Connect with us

Kosova

Albin Kurti kalon ylberin, nga arroganca morale, në pragmatizëm të detyruar

Baton Haxhiu duke analizuar ngjarjet politike ne Kosove tha se “ekziston një konsensus jo i shpallur, por i lexueshëm mes LVV-së dhe LDK-së për ta margjinalizuar AAK-në. Ramush Haradinaj shihet si faktor destabilizues, jo për shkak të deklaratave, por për shkak të pozicionit të tij gjeostrategjik dhe trashëgimisë që përfaqëson në zonën perëndimore të vendit.”

“Haradinaj nuk është më lider i një ushtrie politike, por ende mbetet komandant i një ndikimi që ka rrënjë në struktura reale. Ai është i vetmi politikan në Kosovë që artikulon me vetëbesim një vijë gjeopolitike pro-perëndimore, por me vetëdije për rrezikun lokal. Prania e tij në politikën e sotme është problem për dy arsye: sepse përfaqëson një ideal politik që nuk mund të akomodohet lehtësisht në gjuhën teknike të qeverisjes moderne, dhe sepse ka një lloj lidhjeje emocionale me strukturat ndërkombëtare që Vetëvendosja i sfidon. Kjo është arsyeja pse VV dhe LDK, për arsye të ndryshme por me një qëllim të përbashkët, duan ta marginalizojnë AAK-në. Për VV-në, Haradinaj është pengesë e një qeverisjeje të qetë; për LDK-në, ai është kujtesë e një kohe kur politika nuk bëhej nëpër forume, por në terren” – ka theksuar analisti I njohur duke potencuar se “Fatmir Limaj po hyn në qeveri në një formë që nuk është triumf, por mbijetesë”.

“Limaj është pragmatist, i testuar në shumë kontekste, por gjithmonë me intuitën për të kuptuar kahun e erës. Futja në koalicion me VLV-në mund t’i sigurojë jetë politike për Nismën në afat të shkurtër – por me koston e një përplasjeje të pashmangshme me Haradinajn, mikun e vjetër dhe rivalin e vërtetë për elektoratin tradicional të zonës perëndimore. Në të ardhmen, Nisma mund të tretet brenda strukturës së VV-së – jo si zgjerim ideologjik, por si absorbim mekanik i një faktori që ishte dikur i pavarur. Në këtë kuptim, Limaj po pranon të shkrihet për të qëndruar, por do ta ketë gjithnjë e më të vështirë ta justifikojë këtë qëndresë si projekt politik” – ka deklaruar Haxhiu.

“Në thelb, ajo që ndodhi në Kuvendin e Kosovës është më shumë se një akt formal. Është një pasqyrë e qartë e mungesës së arkitekturës së re politike. Albin Kurti përpiqet të ndërtojë një qeveri mbi një shtrat që nuk e mban dot peshën. Dhe për këtë, i duhet të kalojë nga arroganca morale që e udhëhoqi në zgjedhje – në pragmatizëm të detyruar që e vendos në qendër të kritikave, për herë të parë edhe nga brenda radhëve të veta. Në politikë, ndonjëherë mbijetesa është art më i madh sesa fitorja. Por nëse ky art ushtrohet pa shije, pa kripë dhe pa përmbajtje – atëherë mbetet vetëm mjeshtëri teknike. Dhe teknika është gjithmonë pa shpirt” – ka potencuar Baton Haxhiu

 

Advertisement