Bota
SKANDALI/ Sekretari i Mbrojtjes Hegseth ndau planet e luftës në Jemen me gruan dhe vëllanë

Nga “chatgate” me The Atlantic te një tjetër bisedë në Signal: në qendër sërish sekretet e luftës, siguria e Shteteve të Bashkuara dhe njeriu që duhet ta garantojë atë – Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth. Ish-veterani dhe ish-prezantuesi televiziv, tani në krye të njërit prej dikastereve më të rëndësishëm në botë, ka ndarë në një bisedë private informacione të klasifikuara mbi sulme ushtarake.
Në grupin e ri në Signal me emrin “Defense | Team Huddle” ndodheshin vëllai i tij Phil, avokati Tim Parlatore (këshilltar dhe besnik i Hegseth) dhe bashkëshortja e ministrit të Mbrojtjes, Jennifer Rauchet – ish-produktore në Fox News – e cila ka qenë më parë në qendër të polemikave për shkak të rolit të saj jozyrtar, pasi ka shoqëruar bashkëshortin në udhëtime zyrtare dhe takime me përfaqësues të huaj. Asnjëri prej tyre nuk ka poste në Pentagon, nuk është pjesë e Departamentit të Mbrojtjes dhe, për rrjedhojë, nuk duhet të ketë qasje në informacione kaq të ndjeshme për sigurinë kombëtare të SHBA.
New York Times shkruan se Sekretari i Mbrojtjes ndau detaje për sulmet ndaj rebelëve Houthi, përfshirë edhe oraret e fluturimeve të avionëve luftarakë F/A-18 “Super Hornet”. Në atë bisedë, me shumë mundësi, ishin të përfshirë edhe Dan Caldwell dhe Darin Selnick, dy këshilltarë të lartë dhe persona të afërt me Hegseth, të cilët u pezulluan dhe u shkarkuan javën e kaluar nga Pentagoni, pasi u akuzuan për “shpërndarje të paautorizuar të informacionit”.
Një muaj më parë: “chatgate” me drejtorin e The Atlantic
Më pak se një muaj më parë shpërtheu skandali “chatgate”, kur Jeffrey Goldberg, drejtori i revistës The Atlantic, mori në një bisedë në chat informacionin se SHBA do të bombardonte rebelët Houthi në Jemen. Burimi? Sërish ai – kreu i Pentagonit, Pete Hegseth.
Dokumentet e shpërndara përmes Google Drive
Por pakujdesia dhe mungesa e sigurisë në trajtimin e informacionit të klasifikuar nuk i përkasin vetëm administratës Trump. Washington Post shkruan se shumë dokumente të ndjeshme – përfshirë edhe planimetrinë e Shtëpisë së Bardhë, ndërtesës që teorikisht duhet të jetë më e mbrojtura në botë (së paku sipas filmave) – janë shpërndarë gabimisht me mbi 11 mijë punonjës federalë.
Zyrtarë të të dy administratave, si të Trump-it ashtu edhe të Biden-it, akuzohen për shpërndarje të papërshtatshme të materialeve të ndjeshme. Gabimi besohet të jetë kryer nga disa punonjës të Administratës së Shërbimeve të Përgjithshme (GSA), agjencia që ofron mbështetje teknike dhe administrative për qeverinë federale. Dosja e ndarë në Google Drive, e cila përmbante dokumente të klasifikuara, përfundoi aksidentalisht në emailin e mbi 11.200 punonjësve të agjencisë./La Repubblica

