Connect with us

Shkrime

Demokratët të ngrohur nga fjalët e ‘Sherifit’, por të plevitosur nga sondazhet për Ramën

Nga Ben Andoni

Partia Demokratike ka zhvilluar në orët e fundit një fushatë alla amerikane, me tingujt e asaj muzike, me frymën e saj dhe ndihur edhe nga një përfaqësues i njohur i lobimeve amerikane. Konsulenti Chris LaCivita ka qenë i kursyer me fjalët (i kanë matur sekondat), ndërkohë që duket se do t’i duhet të mësojë më shumë për Ballkanin. Fryma bizantine, e cila gjallon tek ne dhe më gjerë, duket se nuk e ka infektuar, por konfuzuar. Veçse, ngazëllimi i njerëzve të PD-së është shtuar më shumë prej qenies së tij fizike sesa nga fjalët e liderit Berisha. Akoma duket e paqartë ideja e sloganit  “Shqipëria madhështore” (përjashtuar kopjimit të frymës Tramp), kur në protestat e pak javëve më parë është folur dhe mëtuar se duhet edhe ta shpëtojmë Shqipërinë nga katastrofa! Ky është një kalim pindarik, nëse do merret për ide frymëzimi i tyre, pasi një akt i tillë kërkon dekada dhe jo një mandat. Është një variant modern i “Rilindjes” së socialistëve, e cila humbi rrugës prej kujtimit të madhe që përçoi Rilindja e vërtetë kombëtare shqiptare. Ishte koha kur u fol që një kombi t’i bëhej shteti, kur kjo as nuk i shkonte në mend vetë shqiptarëve.

Në stilin alla Ramë që premton për vitin 2030, ndërkohë që mandati i ardhshëm (te socialistët dhe tek sondazhet fitorja nuk mëdyshohet) mbaron në vitin 2029 tregon shumë. Rëndësi ka pushteti, jo premtimi. Deklarata e LaCivita-s se programi i PD-së është trampist i ka ngrohur shumë njerëzit e elektoratit blu. Është anashkaluar fakti që Berisha është non-grata nga administrata amerikane, një element me të cilin vetë Berisha po mjedisohet, paçka se njerëzit afër tij kanë kaluar deri në paradokse, sipas të cilëve non-grata është hequr!

Por, s’është e vetëm fenomen shqiptar. Kryeministri autokrat hungarez Orban pak kohë më parë do shprehej se “Tornado Trump e ndryshoi botën në pak javë”, kurse liderët e partive të Djathta evropiane në Madrid, fill pasi Trump u ngjit në pushtet do të shpreheshin se do bënin MEGA (paralelizëm me MAGA-“Make America great again”). Nuk po kujtojmë efektin e kundërt që ka bërë politika e Trump në Danimarkë, Kanada e Meksikë, por pas ofendimit që iu bë presidentit Zelenski, edhe Le Pen në Francë e Geert Wilders nga e djathta e ashpër holandeze, dolën në mbështetje të Ukrainës. Vala populiste e Trump nuk është ngritur ashtu siç pritej, e për më tepër mungesa e argumenteve të mjaftueshëm , nga ana e njerëzve të tij, për të justifikuar dekretet e presidentit amerikan po ndihen dukshëm. Impakti i politikave të tarifave ka ardhur deri në Shqipëri, paçka se ne jemi kursyer qoftë në 10% e tyre por edhe me atë vëllim shkëmbimi që ndajmë me SHBA-në. Por ata që rrethojnë PD-në janë më shumë të interesuar për fitoren sesa për mënyrën sesi do shkohet drejt saj. Fati i madh i qeverisjes socialiste është se lëvizjet e sotme populiste të Djathta mbështeten në zhurmën dhe narrativën që bëhet kryesisht në luftërat kulturore dhe emigracionin, por jo në politikën e jashtme. Kjo e fundit është më afër narrativës së Ramës. E Djathta s’po kupton se Shqipëria është e papërfillshme në politikat e Trump (jemi ende pa ambasador) dhe e dyta politika e jashtme këtë herë është më afër socialistëve, pasi të hënën e 14 Prillit 2025 çelën Grupkapitullin II. Zakonisht, të Djathtët përpiqen shumë mbi identitetin kombëtar dhe tek PD-ja e gjen deridiku këtë frymë, por me një mungesë racionaliteti që është shqetësuese. Zbërthimi i programit të bën të kuptosh se premtimi i varfërisë është më shumë politikë e të Majtës. Shqiptarët e ikur nuk i kthen dot më, ndërsa ata që po përgatiten të ikin nuk i ndalon dot për asnjë qëllim dhe shpresë. Premtimet duhet ta kenë stekën atje ku mund të kalohet, por jo në stratosferë.

Partia Demokratike ka meritën se erdhi fill pas qeverisjes së Partisë së Punës, por me kohë tregoi se nuk ishte larguar nga trashëgimia e saj. Shmangja e kundërshtarëve ndër vite dhe etiketimi i armiqve të shumtë, deri në përleshjen e 8 Janarit 2025 janë të pashlyeshme në kujtesën e demokratëve të thjeshtë. Ashtu si me PD-në lidhen shumë suksese të vendit dhe sidomos përshtatja e legjislacionit për respektimin e lirisë ekonomike, cilësimit të mbrojtjes së pronësisë private dhe konkurrimit të lirë në ekonomi e tregti, ashtu edhe me punët e mëdha që u bënë me infrastrukturën për ndryshimin e vendit, ku kulmon Rruga e Kombit, e cila na bashkoi me Kosovën. Madje edhe shumë reforma të ashpra të sistemit kapitalist, pas vitit 1992, kur erdhi në fuqi, paçka përshtatjes, ishin meritë. Në tre raste, Berisha ishte protagonist i ndryshimeve. Ai në vitin 1992, kur tashmë e drejtonte krejtësisht PD-në, kohë e mbushur me vështirësi; rikthimi i 2005, kur pas ngjarjeve që pasuan ’97 ardhja e tij as nuk mendohej dhe ajo e fundit që ndodhi para dy vjetësh kur nisi lëvizjen “Foltorja”, duke i marrë partinë benjaminit të tij, Lulzim Basha.

Sot, në vitin 2025, mëton rikthimin e tretë në pushtet në një moment jashtëzakonisht kritik për vazhdimësinë e PD-së, pasi në lojën e historisë është vetë ekzistenca e saj si PD, që përfaqëson mbështetjen e të Djathtëve.

Bash në këtë qerthull do i duhet të vendosë ekspertizën e tij LaCivita, që ende e ka ta paqartë pozicionin. Duke pasur parasysh se strategët nuk flasin, roli i tij mendohet se është shumë i komplikuar dhe prej situatave amerikane. Duke iu referuar “HuffPost” ekipi i LaCivita-s për të ndihmuar Berishën është zgjeruar, duke përfshirë sondazhierin e njohur Tony Fabrizio dhe bashkëpunëtorin e vjetër të Manafort-it, Phil Griffin. Fati i madh i PD-së është se autoritetet e reja amerikane i kanë zbutur politikat ndaj lobistëve. Flitet për sistemin FARA, ku kolegët amerikanë të “HuffPost” deri më 11 Prill “tregonte se asnjë nga të përfshirët në fushatën e Berishës nuk është regjistruar për të lobuar në emër të tij”.

Qetësia e Ramës dhe konsumimit të madh, pas problemeve të mëdha të vartësve të tij me korrupsionin dhe një ekip të tërë në burg, tregon se LaCivita dhe Amerika ende nuk trembin tek rozët-mavi të të Majtëve. Ndërkohë që për të Djathtët, kjo fushatë është gati jetike për interesat e tyre dhe atë që përfaqësojnë. Në udhëkryqin e sotëm ku kanë mbetur demokratët duket se do duhet sinqerisht busulla amerikane, por edhe ajo që është mbështetja kryesore e tyre: Lodhja e publikut me narrativën socialiste. Siguria dhe besimi i Berishës por edhe një vazhdë ngjarjesh me ardhjen e LaCivita të kujton deridiku shprehjen e Ruzvelt: “Në politikë asgjë nuk ndodh rastësisht. Nëse ndodh, mund të vini bast se ishte planifikuar në atë mënyrë”. Po a është e qetë PD-ja me bastin para udhëkryqit të madh historik? Deri më tani, publiku ende shikon tulatje, kurse rasti i tyre quhet thjeshtë: shpresa për pushtet! (Homo Albanicus)

Advertisement