Shkrime
Nëntë sfida në valixhen e Melonit përpara takimit me Trump

Kur Xhorxhia Meloni niset drejt Uashingtonit për takimin e saj të parë bilateral me Donald Trump, ajo nuk mban me vete vetëm flamurin italian, por edhe një barrë të rëndë politike dhe diplomatike. Takimi i shumëpritur me presidentin amerikan, tashmë sërish në qendër të skenës globale, është një mundësi për të forcuar lidhjet personale dhe për të rritur profilin e saj ndërkombëtar. Por pas këtij momenti simbolik fshihen plot nëntë probleme të mëdha, që e vënë Melonin përballë një akti të ndjeshëm ekuilibrimi mes Uashingtonit dhe Brukselit.
Që nga presioni për të ruajtur unitetin e BE-së, deri te kritikat për pozicionin e paqartë ndaj Ukrainës, sfidat me Salvini, apo rreziku i perceptimit si zëdhënëse e Trumpit në Evropë, Meloni i afrohet këtij takimi në një udhëkryq që mund të përcaktojë rolin e saj, dhe të Italisë, në raportet ndëratlantike të viteve që vijnë.
Nga Angela Giuffrida, The Guardian
E ulur vetëm në fund të një darke zyrtare, nën llambadarë, pranë një tavoline me trëndafila të bardhë dhe verë të pambaruar, Xhorxhia Meloni dhe Donald Trump janë zhytur në bisedë.
Është fillimi i dhjetorit dhe ata janë fotografuar në një dhomë ngrënieje luksoze të Pallatit Élysée, ku presidenti francez, Emmanuel Macron, priti mysafirë pas rihapjes së Katedrales Notre Dame.
Ishte hera e parë që kryeministrja e ekstremit të djathtë italian takonte Trumpin, një takim që pasonte vite të ndërtimit të marrëdhënieve me militantët e fushatës “Ta Bëjmë Amerikën Përsëri të Madhe” (MAGA). Për aq sa dimë, ata mund të kenë krijuar lidhje përmes përçmimit të përbashkët ndaj kuzhinës franceze.
Çfarëdo që të jetë diskutuar, duket se Meloni ka patur ndikim. Më vonë Trump e përshkroi atë si “shumë energjike dhe dinamike” dhe dikë me të cilin mund të punonte “për ta rregulluar pak këtë botë”. Ka të ngjarë që ai të ketë marrë raporte pozitive për të nga Elon Musk, me të cilin kryeministrja italiane është takuar disa herë dhe të cilin ajo e ka quajtur “një burrë brilant”.
Ndërsa marrëdhënia përparonte, Meloni bëri një vizitë të shpejtë në klubin e golfit të Trumpit në Mar-a-Lago në Florida një muaj më vonë dhe ishte e vetmja lidere evropiane që mori pjesë në inaugurimin e tij si president i SHBA.
Tani ndikimi i saj mbi Trump do të vihet në provë kur të dy të ribashkohen në Uashington të enjten për samitin e tyre të parë bilateral. Meloni është liderja e parë evropiane që takohet me Trump pas vendimit të tij për të pezulluar disa nga rritjet e planifikuara të tarifave javën e kaluar.
Samiti do të ndiqet nga afër. Nga njëra anë, është një mundësi ideale për Melonin që të demonstrojë afërsinë me Trumpin, me të cilin ajo ndan instinkte të natyrshme politike, duke rritur njëkohësisht pozitat e saj si një kanal për dialog më domethënës. Nga ana tjetër, do të jetë një akt ekuilibrimi i ndjeshëm për kryeministren, e cila gjithashtu e di që duhet të ruajë besnikërinë ndaj partnerëve të BE-së.
Në prapaskenë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Meloni besohet se kanë diskutuar një plan loje. Megjithatë, udhëtimi i saj e vetme ka shkaktuar shqetësim mes aleatëve të BE-së, me ministrin francez të industrisë, Marc Ferracci, që paralajmëroi javën e kaluar se kjo rrezikonte të minonte unitetin evropian përballë tarifave të SHBA.
Shqetësimet e tyre nuk janë pa bazë. Meloni, një ish-euroskeptike, mbrojti një sulm të ashpër kundër vlerave evropiane nga zëvendësi i Trumpit, JD Vance, në Konferencën e Sigurisë në Mynih në shkurt. Ajo do të rikthehet në Romë të premten për të takuar JD Vance, i cili ndodhet në Itali për fundjavën e Pashkëve.
Sa i përket Ukrainës, megjithëse ka ndjekur aleatët gjatë administratës së Joe Bidenit, partia e saj Vëllezërit e Italisë abstenoi për herë të parë në mars në një rezolutë të Parlamentit Evropian që riafirmonte mbështetjen për Kievin kundër agresionit rus. Ajo ka qenë e vakët ndaj “koalicionit të të gatshmëve” të propozuar nga Macron dhe Keir Starmer (ky term i referohet një grupi shtetesh ose udhëheqësish që janë të gatshëm të veprojnë së bashku për një qëllim të përbashkët, edhe nëse jo të gjithë aleatët tradicionalë marrin pjesë – shënim i Lapsi.al).
Kathleen van Brempt, një eurodeputete belge socialiste dhe nënkryetare e komisionit të tregtisë ndërkombëtare në Parlamentin Evropian, tha se shqetësimet për Melonin ishin të kuptueshme.
“Por duhet të jemi pak më të nuancuar,” tha van Brempt. “Meloni e di që i duhet mbështetja e Këshillit, Komisionit dhe Parlamentit në të gjitha bisedat që ka. Ajo nuk mund të shkojë më larg se sa është rënë dakord. Qëllimi i parë është të kesh dikë në anën tjetër të tryezës së negociatave. Kjo është pikërisht ajo që Meloni do të përpiqet të bëjë në Uashington.”
Antonio Giordano, deputet i Vëllezërve të Italisë dhe sekretar i përgjithshëm i Partisë së Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë (ECR), i cili mori pjesë në konventën kombëtare republikane në SHBA vitin e kaluar, tha se përparësi e Melonit do të ishte të zhvillonte një bisedë të sinqertë me Trumpin, për atë që shpresohet të jetë një bisedë që do të zhbllokonte ngërçin BE-SHBA.
“Kjo është natyra e Melonit, kur ka një problem, ajo tenton ta përballojë drejtpërdrejt, të flasë për të,” tha Giordano. “Ky është objektivi i parë i diskutimit, pavarësisht nga rezultatet e mundshme.”
Giordano tha se megjithëse Vëllezërit e Italisë, një parti me origjinë neofashiste, ka një afërsi të natyrshme me Republikanët e Trumpit, Meloni ishte e aftë të “arrinte një nivel të rëndësishëm empatie me të gjithë”.
“Ajo bëri një punë të shkëlqyer edhe me Joe Biden,” tha ai. “Natyrisht, ajo do të përfaqësojë Italinë, por gjithashtu ka qenë e qartë se Europa duhet të jetë kompakte. Në të njëjtën kohë, ajo ka theksuar gjithmonë që Europa duhet të mbajë një dialog të hapur [me SHBA] dhe që të mos mbyllim derën për një aleat natyral.”
Meloni nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të jetë e kujdesshme. Me Italinë si eksportuesi i tretë më i madh i BE-së drejt SHBA, ajo do të jetë nën presion për të mbrojtur interesat e bizneseve dhe investimeve italiane. Disa thonë se ajo mund të përpiqet të përjashtojë specialitetet vendase si pasta, djathi dhe vera nga tarifat.
Një çështje tjetër kyçe do të jetë rivali më i madh tregtar i SHBA: Kina. Meloni udhëtoi drejt këtij vendi vitin e kaluar për të rivendosur marrëdhëniet tregtare pas tërheqjes së Italisë nga nisma e diskutueshme “Brez dhe Rrugë” për investime në infrastrukturë. Megjithatë, pritet që ajo të distancohet nga përpjekjet brenda BE-së për të forcuar lidhjet me Kinën në mes të luftës tarifore me SHBA.
Në vend, Meloni është gjithashtu nën presion për të ruajtur unitetin në koalicionin e saj qeverisës, veçanërisht me Matteo Salvini, i cili së fundmi u rizgjodh si lider i partisë së djathtë ekstreme Liga, duke e sfiduar atë me mbështetjen e tij të hapur për Trumpin dhe kritikat ndaj politikave të BE-së për Ukrainën.
Por, sado të ndërthurura të jenë instinktet e tyre politike, Meloni mund të ketë nevojë të ulë pritshmëritë për aftësinë e saj për të qenë “pëshpëritësja” e Trumpit në Evropë.
“Ajo ka krijuar një iluzion se është ‘e zgjedhura’ e Trumpit, por është gjithnjë e më e qartë se kjo nuk po ndodh,” tha Sandro Gozi, eurodeputet i grupit Rinovo Europën dhe ish-ministri italian për çështjet evropiane. “Trump e sheh BE-në si një pengesë për strategjinë e tij imperialiste dhe nuk po bën asgjë për ta fshehur këtë. Por nëse do të negociojë me ne, do ta bëjë përmes von der Leyen, jo Melonit.”
Besnike ndaj karakterit të saj, teksa Meloni afrohet me Trumpin, ajo ka qenë gjithashtu në kontakt me disa nga opozitarët e saj italianë, duke marrë pjesë së fundmi në kongresin e Azione, një parti liberale qendrore.
Kreu i partisë, Carlo Calenda, tha se Meloni ishte “në një udhëkryq”, përballë dilemës për të zgjedhur mes SHBA-së dhe Evropës.
“Unë ia thashë këtë kur erdhi në kongres,” tha ai. “Ka një autokrat në aspirim në Shtëpinë e Bardhë që na konsideron armiq, plani i tij është të ndajë Europën. Por e ardhmja jonë është e pandashme nga Evropa, dhe Italia duhet të jetë pjesë e vendimeve që merren së bashku. Nuk mendoj se Meloni e ka bërë ende këtë zgjedhje.”

