epokën e rrjeteve sociale

Veprimi i SHBA për të “risjellë” prodhimin po nxit vendet e tjera të rishikojnë marrëdhëniet me tregun amerikan. Kompanitë amerikane që varen nga prodhimi i lirë në Azi dhe konsumi global janë goditur fort në bursa. Imazhi i markës së tyre ndërkombëtare është në rrezik. Kjo mund të jetë lufta e parë tregtare në epokën e rrjeteve sociale, ku reagimet e konsumatorëve globalë, si ato kundër Teslës apo produkteve amerikane në Kanada, mund të kenë ndikim më të madh se tarifat e qeverive.

Vendet që për vite kanë qenë punishte për tregun amerikan tani po kërkojnë aleanca të reja, duke u përpjekur të anashkalojnë një SHBA gjithnjë e më të paparashikueshme. Kërcënimi i Trump për të rritur tarifat ndaj vendeve si BE dhe Kanadaja nëse ato kundërpërgjigjen zbulon rrezikun e një lufte tregtare të plotë. Në këtë “lojë strategjike”, besueshmëria është thelbësore, por një formulë e thjeshtëzuar që etiketon çdo suficit si “mashtrim” është e lehtë për t’u kundërshtuar.

Absurdët e prodhuar nga kjo logjikë, përfshirë tarifimin e vendeve të parëndësishme apo të pabanuara, e bëjnë politikën e SHBA të duket më shumë si vetëdëmtim. Pjesa tjetër e botës po e sheh SHBA-në si vendin që po godet veten. Tregjet financiare reaguan, bursat ranë në SHBA më shumë se kudo tjetër. Inflacioni pritet të rritet ndjeshëm. Wall Street tashmë e llogarit si të mundshëm recesionin. Disa analistë sugjerojnë se qëllimi i vërtetë mund të jetë dobësimi i dollarit dhe ulja e kostove të borxhit për SHBA-në. Por pavarësisht qëllimit, dalja e SHBA-së nga sistemi tregtar global është realitet, dhe kalimi drejt një rendi të ri do të jetë i trazuar.

BBC

Advertisement