Aktualitet
Edi Rama e ka dhe luksin të bëjë fushatë gallatë

Nga Andi Bushati
Ky fillim jave u dominua nga jehona mediatike që patën dy dalje publike të kryeministrit. I pari, takimi i tij i munguar me një bloger tejet popullor ndërmjet grupeve të gallataxhinjve në Instagram dhe tjetri që kishte të bënte me rievokimin e fotove të tij nudo në një plazh të Francës, këtu e dy dekada më parë. Po ti shikosh të dyja këto ngjarje, në sfondin e fushatës që ka nisur Edi Rama, ato janë në koherencë të plotë me linjën e vendosur për të folur për gjithçka përveçse për politikë.
Ai e nisi garën elektorale me një shfaqe gjysëm fokl gjysëm tallava, që nuk kishte të bënte fare, as me mandatin katërvjeçar që po mbyllet e aq më pak me atë të ardhshmin. Ai ka zgjedhur si sllogan të kësaj beteje, pashaportën evropiane 2030, që edhe sikur të ndodhë ndonjë mrekulli hyjnore dhe të bëhet realitet, nuk ka asnjë pikë lidhje me periudhën katëvjeçare për të cilën po kërkon votën. Po ti shtosh këtyre përqëndrimin tek figura si bufi i kënetës, krahasimet seksiste kundër meshkujve, refuzimin për të zhvilluar një debat publik me rivalin e tij direkt, apo ndalimin e të gjithë kandidatëve rilindas për tu përballur në studio televizive më opozitarët, kuptohet lehtë se shefi i qeverisë kërkon të imponojë një sfidë elektorale pa brendi dhe pa thelb.
Le të marrim përshembull njërin prej tyre që lidhet me veprat e kryera nga Rama 3, tunelin e Llogarasë. Eshtë e vërtetë se ata që do zgjidhnin ta mbronin në një studio televizive mund të përmendnin hovin që ai i jep turizmit në rivierën shqiptare, afrimin e qytetit të Vlorës me brigjet e mrekullueshme të Jonit etj. Por, nëse ky propogandist rilindas do kishte një kundërshtar apo kritik përballë, flluska do shfryhej shpejt. Boll që të përmendej dëshmia publike e ish zv/kryeministrit, që pati pohuar të ketë parë me sytë e tij se, që në tenderim, u vodhën jo pak por 50 milionë Euro.
Ky episod hipotetik do të ishte identik për pothuajse të gjitha “skuseset” e qeverisë, për të mos përmendur këtu ato ku milionat janë derdhur por “vepra” nuk ekziston fare.
Pikërisht, për të shmangur incidente të tilla, për të fshirë nga fushata ballafaqimin me fakte tronditëse si burgosjet e Kokës, Beqajt, Ahmetajt apo Veliajt, për të mos folur për vilat apo apartamentet luksoze me emra të fshehur, tenderat me gjobë deri 40%, vjedhjet e fondeve të BE-së, vanitetin e bashkëshorteve që shpenzojnë qindra mijra euro për të brendëshme, Edi Rama po reket që sfidën për 11 majin ta shndërrojë në gallatë.
Në pamje të parë, deri këtu nuk ka ndonjë anomali të madhe. Në një garë elektorale secili sfidant ka të drejtën të përzgjedhë strategjinë që i shkon më tepër për shtat. Atë që i fsheh difektet dhe i mbulon mëkatet. Askush nuk mund të pretendojë që një kryeministër të dalë në fushatë për ti thënë votuesve “këtu kam gabuar”, “këto janë pikat e mia të dobëta”.
Në një shoqëri normale, në një vend që pretendon të quhet demokratik, këtë rol janë të dënuara ta luajnë mediat. Janë ato që duhet të shndërrohen në watchdog, për të mbrojtur publikun nga gënjeshtrat e politikanëve që ka mbi kokë.
Pra le ta themi troç, këtu faji nuk bie vetëm mbi Ramën që do të na manipulojë, por tek TV e mëdha që i’a mundësojnë një gjë të tillë. Mëkati i kryeministrit nuk është spekullimi gjatë këtij një muaji, por fakti se ka prodhuar një sistem mediatik të nëpërkëmbur prej tij.
Boll të shikosh çdo natë në ekranet e mbrëmjes lajmet kryesore dhe shout e përditshëm politikë. Temat e bëra bajate janë: A do ia dalin partitë e reja? A do e mundë Shehaj-Llapajn? A po krijohet një opozitë e re? A do ikë Berisha po humbi? Tema e vetme që mungon është vetëm një tjetër.
I ndodhur në një emision përballë panelistëve që mbështesin këtë qeveri, i bëra atyre një pyetje të thjeshtë. A keni parë ndonjë speciale në lajme që të bëjë bilancin e qeverisjes katër vjeçare? A keni parë ndonjë emision të rëndësishëm të darkës të ketë si temë: “si jemi qeverisur këto katë vite”? Natyrisht, nuk mora përgjigje. Të tillë as ka pasur e as nuk do të ketë. Pra imagjinoni për një çast. Një fushatë mund të fillojë dhe të mbyllet, pa u debatuar tema më bazike, më normale, më e pashmangshme: cili është bilanci katërvjeçar i atij që po na rikërkon votën. Televizionet dhe emisionet e mbrëmjes “kanë liri” të diskutojnë gjatë për fatin e atyre partive, që të gjitha sëbashku nuk do të kapin dot as dhjetë deputetë, janë të preokupuar për të ardhmen e opozitës, impakti i së cilës në jetët e shqiptarëve është afër zeros, por nuk kanë leje të trajtojnë atë që na shqetëson të gjithëve. Dhe kjo ndodh pasi, disa prej urdhrit politik e disa më “të ndershëm” prej autocensurës, nuk shkelin dot në një tokë të ndaluar nga udhëheqësi.
Sesa normale është kjo nuk ka nevojë ta thotë as OSBE-ODHIR, as OJF e shoqërisë civile që vëzhgojnë zgjedhjet. Atë e kuptojnë të gjithë. Çdo kush e di se ndonëse pretendon se ka hyrë në këtë garë pa koalicion, Rama është aleat me 5 bizneset familjare që kontrollojnë mbi 90% të audiencës televizive në vend. Ai po garon së bashku me ata që u jep koncesione dhe leje ndërtimi me emra fiktivë e që u mbyll dosjet kur kanë halle në SPAK. Prandaj ai ka dhe luksin të bëjë një fushatë gallatë pa dhënë llogari dhe pa bërë bilancin e asaj çka ndodhur deri më tash.

