Politike
BE e përkushtuar ndaj zgjerimit, Shqipëria dhe Bosnja drejt anëtarësimit

Komisionerja për Zgjerim dhe Fqinjësi e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka theksuar se BE-ja mbetet e përkushtuar ndaj zgjerimit, përfshirë edhe Bosnjën dhe Hercegovinën, por ka paralajmëruar se bllokadat e brendshme politike po pengojnë reformat dhe mund të rrezikojnë seriozisht rrugën evropiane të këtij vendi.
Në një intervistë për European Newsroom, ku bën pjesë edhe agjencia FENA, Kos ka theksuar se qytetarët e Bosnjës e meritojnë një të ardhme evropiane, por se kjo varet nga përgjegjësia që do të tregojnë institucionet dhe liderët politikë të vendit. Ajo u shpreh e shqetësuar për krizën e thellë politike dhe kushtetuese që, sipas saj, është më e rënda që nga përfundimi i luftës.
Duke iu referuar një takimi me ministrin e Jashtëm të Bosnjës, Elmedin Konakoviç, në Luksemburg, Kos tha se ekziston mundësia e miratimit të dy ligjeve shtesë që do të hapnin rrugën për nisjen e negociatave të anëtarësimit, por vuri theksin edhe te nevoja për emërimin e një kryenegociatori. Ajo paralajmëroi se zvarritjet aktuale mund të kenë pasoja të rënda në fondet e ofruara nga BE.
“Rreth një miliard euro janë caktuar për Bosnjën dhe Hercegovinën në kuadër të Planit të Rritjes, por këto fonde mund të mbeten të papërdorura nëse autoritetet vendore nuk marrin masa konkrete”, tha Kos.
Ajo sqaroi se vazhdimi i financimit do të varet nga përmbushja e reformave dhe angazhimeve të ndërmarra më parë, duke shtuar se pagesat mund të pezullohen dhe fondet t’i ridrejtohen vendeve të tjera të rajonit që ecin më shpejt drejt BE-së.
Komisionerja e BE-së gjithashtu paralajmëroi për rrezikun që paraqesin tensionet secesioniste në Republika Srpska dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-në në ruajtjen e stabilitetit dhe zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.
Duke folur për vendet e tjera të rajonit, Kos u shpreh optimiste për hapjen e të gjitha grupeve të negociimit me Shqipërinë brenda këtij viti, si dhe për përfundimin e negociatave me Malin e Zi deri më 2026. Ajo përmendi gjithashtu synimin e Qeverisë shqiptare për ta mbyllur kapitullin negociues deri më 2027 – një objektiv që, sipas saj, ka mbështetjen e plotë të Komisionit Evropian.
Sa i përket Ukrainës dhe Moldavisë, Kos tha se anëtarësimi i tyre në BE deri në vitin 2030 është i mundur, duke nënvizuar se për Ukrainën mbetet për t’u zgjidhur çështja e pakicës hungareze në negociatat me Hungarinë.
“Unë ndoshta do të isha më e lumtura në botë nëse do të mund të fillonim negociatat me Bosnjën. Qytetarët e meritojnë”, tha ajo në fund të intervistës, duke shtuar se Bashkimi Evropian nuk do ta braktisë Ballkanin Perëndimor, por përgjegjësia për reformat bie mbi vetë vendet kandidate.

