Shkrime
Dielli duket që në mëngjes/ Kjo legjislaturë nuk e pastron dot kënetën politike shqiptare

Nga Ben Andoni
Ka një shprehje që e shoqëronte shpesh mençurinë e të vjetërve tanë: Moti i mirë duket që në mëngjes. Ky është një përcaktim që në realitetin modern ka kohë që nuk qëndron. Ndryshimet klimatike dhe sfida që po i bëjnë të “mëdhenjtë” e botës e sfidon edhe këtë, ashtu si shumë gjëra të tjera. Kurse në politikën tonë, kjo po tregohet nga cilësitë e kandidatëve që janë në listat e mbyllura dhe që përbëjnë gati 2\3 e legjislaturës së ardhshme.
Ndaj, le të qëndrojmë në vendin tonë ose moçalin, ku na kanë lënë realisht politikanët. Zgjedhjet e vitit 2025 besohej se do të bënin ndryshim të paktën në retorikën e kryeministrit Rama dhe sfiduesit të tij ish-kryeministrit Berisha për problemet e mëdha që rrethojnë vendin, por ata nuk po tregojnë asgjë nga dhe për ndryshimin e mirëkuptueshëm. Në vend të kësaj, kemi vetëm ofendime, shkelje të kodeve më të thjeshta morale dhe mllef. Pafund mllef. Nuk është argumenti i këtij shkrimi të tregojë detaje dhe leksikun e politikës sepse ato po kthehen në hite për të pasionuarit e rrjeteve sociale por pse vallë nuk duan të ndryshojnë?! Ka një fakt dhe kjo lidhet me atë që besojnë politikanët tanë kryesorë sikur vetëm ata mund të sjellin ndryshimin, kurse ata që i rrethojnë arrijnë të manipulojnë bukur zgjedhësit. Seç i bëri PD-së deri tani drejtimi dhe personalizimi i Berishës i ka dhënë rezultatet në përçarjen e madhe të partisë; ashtu si identifikimi i PS-së me Ramën (deri te slogani) po bëhet shqetësues për demokracinë dhe shuarjen e çdo alternative. Tek kjo e fundit si argument qëndron fitorja e tre mandateve, e cila fashit gjithçka.
Shkrimtari i madh rus Solzhenicini në anatominë që i bëri shoqërisë ruse vuri re se në masë njerëzit mbeten të aftë për të keqen. Rasti shqiptar e përforcon. Eksperimentet nga Milgram Experiment dhe Stanford Prison Experiment (studimi i 1971) konfirmuan atë që ka shekuj që dihet se: “pushteti korrupton dhe pushteti absolut korrupton absolutisht”, Lord Acton e artikuloi këtë shqetësim në një letër drejtuar peshkopit Creighton më 5 prill 1887, shumë kohë para këtyre. Një gjë ka mbetur dhe është e ditur: pushteti që të funksionojë kërkon njerëz të rinj dhe mandate të kufizuara. Demokratizimi i funksionit dhe strukturave të partive, mbajtja e parimeve morale dhe Mea Culpa-t e sinqerta (Rama nuk e njeh si faj paraqitjen përballë drejtësisë së njerëzve të tij; Berisha & Co e quajnë padrejtësi vetë Drejtësinë tonë), balancimet e pushteteve, vetëdija e individëve që i drejtojnë dhe afatet e shkurtra të shërbimit bëjnë që korrupsioni të vuajë ballë digës së shtetit. Por njohësit më të mirë të shtetit shtojnë edhe diçka që hera-herës duhen disa individë me karaktere të larta morale që të vijnë për të “pastruar kënetën”. Me sa duket, ky nuk do të jetë rasti i kësaj kënete, artikuluar kaq shumë nga politikanët e vitit 2025, sepse moti është dukur që në mëngjes me listat dhe kandidatët kryesorë, të cilët do të na përfaqësojnë.

