Connect with us

Shkrime

Përtej zallamahisë elektorale debati themelor mes PS-së dhe PD-së mbetet po ai i viteve 1990

Përtej zallamahisë elektorale debati themelor mes PS-së dhe PD-së mbetet po ai i viteve 1990; a po zhvillohet apo jo Shqipëria? A po shkon apo jo drejt Evropës?  Ama Shqipëria e sotme, ndryshe nga klasa jonë politike, nuk është ajo e viteve 1990. Pavarësisht nihilizmit berishist Shqipëria është zhvilluar ndjeshëm gjatë qeverisjes Rama. Ashtu sikurse u zhvillua dje edhe gjatë qeverisjes Berisha. Transformimi i Shqipërisë në një destinación turistik global është një realitet i pamohueshëm. Ashtu sikurse edhe rritja e PPB-së, e rrogave dhe transformimi i infrastrukturës dhe i shumë qyteteve dhe fshatrave shqiptare nga Tirana dhe deri në Sarandë dhe Theth.

Ndaj debati nëse Shqipëria po zhvillohet apo jo sot është krejt pa sens. Debati real që duhet të zhvillohej në fushatën elektorale është mbi mënyrën se si po zhvillohet vendi ynë. A kemi të bëjmë me një zhvillim të qëndrueshëm apo me një zhvillim që bazohet tek spekulimi me pasuritë e paluajtëshme dhe me pastrimin e parave? Kush janë përfituesit kryesor të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë sot? Ndonëse debati në lidhje me modelin zhvillimor të qeverisjes Rama duket paksa elitar ai është i rëndësishëm sepse lidhet direkt me përfituesit e zhvillimit. Një model zhvillimor i qëndrueshëm prodhon përfitim për shumicën e popullatës dhe jo për një pakicë të vogël.

Ai bazohet tek rritja e produktivitetit të forcës së punës, që lidhet me investimin në shëndetësi, teknologji, inovacion dhe edukim. Në këto fusha Shqipëria vazhdon të jetë nën mesataren e Ballkanit.

Zhvillimi i paqëndrueshëm nga ana tjetër është shpesh produkt i bumit në ndërtim, i spekulimit me real estate (pasuria e paluajtëshme), apo i pastrimit të parave të pista. Ai prodhon rritje të çmimit të banesave dhe të konsumit luksoz që financohet nga importi, por jo një zhvillim të industrisë lokale nga i cili përfitojnë shumica e qytetarëve.

Natyrisht unë nuk mendoj se i gjithë zhvillimi i Shqipërisë sot bazohet thjesht tek spekulimi apo pastrimi i parave, sikurse pretendon opozita. Rritja e industrisë së turizmit është një fakt konkret që e hedh poshtë këtë tezë.

Ama modeli i zhvillimit i qeverisjes aktuale gjithnjë e më tepër po prodhon përfitime për një grusht gjithnjë e më të ngushtë përfituesish të mëdhenj, dhe jo për shumicën dërrmuese të qytetarëve. Është një model që po bazohet gjithnjë e më shumë tek spekullimi me pasuritë e paluajtëshme, mjaft tërheqës për krimin e organizuar dhe pastrimin e parave të pista.

Pikërisht për këtë arësye shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptar janë të pakënaqur sot me ekonominë shqiptare edhe pse ajo është zhvilluar dhe ka përjetuar një bum turistik. Me shumë gjasa ky zhgënjim vjen si pasojë e faktit se për shumë prej tyrë bumi turistik është përjetuar si rritje çmimesh më shumë sesa si përfitim direkt ekonomik.

Tabela 1. Sa të kënaquer jeni me situatën eknomike në vend (2023)?

Krejtësisht i pakënaqur

Kryesisht i pakënaqur

As i kënaqur as i pakënaqur

Kryesisht i kënaqur

Krejtësisht i kënaqur

Mestaraja e Rajonit

21

30

27

19

3

Shqipëria

24

36

25

15

1

Kosova

7

15

37

33

9

Burimi: Këshilli i Bashkëpunit rajonal. Balcanbarometer 2023 (shiko ketu).

Sikurse tregon Tabela 1 sipër, 60% të qytetarëve shqiptar janë ose krejtësisht të pakënaqur (36%) ose kryesisht të pakënaqur (24%) me situatën ekonomike në vend. Ky nivel pakënaqësie është më i lartë se mestaraja e rajonit tonë (Ballkani Perëndimor) që është 57% dhe shumë më i lartë se pakënaqësia me gjendjen ekonomike në Kosovë (22%).

Nuk është rastësi që shumica e qytetarëve shqiptarë edhe pas mrekullisë turistike të qeverisë Rama vazhdojnë ta shikojnë emgrimin si një opsión. Edhe në këtë aspekt Shqipëria është mbi mesataren e rajonit, ndonëse nën nivelin e Kosovës që ka një histori emigrimi edhe më të gjatë se e jona.

Tabela 2. Do ta konsideronit jetesën jashtë vendit?

Po

Jo

Mestaraja e Rajonit

44

51

Shqipëria

49

48

Kosova

57

38

Burimi: Këshilli i Bashkëpunit rajonal. Balcanbarometer 2023(shiko ketu).

Shifrat e mëspiërme nuk janë evidencë e mungesës së zhvillimit në Shqipëri, por e faktit që ky zhvillim nuk është gjithëpërfshirës. Për një pjesë të mirë të popullatës turizmi përkthehet në rritje çmimesh.

Ky fenomen zeron edhe efektin e rritjes së rrogës mesatare apo të pensioneve nga ana e qeverisë. Po ti shtojmë kësaj edhe faktin se arsimi dhe shëndetësia publike në Shqipëri janë ende nën mesataren e rajonit, si për nga cilësia edhe për pagesat që qytetarët duhet të bëjnë nga xhepi, atëherë bëhet evidente se mrekullia turistike e qeverisjes aktuale nuk prek një pjesë të mirë të qytetarëve shqiptar.

Boomi turstik dhe rritja e çmimit të pasurive të paluajtëshme që ajo ka prodhuar favorizon mbi të gjitha sektorët më të pasur shoqëror që kanë mundësi investimi dhe spekulimi në këtë fushë. Këtu natyrisht përfshihet edhe krimi i organizuar që nëpërmjet industrisë së ndërtimit dhe spekulimit në sektorin e real estate mund të pastrojë paratë e shumta që xhiron.

Thirrja që kryeministri Rama i bëri biznesmenëve sarandiotë të blejnë pasuri të paluajtëshme sepse çmimi i tyre do rritet pasi Shqipëria të futet në Evropë i drejtohet këtij sektori dhe jo popullatës shqiptare në përgjithësi.

Shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë me shumë mund arrinë të blejnë një apartament për familjet e tyre dhe e kanë të pamundur të investojnë në blerjen e një apo dy apartamenteve të tjera për ti shitur nesër më shtrenjtë. Iniciativa si turizmi elitar që qeveria Rama po promovon kanë në qendër segmentet më të pasura të shoqërisë shqiptare dhe jo shumicën e qytetarëve shqiptar. Për këtë arësye investimet e qeverisë Rama shpesh reflektojnë interesat e këtij sektori më shumë se sa interesin publik.

Kështu Shqipëria sot ka tunelin më të gjatë në Ballkan, atë të Llogarasë që e ka rritur vlerën e bregut jugor dhe të investimeve elitare që janë bërë aty. Ama Shqipëria ende nuk ka një linjë hekurudhore moderne dhe funksionale.

Tuneli i Llogarasë ka kushtuar 200 milio euro. Linja hekurudhore Tiranë-Rinas- Durrës-Porti i Durrësit, që është premtuar që në vitin 2014, kushton jo më shumë se 100 milion euro, sipas shifrave të qeverisë. E megjithatë qeveria Rama ndërtoi tunelin e Llogarasë përpara hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës-Porti i Durrësit që ende është në ndërtim.

Nuk dua të futem në debatin se sa i nevojëshëm ishte tuneli i Llogarasë ndërkohë që ekziston rruga e qafës së Llogarasë apo rruga e re për të shkuar në Sarandë. Ama është e vështirë të argumentosh që tuneli i Llogarasë ishte më prioritar për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare sesa hekurudha Tiranë – Durrës, që lidh jo vetëm dy qytetet kryesore të Shqipërisë por edhe portin dhe aeroportin më të madh të vendit.

E thënë ndryshe interesi publik, qoftë për qytetarët, qoftë për industrinë vendase, ishte linja hekurudhore Tiranë-Durrës – Rinas – Porti Detar. Prioriteti i sektorëve të ngushtë social që pasurohen nëpërmjet ndërtimit dhe spekulimit në real estate, dhe që nuk udhëtojnë me tren, ishte tuneli i Llogarasë.

Ndaj sot ende nuk kemi një linjë hekurudhore Tiranë-Durrës që do i shërbente qindra mijëra qytetarëve që nuk udhëtojnë me jahte dhe charter. Ama kemi një alamet tunel Llogaraje që vlen sa dyfishi i linjës hekurudhore më strategjike dhe të rëndësishme në Shqipëri.

Pa përmndur faktin që arteria kryesore rrugore e Shqipërisë, autostrada Tiranë – Durrës, është ende në shumicën e saj pa drita, pa sinjalistikën e duhur për udhëtimin natën, e degraduar dhe në kolaps të vazhdueshëm nga trafiku i tepërt.

Janë shembuj që tregojnë se në modelin e zhvillimit aktual interesi publik del në plan të dytë në raport me interesat dhe preferencat e një sektori të ngushtë elitar që pasurohet nëpërmjet një bumi turistik që i mundëson investim në pasuri të paluajtëshme sidomos në kryeqytet dhe në zonat bregdetare.

Për këtë arësye ne sot kemi tre aeroporte ndërkombëtare moderne por nuk kemi tre stacione autobuzi moderne në qytetet tona kreysore. Në maj, me rastin e zgjedhjeve, hapet aeroporti i Vlorës me pistën më të gjatë në Ballkan, një arësye më shumë që të krenohen vlonjatët tanë. E megjithatë Vlora nuk ka një stacion autobuzi qendror të hajrit për atë shumicë qytetarësh që udhëton më shumë me autobus sesa me avión.

Në Durrës ekziston projekti për një marinë luksoze jahtesh, por ende nuk propogandohet projekti për një stacion qendror dinjitoz autobuzi. Pa folur për modernizimin dhe zgjerimin e transportit urban për atë shumicë qytetare që nuk kanë prioritet parkimin e jahtit familjar.

Është paradoksale të mendosh se gjatë qeverisjes socialiste është prodhuar miliarderi i parë shqiptar dhe ballkanas, Zamir Mane, por ende nuk është modernizuar hekurudha Tiranë-Durrës. Është akoma më paradoksale të mendosh që ka shumë gjasa që gjatë qeverisë socialiste të formësohet edhe ndonjë miliarder i dytë shqiptar, i tipit Kastrati.

Kështu Shqipëria do jetë e para në rajon për numrin e miliarderëve dhe e fundit përsa i përket transportit, arësimit dhe shëndetësisë publike, për të cilat natyrisht miliarderët nuk kanë nevojë.

Nuk është një paradoks i rastësishëm. Është produkt i llogjikës së një modeli zhvillimi që mund ta quajmë dubaizim, sepse bazohet tek modeli i Dubait.

Tre janë faktorët kryesor të zhvillimit të Dubait, sektori i ndërtimit dhe i spekulimit në pasuri të paluajtëshme, që përfshijnë edhe pastrimin e parave të krimit organizaur në nivel ndërkombëtar, turizmi që përfshin edhe aviacionin, si dhe shërbimet financiare.

Është një model i adhuruar si nga të pasurit dhe nga krimi i organizuar sepse ofron mundësi të mëdha pasurimi dhe pastrimi parash për ata që kanë para me shumicë. Nuk është rastësi që Dubai shpesh quhet “parajsa e gangsterëve” (shiko ketu).

Pas fasadës xixëlluese të gradacieleve të Dubait fshihet një realitet social tronditës. Përtej një pakice prej rreth 15-20% që përbëhen nga qytetarë arab dhe emigrantët e pasur që quhen expats, shumica dërrmuese e popullatës së Dubait janë emigrant të varfër nga Azia Juglindore. Ata punojnë dhe shpesh jetojnë në kushte skllavërie, pa një rrogë minimale, pa të drejta ligjore dhe në varësi totale të sponsorëve lokal. (shiko ketu).

Nuk duhet të harrojmë se Dubai është pjesë e Emirateve të Bashkuara Arabe, një monarki mesjetare dhe jo një demokraci moderne. Dubai është një parajsë për një elitë të pasur, për aristokracinë e financave dhe krimit të organizuar në nivel global, por jo për shumicën e punëtorëve që e mbajnë atë në këmbë. Shumica e varfër që punon aty e ka të pamundur të shijojë luksin dubaist.

Është ky model që duket se po implementon sot qeveria Rama si në Tiranë edhe në Durrës, ku premtoi se do ta transformonte qytetin tonë 3000 vjeçar në një kopje të Dubait, një qytet i themeluar në shekullin e 18.

Modeli zhvillimor i Dubait fillon në vitin 1966 kur aty zbulohet nafta. Nafta prodhon kapitalin fillestar që nxit bumin ndërtimor dhe e transformon Dubain në një qendër globale të financave, turizmit, tregtisë dhe pastrimit të parave nëpërmjet investimeve në real estate (pasuri të paluajtëshme).

Në rastin e Shqipërisë, në mungesë të naftës, dubaizimi fillon me kanabizimin e plotë të Shqipërisë me ardhjen në pushtet të koalicionit PS-LSI në vitin 2013. Ashtu sikurse nafta në Dubai, tregëtia e kanabisit në Shqipëri duket se prodhon kapitalin fillestar që stimulon më pas bumin ndërtimor të gradacieleve ku investohet dhe pastrohet ky kapital, bashkë me kapitale tjera që vijnë nga jashtë.

Projekte si Marina e Durrësit janë skemat tipike si funksionon ky sistem. Privatizohet trualli publik për të mundësuar pastrimin dhe shtimin e kapitaleve të mëdha financiare private lokale dhe ndërkombëtare. Marina e Durrësit nuk është një projekt që ka në qendër qytetarin e thjeshtë por investuesit e mëdhenj, me para të pastra dhe të pista, që do investohen aty.

Në këtë kontekst afrimiteti dhe penetrimi i krimit të organizuar në qeverinë e Partisë Socialiste nuk është një kapriço e Ramës. Nuk është as thjesht produkt i nevojës së Partisë Socialiste për të blerë apo kapur zgjedhjet. Edhe pse PS-ja e përdor krimin e organizuar në zgjedhje për të blerë vota, ajo zgjedhjet i fiton lehtë përballë berishizmit edhe pa krimin e organizuar.

Është modeli zhvillimor dubaist që i krijon hapësira investimi dhe konsolidimi krimit të organizuar dhe kapitaleve të shumta që ai prodhon. Një ekonomi që bazohet tek spekulimi me pasuritë e paluajtëshme më shumë sesa tek prodhimi, industria dhe teknologjia, tërheq lehtësisht kapitalet e pista që prodhohen nga narkotrafiku.

Ky model zhvillimi prodhon pasurim marramendës për një sektor të ngushtë të shoqërisë, por varfëron shumicën e saj, për dy arësye. Së pari, sepse spekulimi me pasuritë e paluajtëshme rrit cmimet shumë më tepër sesa pagat dhe pensionet.

Së dyti, sepse ky model zhvillimi e drejton kapitalin drejt investimeve me fitim të shpejtë dhe shpesh spekullativ, si ndërtimi, shit-blerja e pasurive të paluajtëshme, apo shërbimet financiare, dhe jo drejt zhvillimit teknologjik dhe industrial që prodhon zhvillim të qëndrueshëm dhe përfshirës.

Është një model zhvillimor që i thellon në vend që ti sheshojë pabarazitë sociale. Ofron shumë mundësi fitimi pë ata që kanë shumë para, por pak mundësi mobiliteti social për ata që nuk janë të pasur dhe që nuk duan të pasurohen nëpërmjet krimit.

Mobiliteti social për shtresat e ulëta në qytete si Dubai është shumë pranë zeros, edhe pse është një nga qytetet me numrin më të lartë të milionerëve në botë (shiko ketu).  Diçka e tillë po ndodh gjithnjë e më shumë edhe në Tiranë dhe në Shqipëri ku specia më e rrezikuar dhe më e dhunuar është qytetari i thjeshtë dhe i ndershëm. Kjo shpjegon se përse zhvillimi që ka përjetuar dhe po përjeton Shqipëria nuk e ka ndalur arratinë e popullësisë së saj. Është një zhvillim që pasuron një pakicë gjithnjë e më të vogël dhe gjithnjë e më të pasur, teksa e bën më të vështirë dhe të shtrenjë jetën për shumicën e qytetarëve, sidomos atyre të ndershëm.

Ndaj nëse nesër Shqipëria transformohet në Dubain e BE-së, siç premton kryeministri Rama, nuk është aspak çudi që pasaporta evropiane të shërbejë për ta zbarzur edhe më tej vendin tonë.

Natyrisht shpejt ai mund të mbushet me një grusht miliarderësh dhe milionerësh të pasur vendas dhe nga Evropa dhe Amerika, si dhëndri i Trumpit, me elitën e krimit të organizuar global dhe me një shumicë emigrantësh të varfër nga Azia. Tamam si Dubai.

Shkruar nga Blendi Kajsiu

Advertisement