Connect with us

Politike

Rrëfimi i Linda Ramës: Pse i besuan Edit një mandat kaq të fortë (E PLOTË)

Linda Rama bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama në të paktat dalje publike, në kapacitetet e bashkëthemelueses të organizatës të “Kërkimeve për avokatinë e të drejtave të njeriut ishte e ftuar në forumit ekonomik Ndërkombëtar, Future Investment Initiative

Ajo e cilësoi fitoren e një mandati të katërt nga bashkëshorti të dielën e shkuar si një përgjegjësi e madhe.

“Jam e mallëngjyer sepse ndjeva sikur po lidhej filli midis prindërve tanë dhe asaj ç’ka ëndërruam në ’91 për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa. Asokohe qeveria e parë demokratike mori mbështetje të jashtëzakonshme për qytetarët dhe duket sikur ka një fill që lidhet pas kaq shumë vitesh dhe shqiptarët sepse besojnë të ëndërrojnë shumë në Evropë, i besuan Edit një mandat të fortë. Përgjegjësi e jashtëzakonshme. Ndjej peshën mbi shpatulla për të mos zhgënjyer askënd nga ata që ka dhënë këtë mbështetje dhe lejuar të rinjtë që të çelin një shteg krejt të ri, misioni ynë për ta përfunduar këtë proces si brez që fëmijët tanë të nisin një tjetër nivel angazhimi”, tha Linda Rama.

INTERVISTA E PLOTË:

Të nderuar zonja dhe zotërinj jam shumë e lumtur të gjendem sot këtu me ju dhe jam shumë e nderuar që të kem disa pyetje për ju dhe të shpenzojmë pak kohë në këtë bisedë së bashku. Le të hyjmë drejtpërdrejtë në temë. Përgëzimet e mia për rizgjedhjen e bashkëshortit tuaj, është mandati i katërt i tij, mendoj që është shkëlqyer, por kam disa pyetje, që në fakt kanë të bëjnë edhe me pjesën e vizitës së Presidentit për ju Linda që ju konsideroj si mike. Kemi zgjedhjen për mandatin e katërt. Natyrisht profili juaj nuk është politikane. Si keni lundruar për 12 vjet në këtë arenë politike?

Linda Rama: Së pari, faleminderit që më ftuat në këtë forum dhe do doja ta nisja me një fakt, që të jesh pranë Edit këto 12 vjet, ka qenë një mundësi e shkëlqyer për të kontribuar nga ana ime, në një moment historik dhe mjaft të rëndësishëm për vendin tim, Shqipërinë. Në fakt, sa i takon profilit e gjithë jeta ime është shpenzuar në politikat publike dhe çështjet e zhvillimit dhe kam qenë si rrjedhojë shumë e ndjeshme ndaj grupeve vulnerabël dhe kam qenë një avokate e të drejtave të grave dhe të drejtave të njeriut. Në një moment të caktuar në kohë përfundova të isha dikush që ishte aktiviste për të drejtat e njeriut dhe politikat publike në të njëjtën çati me personin, të cilit i ishte besuar drejtimi i politikave publike dhe ndryshimit të jetës së njerëzve dhe ishte sfidë për të dy ne. Kuptova pastaj qysh në fillim që sapo bëhesh bashkëshortja e dikujt që zgjidhet, rreziku është që menjëherë pas kësaj njerëzit të shohin vetëm si bashkëshorten e kryeministrit. Në fillim mendova që thjeshtë do t’i shtoja një dimension tjetër profilit tim profesional, por e kuptova më pas që më duhej të ruaja identitetin tim profesional dhe personal.

-Si e bëre?

Ishte shumë sfiduese. Së pari, ishte shumë e vështirë të tejkaloje skepticizmin e njerëzve. Iu thoja gjithkujt që unë do vazhdoj të jem i njëjti person si më parë dhe do të punoj në të njëjtën fushë si më parë, por ishte shumë e vështirë për ta, që ta besonin. Në fakt, unë i jepja vetë makinës, nuk kam një dado për fëmijën tim, unë gatuaj vetë dhe në fakt për njerëzit ishte shumë e vështirë, nuk e lidhnin dot këtë lloj narrative me bashkëshortin e dikujt kaq të rëndësishëm.

-Natyrisht është e vështirë. Natyrisht, ju keni fuqi, por është e vështirë që t’i bësh njerëzit të kuptojnë që mund të bësh shumë në aspektin humanitar, në aspektet e tjera dhe kjo është ajo që jeni përpjekur të bëni apo jo

Linda Rama: Po. Dhe përgjatë viteve mendoj që kam bërë atë çfarë synoja të bëja e ku besoja dhe pashë që niveli i besimit është rritur dhe në fakt Edi tha që u ndje mirë kur zgjodhët Shqipërinë, në raport me Francën, në Europë, por kam pasur dhe unë një moment fuqizimi vitin e kaluar, ku të gjithë anëtarët e opozitës në parlament u mblodhën bashkë dhe iu kërkuan institucioneve ndërkombëtare, që ndihmojnë Shqipërinë për 30 vjet, për të mos më pranuar në asnjë projekt të tyren. Dhe thashë në fakt duhet të nxjerrin Edin nga detyra, pse mua? Pse të më lënë mua pa punë? Dhe ishte diçka shumë e mirë të shihje që isha një profil që ishte si të thuash më mbi, në kërë rast, më me fuqi sesa e kryeministrit. Sesilia, mendoj se profesionizmi, pavarësia dhe të qenit i drejtpërdrejtë për të thënë gjithçka që mendon, në mënyrë të thjeshtë dhe për më tepër të qenit me njerëz, gjatë gjithë kohës e konkurron politikën dhe këto lloj profilesh mendoj që janë profile mjaft të fuqishme. Ndaj, njerëzit janë kaq të fortë sepse në jetët e tyre normale janë profesionistë, janë të aftë të bëjnë gjëra, janë të drejtpërdrejtë dhe votimi është një nga momentet sublime të të qenit të drejtpërdrejtë dhe janë të pavarur. Ja pse janë vërtet të fuqishëm dhe politikat si duhen gjatë tërë kohës.

– Më lini të kthehem paksa në të shkuarën në 1991 pas regjimit komunist. Dua të di sesi brezat e rinj jetojnë me këtë të shkuar, si mund t’i inkurajoni sipërmarrësit e rinj që të ecin përpara, duke e ditur që vendi ka qenë nën një regjim mjaft të shtrënguar, regjimi komunist dhe si mund t’i ndihmoni ju, këta të rinj të ecin përpara dhe të krijojnë një vend të ri në këtë vend.

Linda Rama: Së pari, dua të jap dy, tre shifra sesi nisëm këtë rrugëtim pas rënies se komunizmit. 30% e njerëzve në 1991 në zonat rurale dolën pa punë dhe papunësia rritej dita ditës për shkak të kolapsit të ndërmarrjeve publike. Fakti ishte që brenda një viti, një vend krejt i izoluar pati qindra, mijëra njerëz që u larguan nga vendi si emigrantë dhe ne jemi vend mjaft i pasur me ujë, por uji në shtëpi vinte dy, tre herë në ditë, nuk kishim aspak pra, kishim mungese dhe vetëm një e treta e banesave ishin të lidhura me tubacionet e ujësjellësit. Pastaj ishte shumë me interes fakti që një familje mesatare kishte një shtëpi prej 30 metrash katrorë për një familje. Energjia elektrike kishte mungesa dhe në fakt shkuam nga një besim i plotë dhe një pavarësi e plotë nga shteti, në një nivel krejt tjetër mosbesimi ndaj shtetit.

Në fakt në vitin 1991, ‘92, ‘93 ekonomia hije apo informale ishte gjysma e ekonomisë në Shqipëri. Kjo ishte gjendja. Imagjinojeni se çfarë lloj agjende shtrihej përpara njerëzve dhe politikanëve. Në fakt në 35 vjet, jemi ne brezat e rinj të asaj kohe, që ishim në gjendje të fitonim kohën e humbur nga prindërit tanë e prindërve të tyre, jo për faj të tyre, jo për shkak të tyre, por për shkak të mundësive që patëm për të dalë nga komunizmi dhe për të shkuar në një sistem krejt tjetër të përplot mbushur me mundësi. Mendo që gjatë kësaj kohe, arritëm kohën dhe e dëgjuat presidentin Macron dhe në fakt e dëgjova shumë e lumtur që ai konfirmoi që bie dakord të zgjerojnë BE e që ai është mbështetës i anëtarësimit tonë sepse është e drejtë se Shqipëria duhet të jetë në Europë dhe ja kemi dalë të krijojmë këtë nivel besimi dhe ka qenë brezi ynë, që e ka bërë këtë gjë, por përderisa e bëmë këtë, nuk ishte vetëm ekonomia që na shqetësonte, por dhe traumat e vjetra dhe zakonet e këqija të imponuara nga komunizmi dhe mendoj që në këtë drejtim, ndoshta nuk patëm fokus për të bërë shumë dhe kjo shërben për të gjithë botën sepse gjithçka që po ndodh sot po lë gjurmë për brezat e rinj dhe mendojmë që sapo brezi ynë do të përfundojë rrugëtimin drejt Bashkimit Europian do të duhet të kujdesemi që fëmijët, të rinjtë të përpiqen të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë e tyre për të ecur në tej në një botë globale.

– A mund të ndani këndvështrimin tuaj për ndikimin psikologjik të së shkuarës në shoqërinë
aktuale?

Linda Rama: Kaq shumë vite komunizëm të ashpër, ka shumë të tilla, sa më shumë shkon koha përpiqen dhe shumica e shpjegimeve që gjej për atë çka ndodh përreth ka një lloj lidhjeje me të shkuarën. Mund t’ju jap, duke qenë se jemi në një forum financiar investimesh, mund t’ju jap një shembull shumë të vogël. Gjatë komunizmit, familjet shqiptare dhe individët nuk lejoheshin të merrnin hua nga bankat, për shembull, dhe ka një frikë nga brezat e prindërve tanë, që iu është përcjellë brezave tanë për të mos shkuar në bankë e për të mos marrë hua sepse huatë janë të këqija e në fakt, në qoftë se sheh raportin e depozitave, natyrisht situata ka ndryshuar kryekëput sepse në të kundërt nuk do të shihnit këtë lloj zhvillimi vërdallë, por ka ende, ekziston ende një frikë nga qasja në bankë, ndaj vazhdon të ketë një ekonomi me para në dorë dhe ndaj ka sërish një drojë, një hezitim që të shkosh në bankë, të paraqesësh një projekt biznesi, të marrësh hua dhe të krijosh marrëdhënie me bankën. Po pse ndodh kjo? Ende ndodh kjo sepse nuk kemi punuar ende mjaftueshëm me këtë. 1991 nuk është kaq larg, është 3 dekada e gjysmë. Nëse kemi qenë në gjendje të ecim kaq shpejt në këto rrugë zhvillimi dhe nuk po flas vetëm për Shqipërinë dhe shqiptarët në Shqipëri, por flas edhe për shqiptarët kudo gjenden. Ambasadorët më të mirë të Shqipërisë janë shqiptarët që ia kanë dalë me sukses në çdo fushë dhe janë kthyer, në çdo fushë në botë. Natyrisht që jetojmë në një botë të lirë. Ne jemi të lumtur që ata të kthehen, por ata kanë bërë maksimumin kudo gjenden, ata duhet të shkojnë kudo mendojnë, që është më mirë për ta, por ne e dimë që një pjesë e jona është me ta kudo, që ata janë dhe patjetër që duam që edhe të huajt të vijnë këtu.

Në fakt, u ndjeva shumë e lumtur kur dëgjova Edin që tha, natyrisht me një lloj doze humori, që edhe francezët duan të rrinë e të punojnë, por ky është realiteti. Italianë e shumë të tjerë nga vende të tjera po e gjejnë Shqipërinë gjithmonë e më shumë tërheqëse.

– Si i shihni të rinjtë sipërmarrës këtu në Shqipëri? A janë ata të gatshëm, kanë vullnet të ecin
përpara për vendin?

Linda Rama: E di Sesilia, unë mendoj që ne ende nuk jemi të aftë ta njohim rininë në mënyrën se si është, është problemi ynë dhe në qoftë se do të shohësh median, nëse do të shohësh skenat publike janë të mbushura përplot njerëz të moshës së mesme a më të madhe, por nuk sheh shumë të rinj. Pse ndodh kjo? Sepse mendojmë që i njohim, por në fakt nuk i njohim dhe në qoftë se i takon nga afër e kupton që ata kanë një fuqi që ne nuk e kemi, brezi im e kam fjalën, vjen për shkak të kohës që jetojnë dhe për shkak të investimeve të jashtëzakonshme që prindërit e shoqëria kanë bërë tek ata që ata të ecin përpara sa i takon arsimimit dhe për të mësuar në mënyrë konstante në një botë që është plotësisht e hapur për ta.

– Edhe ju, veçanërisht ju, ju personalisht, a po ndihmoni përmes një fondacioni a një tjetër
mënyrë për t’i fuqizuar ata, për t’i ndihmuar ata?

Linda Rama: Mendoj që me të gjitha publikimet që kam nxjerrë, projekte, diskutimet që kam bërë, por edhe duke ruajtur atë lloj trysnie timen përpiqem të sigurohem që gratë, të rinjtë, fëmijët të marrin sa më shumë vëmendje nga shoqëria dhe nga qeveria, e po kështu edhe nga politikëbërësit. Më duhet ta eksploroj më tej.

– Edi është tashmë në mandatin e katërt. Je entuziaste për këtë?

Linda Rama: Jam shumë entuziaste dhe e prekur, e mallëngjyer thellësisht sepse ndjeva sikur po lidhej filli midis prindërve tanë dhe asaj çka ëndërruam në ’91-’92 për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Asokohe qeveria e parë demokratike mori një mbështetje të jashtëzakonshme nga qytetarët. Duket sikur ka një fill që lidhet pas kaq shumë vitesh dhe shqiptarët sepse vazhdojnë të ëndërrojnë Shqipërinë në Europë i besuan Edit një mandat që është shumë shumë i fortë, mendoj që është një përgjegjësi e jashtëzakonshme. Ndjej peshën mbi shpatulla për të mos zhgënjyer askënd nga ata që e ka dhënë këtë mbështetje dhe për të lejuar të rinjtë që të çelin një shteg krejt të ri. Është misioni ynë për ta përfunduar këtë proces si brez në mënyrë që fëmijët tanë të nisin një tjetër nivel angazhimi.

– E dini, në fakt rinia është themeli i një vendi, arsimi është i rëndësishëm për ta mendoj, shoh që nuk është se kemi shumë kohë dhe do ta mbyll me një pyetje mjaft të lehtë. Do doja t’ju pyesja, në qoftë se do të kishte 3 gjëra që do donit të thonit për Shqipërinë, për vendin tuaj, çfarëdo qofshin ato, në nivel personal, kulturor apo çfarëdolloj gjëje që mendoni, çfarë do ishin ato?

Linda Rama: Gjëja e parë, sepse pashë videon që ishte përgatitur dhe jam tërësisht dakord me të, gjëja e parë që do përmendja është diversiteti në tri nivele; i natyrës, këtu mund të gjesh Karaibe, Toskanën, Alpet e Zvicrës, në këtë vend mund të gjesh gjithë botën, është një vend shumë i bukur. Më pas, larmia dhe diversiteti kulturor. Dua të përmend që në këtë territor ka më shumë se 3000 kostume tradicionale dhe shumica prej tyre janë unike në botë dhe 3 besime fetare që bashkëjetojnë në harmoni dhe janë një trashëgimi e madhe për ne. Gjëja e dytë që do të them është dinamizmi. Jemi një komb mjaft energjik dhe dinamik. Është e vërtetë dhe edhe tronditjet nuk na trondisin. Pra, ne mund të kemi tronditje, ndodhi në ’97, paksa në 2000-2008, ndodhi me tërmetin, ndodhi me pandeminë, vitin tjetër ne ishim prapë vitalë dhe vazhduam me rritjen. E treta është një tjetër D, devocion, jemi mjaft të përkushtuar ndaj familjeve tona, familjarëve të afërt, jemi mjaft të devotshëm kundrejt vendit dhe krejt të devotshëm ndaj Europës dhe ndaj botës dhe këto tre “D” na bëjnë ne 3D.

Advertisement