Bota
Vijon vala e të nxehtit në Evropë teksa Spanja regjistron temperaturë 46 gradë Celsius

Një valë e të nxehtit vazhdon të përfshijë pjesë të mëdha të Evropës, me autoritetet në shumë vende që lëshojnë paralajmërime shëndetësore mes temperaturave përvëluese.
Spanja Jugore është rajoni më i prekur, me temperatura në mesin e 40 gradëve Celsius të regjistruara në Sevilje dhe zonat fqinje.
Një rekord i ri nxehtësie për qershorin prej 46 gradësh u shënua të shtunën në qytetin e El Granados, sipas shërbimit kombëtar të motit të Spanjës, i cili tha gjithashtu se ky muaj është në rrugën e duhur për të qenë qershori më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë.
Paralajmërimet për të nxehtin janë në fuqi në pjesë të Portugalisë, Italisë dhe Kroacisë, me paralajmërime të shumta të verdha që mbulojnë zona të Spanjës, Francës, Austrisë, Belgjikës, Bosnjës dhe Hercegovinës, Hungarisë, Serbisë, Sllovenisë dhe Zvicrës.
Në Itali, departamentet e urgjencës në të gjithë vendin kanë raportuar një rritje të rasteve të goditjes nga i nxehti, duke prekur kryesisht “të moshuarit, pacientët me kancer ose të pastrehët”, tha për agjencinë e lajmeve AFP Mario Guarino, nënkryetar i Shoqatës Italiane të Mjekësisë së Urgjencës.
Qyteti i Bolonjës më në veri ka ngritur shtatë strehimore klimatike me ajër të kondicionuar dhe ujë të pijshëm, ndërsa Roma ka ofruar akses falas në pishinat e qytetit për ata mbi 70 vjeç.
Nxehtësia e madhe ka prekur edhe vendet në të gjithë Ballkanin Perëndimor ku temperaturat kanë arritur mbi 40 gradë Celsius.

