Shkrime
Nga Tirana u pa më qartë rendi i ri

Nga Baton Haxhiu
Kur Volodymyr Zelensky u shfaq në ekranin e madh të ngritur në qendër të Tiranës, ishte sikur një pjesë e luftës u ul me të gjithë në tavolinë. Askush nuk e kundërshtoi, askush nuk e shmangu. Lider pas lideri, fjalë pas fjale, samiti që kishte në titull “komunitetin evropian” u kthye në një demonstrim të qartë se Evropa nuk është më neutrale. Është në njërën anë. Është me Ukrainën. Dhe kundër Putinit.
Në një botë ku krizat bëhen të shumta dhe qëndrimet gjithnjë e më të mjegullta, ajo që ndodhi në Tiranë ishte e rrallë. Një unitet pa ekuivok. Një përcaktim i prerë për drejtësinë. Dhe për herë të parë pas një kohe të gjatë, një samit i përkushtuar ndaj paqes nuk iu shmang më luftës. Përkundrazi, foli qartë për të. Në mbështetje të atyre që mbrojnë lirinë dhe përballë atyre që e dhunojnë.
Dhe ky nuk ishte një samit në Bruksel, Paris apo Berlin. Ishte në Tiranë. Në një vend që ka njohur frikën, që ka ndjerë diktaturën, që ka parë çmimin e lirisë dhe që tani ofron një hapësirë të kthjellët për një Evropë që po riformatohet në rendin e ri botëror.
Në hijen e Heroit përballë kontinentit
Nuk ndodh shpesh që Evropa të lëvizë të tërën për të ardhur në një vend të vogël. Edhe më rrallë ndodh që ajo të ulet në sheshin e tij kryesor. Por më 16 maj Shqipëria nuk priti thjesht një samit. Ajo vuri zemrën e vet në qendër të Evropës në mënyrën më të drejtpërdrejtë dhe më simbolike të mundshme. Duke kthyer Sheshin Skënderbej në shtëpinë e përbashkët të një kontinenti të trazuar që kërkon ende ritme të reja bashkimi.
Tirana nuk ishte thjesht një mikpritëse. Ajo ishte e kuruar si skenë e ndërtuar me kujdes nga një dorë që i njeh mirë kamerat dritën ritmin ndjesinë. Dhe ajo dorë është e Edi Ramës që nuk ka nevojë të ndjekë manualet e protokollit diplomatik sepse shpesh i shpik ato. Ai nuk u mjaftua me të sjellit liderë në një sallë i solli ata nën hijen e një heroi që nuk ka qenë kurrë i Evropës së bashkuar por që sot simbolikisht i priti të gjithë me dorën lart. Dhe kështu për një ditë Skënderbeu nuk foli për luftë por për paqe. Nuk priti të huaj me shpatë por me flamurë. Ai që dikur mbronte portat e Evropës sot i hapi ato në emër të Shqipërisë.
Dhe sheshi. Nuk ka parë kurrë një ngarkesë të tillë vizuale estetike dhe shpirtërore në një kohë kaq të përqendruar. Një instalacion modern një shtëpi e Evropës prej xhami dhe dritash u ngjit aty ku zakonisht ngrihen tendat e protestave. Dhe për çudi këtë herë gjithçka ishte e heshtur. Pa zhurmë. Pa sharje. Vetëm prani. Vetëm intensitet. Vetëm Shqipëria që dukej sikur kishte dalë nga vetja e zakonshme për t’u bërë pasqyrë për të tjerët.
Edi Rama foli me të zakonshmen e tij përtej fjalëve. E nisi me një video ku liderët evropianë të portretizuar me ndihmën e inteligjencës artificiale shfaqeshin si udhëheqës të së ardhmes. Dhe kjo nuk ishte thjesht një lojë me teknologjinë. Ishte një mesazh i qartë. Në një kohë kur e ardhmja është kaq e pasigurt Shqipëria është gati ta mendojë ta projektojë dhe t’ia japë Evropës një pamje të re.
Politika që buron nga estetika
Në një kohë kur politika evropiane po përpëlitet ndërmjet burokracisë dhe populizmit, Shqipëria zgjodhi një rrugë tjetër. Mikpritjen estetike. Nuk kishte rëndësi vetëm kush erdhi në Tiranë por si u ndje kur arriti. Si u prit. Çfarë pa. Çfarë kuptoi pa pasur nevojë të përkthejë. Kjo ishte diplomacia në formën e saj më të heshtur dhe më të fortë. Jo me dosje por me atmosferë. Jo me parathënie zyrtare por me ngjyrë me rregull me ritëm.
Shtetet e mëdha ndonjëherë harrojnë se forma e përfaqësimit është substancë më vete. Rama e di këtë më mirë se shumica. Ai nuk ndërton vetëm fjalime por skena. Nuk e sheh samitin si takim pune por si përvojë politike me pamje dritë dhe simbole. Dhe për këtë arsye samiti i Tiranës nuk ishte një tjetër tryezë evropiane. Ishte një akt i vetë-prezantimit që ka munguar për dekada në rajon. Një vend i vogël që e thotë të vërtetën e vet përmes mikpritjes pa kërkuar mëshirë.
Turizmi si kapital i Samitit
Mikpritja ka një emër tjetër në gjuhën moderne. Turizëm. Por jo ai i zakonshmi me plazhe dhe çmime. Kjo ishte mikpritje si kapital politik. Shqipëria, këtë herë, përmes këtij samiti, nuk ftoi njerëz të vijnë për pushime por për përshtypje. Dhe ka shumë gjasa që liderët evropianë të mësuar me të ftohtën e Brukselit apo me formalizmin e Strasburgut kanë marrë me vete nga Tirana një ndjesi që vështirë e kanë gjetur në një tjetër samit. Ngrohtësinë që buron nga një vend i vogël por i vetëdijshëm për veten.
Ky është edhe fillimi i një epoke të re për Shqipërinë si një vend që nuk fton thjesht turistë por krijon lidhje emocionale politike dhe njerëzore përmes mënyrës si të pret. Sepse turizmi nuk është më vetëm industri. Është diplomaci e qetë që shtron tavolinën para se të fillojë negociata.
Tirana që i bashkon ata që s’i bashkon askush
Ka një vlerë të rrallë kur një samit nuk i ngjan më një takimi diplomatik por një skene ku ndodhin gjëra që zakonisht nuk ndodhin. Dhe pikërisht kjo ndodhi në Tiranë. Në sheshin ku dikur kishte skenat e protestave, u ulën përballë njëri-tjetrit figura që përndryshe nuk do të ndanin as fotografi e jo më ajër.
Erdogan dhe Macron. Dy liderë me armiqësi u ulën në një tavolinë. Presidenti i Azerbajxhanit dhe kryeministri i Armenisë. Ende të ndjeshëm pas traktatit të paqes. Dhe në sfond një mungesë që fliste.
Rusia dhe Ukraina që ishin duke vazhduar takimet në Stamboll nën kujdesin e Erdoganit por për këtë ditë edhe ai kishte zgjedhur Tiranën. Kishte ardhur aty ku ndodhte diçka më shumë sesa bisedime. Po ndodhte bashkimi.
Dhe ajo që i bashkoi nuk ishte një agjendë e thjeshtë. Ishte thirrja e një njeriu që ka mësuar të luajë me përmasat e vogla për të krijuar hapësira të mëdha. Rama nuk kishte forcë ushtarake as rol në ndarjen e influencave. Por kishte terren të sigurt. Kishte neutralitet me finesë. Kishte estetikë. Kishte imazh. Kishte mënyrën se si ta bëjë çdo lider të ndihet i ftuar pa u ndjerë i përdorur. Dhe kjo nuk është pak në një botë ku ftesat diplomatike janë të ngarkuara me frikëra aleanca dhe interesa të padeklaruara.
Samiti në Tiranë nuk ishte vetëm një takim i përfaqësuesve të Evropës. Ishte një demonstrim i asaj që politika moderne gjithnjë e më shumë po harron. Se jo gjithçka zgjidhet me marrëveshje. Shumë zgjidhet me tryeza të mirëmbajtura. Dhe kjo tryezë këtë herë nuk ishte në Bruksel por në një shesh me flamuj që valëviteshin midis historisë dhe së ardhmes.
Shija që mbetet
Të nesërmen kur sheshi zbrazet dritat fiken dhe liderët janë kthyer në zyrat e tyre ajo që mbetet është shija. Jo e darkës por e përvojës. Ajo që nuk thuhet por kujtohet. Dhe Tirana për një ditë arriti të bëhet vendi që kujtohet. Jo për shkak të ndonjë tragjedie apo krize por për shkak të mënyrës se si priti
Fitorja e Edi Ramës që ndodhi vetëm pak ditë më parë u duk për një çast si një rezultat i natyrshëm politik. Por në këtë samit ajo fitore mori formë. Sepse një kryeministër nuk përfaqëson vetëm politika. Ai përfaqëson edhe shije. Dhe shija është ajo që i mbetet botës kur fjalimet harrohen
Sepse ndonjëherë mjafton një njeri për të ndryshuar mënyrën si shihet një shtet. Mjafton një përfaqësim me dinjitet për ta kthyer një vend nga periferi në qendër. Dhe ajo që bëri Edi Rama në këtë samit ishte pikërisht kjo. I mblodhi të gjithë jo për të folur për Shqipërinë por për t’ia parë fytyrën asaj në pasqyrë. Dhe për herë të parë ajo fytyrë nuk kishte nevojë të sqarohej.

