Kosova
Reporterët pa Kufij: Përkeqësim i lirisë së medias në Kosovë

Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.
Ky është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.
Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij, më 2 maj, në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Kosova renditet më së keqi në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
“AGK-ja është thellësisht e shqetësuar me këtë renditje, më e ulëta për një dekadë, që prej vitit 2015. Megjithatë, e sheh si reflektim të një politike të vazhdueshme aktive armiqësore të dy vjetëve të fundit të udhëhequr nga Qeveria e partisë politike, Vetëvendosje”, u tha në reagimin e AGK-së.
Ky asociacion ftoi aktorët institucionalë e të shoqërisë civile të punojnë së bashku që të përmirësohet liria e medias në Kosovë.
Ndërkaq, këshilltarja ligjore në Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, Flutura Kusari, ka renditur disa arsye, që sipas saj, kanë kontribuar që vendi të renditet në pozitën më të ulët
“Sulmet politike ndaj gazetarëve, përmendet specifikisht akuza e pabazë ndaj gazetarëve se kinse bashkëpunojnë me armikun; Radio Televizioni i Kosovës; Ligji për Komisionin e Pavarur për Media; Bojkoti ndaj mediave para zgjedhjeve; Moszbatimi i Ligjit për qasje në dokumente publike; Vëzhgimi i gazetarëve; Policia dhe prokuroria i hetojnë rastet, por nuk ngrenë aktakuza dhe Paditë Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike”, shkroi ajo në Facebook.
“Por, është një parakusht për këtë: Lëvizja Vetëvendosje duhet t’i ndalë sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave dhe t’ia shtrojë dorën e bashkëpunimit mediave dhe organizatave të shoqërisë civile”, shkroi ajo në një postim tjetër në Facebook.
Çfarë thuhet në raport?
Raporti i Reporterëve pa Kufij gjeti se në Kosovë, Sllovaki, Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi, mediat janë duke u përballur me krizë ekzistenciale për shkak të shkurtimeve buxhetore dhe kontrollit politik.
Verën e kaluar, me gjithë kritikat e mëdha, Kuvendi i Kosovës e miratoi një ligj për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), i cili, veç tjerash, parashihte licencimin e mediave online, mbikëqyrjen e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.

