Connect with us

Bota

Kancelari gjerman Merz kritikon ashpërsinë e sulmeve në Gaza: Nuk justifikohen më si luftë kundër Hamasit

Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi të hënën se niveli aktual i sulmeve të Izraelit ndaj Gazës “nuk mund të justifikohet më si një luftë kundër terrorizmit të Hamasit.”
Ai tha për transmetuesin publik gjerman WDR se kishte në plan të zhvillonte një bisedë telefonike këtë javë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për t’i thënë që “të mos e teprojë.”
Megjithatë, ai pranoi se për shkak të “arsyeve historike,” Gjermania do të mbetet gjithmonë më e kujdesshme në kritikat e saj ndaj Izraelit, në krahasim me disa partnerë evropianë, raportojnë mediat.
“Por nëse kalohen vijat, ku ligji ndërkombëtar humanitar shkelet realisht, atëherë Gjermania, kancelari gjerman, duhet të flasë për këtë,” tha Merz.

Lajmi i dites

SHBA-të i bëjnë presion Netanyahut: Marrëveshje brenda dy ditësh

Propozimi i Uashingtonit parashikon lirimin e 10 pengjeve të gjalla dhe kthimin e 20 trupave të pajetë në këmbim të një armëpushimi prej 45-60 ditësh.
“Sot ose nesër shpresoj të bëj një njoftim për pengjet. Dhe nëse jo nesër, pasnesër”. Po ta marrësh fjalë për fjalë, do të thuhej se Netanyahu po bën edhe një herë atë që di të bëjë më mirë: të shtyjë, të trazojë ujërat dhe të zvarrisë në një kohë të pacaktuar. Megjithatë, në tryezat e negociatave në Kajro dhe Doha, ku po zhvillohet ngadalë dialogu mes Izraelit dhe Hamasit, diçka po lëviz.
Këtë e dëshmojnë zërat që po qarkullojnë orët e fundit për propozime të pranuara dhe të refuzuara, si dhe deklaratat zyrtare të të dërguarve të Shtëpisë së Bardhë, të cilët u kanë thënë familjeve të të rrëmbyerve se shpresojnë “në zhvillime brenda dy ditëve të ardhshme”.
Le të ecim me radhë. Përcaktimi i paqartë i kryeministrit izraelit, ajo “sot, nesër apo pasnesër” e thënë gjatë një ceremonie për Ditën e Jerusalemit, u interpretua dhe u relativizua nga zyra e tij. “Ai kishte për qëllim të thoshte se po punohet intensivisht dhe se, edhe nëse nuk do të ketë një marrëveshje sot, nuk do të dorëzohemi, po ushtrojmë presion mbi Hamasin, edhe përmes Witkoff”. Steve Witkoff, i dërguari i Donald Trump, po luan një rol kyç në tryezën e negociatave: ai po komunikon drejtpërdrejt me drejtuesit e Hamasit përmes biznesmenit amerikan-palestinez Bishara Bahbah dhe ka paraqitur një ofertë të re, e cila, po ta lexosh me kujdes, tregon se presidenti amerikan po ushtron presion mbi Netanyahun edhe për çështjen e Gazës, pas mosmarrëveshjeve të forta mbi çështjen bërthamore iraniane që dolën në pah gjatë një telefonate mes dy liderëve të enjten e kaluar.
Propozimi i Witkoff parashikon lirimin e dhjetë pengjeve të gjallë dhe njëzet të vdekur (nga gjithsej 58), në këmbim të një armëpushimi prej 45–60 ditësh (sipas burimeve të tjera, 70 ditë): gjysma e pengjeve lirohet menjëherë, gjysma tjetër në përfundim të afatit. Deri këtu, për qeverinë izraelite nuk ka problem. Por ndryshe nga oferta e mëparshme, kjo është formuluar në një mënyrë që e bën të qartë se gjatë armëpushimit, Izraeli dhe Hamasi duhet të diskutojnë për mënyrat se si të arrihet paqja përfundimtare dhe se do të ketë garanci për të penguar Netanyahun të tërhiqet në mënyrë të njëanshme dhe të rifillojë bombardimet, siç bëri në mars. “Izraeli do të pranojë një marrëveshje që do të kthejë gjysmën e pengjeve të gjallë dhe gjysmën e të vdekurve dhe që do të çojë në negociata substanciale për të gjetur një rrugë drejt një armëpushimi të përhershëm, të cilin kam pranuar ta udhëheq”, thekson Witkoff.
Pikërisht këtë kryeministri nuk mund ta bëjë pa rrezikuar mbështetjen e së djathtës ekstreme, e cila kërkon pushtimin e Gazës (IDF kontrollon 40 për qind të Rripit, por synon 75 për qind brenda dy muajsh) dhe dëbimin e banorëve palestinezë të Gazës.
Hamasi dje ka lënë të kuptohet përmes shtypit arab se ka pranuar propozimin e Witkoff, i cili përfshin — sipas burimeve të lëvizjes islamike — garanci amerikane se Izraeli do të angazhohet seriozisht dhe tërheqjen e trupave në pozicionet para ofensivës “Karrocat e Gedeonit”. Qeveria izraelite, sërish përmes zyrtarëve anonimë, është përgjigjur se bëhet fjalë për gënjeshtra dhe përpjekje për manipulim. Witkoff, për median Axios, ka komentuar: “Ajo që kam parë nga Hamasi është zhgënjyese dhe plotësisht e papranueshme”. Është loja e palëve në një negociatë që po afrohet në një pikë kyçe: asnjëri nuk do të japë përshtypjen se ka lëshuar shumë, të dyja palët po i shesin opinionit të brendshëm kushte që nuk i kanë marrë./La Repubblica

Advertisement